2012-11-16 17:10:57

Emiratet Arabe: takim i të rinjve katolikë të Lindjes së Mesme. Imzot Hinder: Kisha i mbështet.


Më se 1500 të rinj katolikë, rezidentë në Lindjen e Mesme, por të ardhur nga kombe të ndryshme të botës, nisën, që dje, takimin e tyre në katedralen e Shën Jozefit të Abu Dhabi-t, në Emiratet Arabe. Do të jenë tri ditë reflektimi e lutjeje. Asamblenë e kryesojnë vikariatet apostolike të Arabisë së Veriut e të Jugut. E pyetëm vikarin apostolik të Arabisë Jugore, imzot Paul Hinder për mënyrën si po e kremtojnë të rinjtë katolikë të Lindjes së Mesme Vitin e Fesë:

Përgjigje: - Ne e nisëm Vitin e Fesë me kremtime zyrtare në famulli, por edhe në nivel vikariati. Shumica e besimtarëve janë arabë, por jetojnë në këtë kontekst e problemi ynë, disi i përbashkët kudo, është si t’i bëjmë të rinjtë ta jetojnë fenë e tyre, që nuk shpëton dot nga ndikimet e shumta të shoqërisë për rreth; sepse studiojnë në shkolla, punojnë me të tjerët… Nuk e kanë gjithnjë aq të lehtë ta ruajnë besnikërinë, në këto rrethana. Prej këndej, edhe takimi që po bëjmë, ka këtë qëllim: të ndihmojë solidaritetin ndërmjet të rinjve katolikë, ta ndjejnë se nuk janë vetëm në vështirësi. Ta kuptojnë se jemi shumë, që luftojmë të njëjtën luftë për fenë, në rrethanat ku jetojmë, ku jemi të huaj e ku do të mbetemi të huaj, me kombësi të ndryshme. E kështu ta përforcojmë njëri-tjetrin në dashurinë për Krishtin, në jetën e përbashkët në Kishë, pavarësisht nga vështirësitë, që nuk mungojnë kurrë në këto vise të botës.

Pyetje: - Cilat janë vështirësitë e shpresat e të rinjve të krishterë në botën arabe?

Përgjigje: - Ku jetojmë ne, shqetësimi i shumë njerëzve është: A mund të rrimë këtu gjatë? A do të gjejmë punë? Si mund të studiojmë? E ku? E akoma: Cila do të jetë ardhmëria jonë? Sepse shumica e këtyre të rinjve, në të ardhmen, nuk do të jetë më në këto vende: ata janë këtu përkohësisht e prandaj edhe mendojnë për kohët kur do ta lënë këtë vend. Kjo kushtëzon jo pak përfshirjen ose mospërfshirjen e tyre në shoqërinë e këtyre viseve, ku e dinë mirë se nuk mund të rrinë përgjithnjë. Përvoja e fesë, prandaj, jetohet në gjendje shtegtimi. E janë posaçërisht të rinjtë, që jetojnë ndërmjet botëve të ndryshme, gjë që nuk kalon lehtë edhe në përvojën e tyre të fesë. Kjo është puna jonë, si barinj e meshtarë: ta ndihmojmë rininë në këtë kalim të vështirë.

Pyetje: - Si po e jeton Kisha të ashtuquajturën “Pranverë arabe”?

Përgjigje: - Kjo ‘Pranverë arabe’ ndjehet pak, këtu ku jam unë, në Emiratet Arabe të Bashkuara, ose në Oman… Ndoshta ndjehet më shumë në Jemen, por atje jemi para një situate shumë të veçantë, edhe historikisht. Veç kësaj, ka shumë pak të krishterë ndërmjet popullsive të Jemenit. Këtu, në Emiratet, jemi më shumë vëzhgues e më pak aktivistë të këtij procesi. Nuk shikoj sot për nesër ndonjë ndryshim themelor. Natyrisht, kur kalojmë në vende të tjera, edhe situata është e ndryshme. Është e qartë se njerëzit, që vijnë nga Siria, nga Egjipti, nga Iraku, ose nga Libani, e jetojnë këtë situatë me tension shumë më të madh, sesa ata që vijnë nga Filipinet, nga India ose nga Amerika Latine.








All the contents on this site are copyrighted ©.