2012-11-16 18:47:24

Komunikata zyrtare e ipeshkvijve të Shqipërisë pas mbledhjes së tyre vjetore


Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë : Komunikatë përfundimtare për shtyp

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë përfundoi punimet e saj treditore e mbledhur në Asemblenë e saj të zakonshme.
Kremtimi i 100 Vjetorit të Pavarsisë do të jetë për Kishën Katolike në Shqipëri një moment falenderimi e lutjeje Zotit për atdheun dhe të gjitha ata që kanë dhënë kontributin në këto 100 vjet. Të djelën me datë 25 nëntor, që për ne katolikët është dita e Krishtit Mbret, në çdo dioqezë dhe famulli të Shqipërisë do të jetë një ditë lutjeje për atdheun tonë. Në thirrjet e martirëve shqiptarë të vrarë nga Komunizmi ishin bashkë dy fjalë të fundit: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!”, prandaj në Ditën e Krishti Mbret ne falenderojmë Hyjin edhe për Atdheun tonë, Shqipërinë.
Një vend të veçantë ka zënë gjatë punimeve të plenares edhe kremtimi i Vitit të Fesë. Ky vit u hap për Kishën në Shqipëri me datë 19 tetor 2012. Gjatë këtij viti deri në fund të Nëntorit të vitit të ardhshëm janë parashikuar shumë nisma që do të shërbejnë për të ringjallur te njerëzit besimin në Hyjin. Ndër këto nisma mund të përmendim kremtimin e një simpoziumi për të përkujtuar Ediktin e Milano-s që vitin e ardhshëm mbush 1700 vjet. Ky simpozium do të mbahet me datë 27 prill 2013. Një nismë tjetër do të jetë edhe vizita në të gjithë territorin ku ka familje të krishtera katolike dhe bekimin e familjeve e të shtëpiave. Gjithashtu nisma të tjera në nivel dioqezan dhe famullitar janë bërë e do të bëhen në vitin në vazhdim.
KISH ka miratuar edhe Mesharin e ri të përkthyer sipas Editio Typica II. Është një punë disa vjeçare që komisioni i KISH për liturgjinë ka bërë. Tani pritet miratimi nga Selia e Shenjtë.
Në kuadër të 100 vjetorit ka pasur interes edhe një vizitë që ipeshkëvinjtë të shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Zoti Aldo Bumçi, kanë bërë në Bibliotekën Kombëtare ku është ekspozuar Meshari i Gjon Buzukut, dokumenti i parë që dëshmon shkrimin e gjuhës shqipe që mban datën 1555. Ekzemplari origjinal i këtij libri ndodhet në Vatikan dhe me rastin e 100 vjetorit të Pavarsisë është sjellë në Shqipëri e këto ditë po vizitohet nga shumë njerëz.
Në fund të takimit Ipeshkëvinjtë i drejtuan një letër Atit të shenjtë papës Benedikti XVI duke i shprehur Atij afërsinë e duke i kërkuar bekimin apostolik për të gjithë Kishën në Shqipëri në këtë 100 vjetor të Pavarësisë.

Dom Gjergj Meta

Tirane 15 nentor 2012







All the contents on this site are copyrighted ©.