2012-11-16 17:10:46

Imzot Tomazi: civilët, viktimat e para në konflikte, dështim i njerëzimit


Viktimat civile të konflikteve të armatosura janë provë e dështimit të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të ndërtuar qytetërime paqësore: këtë pohoi dje imzot Silvano Maria Tomazi, në fjalimin, mbajtur në Gjenevë, gjatë një takimi të organizuar nga OKB-ja për përdorimin e armëve konvencionale.

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në qytetin helvetik, denoncoi humbjet e jashtëzakonshme njerëzore, pasojë e përdorimit të armëve, posaçërisht në zonat e urbanizuara. Gjatë sulmeve, pohoi prelati, shikohen në radhë të parë interesat etnike, fetare ose kombëtare, ndërsa civilët harrohen fare. Pavarësisht nga konventat ndërkombëtare, që përpiqen ta kufizojnë të drejtën e forcave ndërluftuese për përdorimin e mjeteve posaçërisht vdekjeprurëse të luftës, civilët e pafajshëm të zonave të banuara, pohoi imzot Tomazi, vijojnë të jenë viktimat e para të konflikteve të armatosura, viktima që palët në konflikt i quajnë dëme anësore. Kështu, shumica e të vdekurve dhe e të plagosurve janë civilë e dëmet rëndojnë posaçërisht mbi infrastrukturat civile dhe mbi burimet bazë për jetesën e popullsive të tëra. Kjo, theksoi vëzhguesi i Vatikanit, dëshmon qartë se parimet themelore të së drejtës humanitare ndërkombëtare shpesh nuk respektohen. Veç kësaj, këto sulme shkaktojnë edhe trauma psikologjike, duke i dhënë fund zhvillimit për shumë vjet. Më të dëmtuarit janë gjithnjë fëmijët e gratë, gjë që hap plagë, të cilat nuk shërohen lehtë e ushqen urrejtje, që vijojnë për shumë vjet. Kjo e bën edhe më të vështirë, për të mos thënë të pamundur, pajtimin. Palët ndërluftuese duhet ta pranojnë përgjegjësinë e tyre si shkaktare viktimash. E ta shikojnë ndihmën e viktimave si e drejtë njerëzore e pamohueshme, që përbën bazën etike të së drejtës humanitare ndërkombëtare.
Imzot Tomazi nënvizoi faktin se qeveritë, forcat e ushtarake të të cilave impenjohen në konflikte të armatosura, e marrin tepër seriozisht opinionin publik, kur bëhet fjalë për viktima nga trupat e tyre. Fatkeqësisht, nuk ndodh e njëjta gjë për viktimat civile, që nuk i përkasin bashkësisë kombëtare. Të huajtë edhe mund të vriten, mjafton të shpëtojnë tanët, është logjika e këtij fakti të trishtuar. Sot, vëren prelati, shumë zëra ngrihen për ta vënë në diskutim përdorimin e këtyre armëve vdekjeprurëse në zonat e populluara, por rruga që duhet përshkuar për të realizuar objektivin e mbrojtjes së civilëve, mbetet ende e gjatë.
Në përfundim, nënvizon Imzot Tomazi, mund të pohohet gati me siguri se është e pamundur të përdoren armë shpërthyese në zonat e populluara e njëkohësisht, të respektohen edhe parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, që kërkon mbrojtjen e civilëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.