2012-11-15 15:42:24

Benedikti XVI uron që Viti i Fesë të ndihmojë për përparimin e ekumenizmit, sepse ndarja është shkandull.


Udha ekumenike nuk mund ta injorojë krizën e fesë në botën aktuale, prandaj të krishterët janë të thirrur të japin një dëshmi të përbashkët, pavarësisht nga përçarjet: këtë theksoi sot paradite Benedikti XVI, gjatë fjalimit drejtuar pjesëmarrësve në Plenaren e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Papa uroi edhe që Viti i Fesë të kontribuojë për progresin e ekumenizmit:
“Nuk mund të ecet në udhën e vërtetë ekumenike, duke injoruar krizën e fesë, që po kalojnë zona të tëra të Planetit, ndërmjet të cilave, ata që e pranuan të parat kumtimin e Ungjillit e ku jeta e krishterë lulëzoi në shekuj”.
Benedikti XVI theksoi nevojën e pëshpirtërisë e njëkohësisht, edhe varfërinë shpirtërore të shumë njerëzve, që jetojnë pranë nesh, në kohën tonë. Por…:
Nga ana tjetër, nuk mund të mos njihen edhe shenjat e shumta, që vërtetojnë se njeriu ka gjithnjë nevojë për jetë shpirtërore, gjë që duket në mënyra nga më të ndryshmet. Varfëria shpirtërore e shumë prej bashkëkohësve tanë, që nuk e perceptojnë më si humbje mungesën e Zotit në jetën e tyre, është sfidë për gjithë të krishterët”.
Në këto rrethana, shpjegoi Ati i Shenjtë, ne, që besojmë në Krishtin, na kërkohet të rikthehemi tek themelorja, tek zemra e fesë sonë, tek dëshmimi, së bashku, i Hyjit të gjallë deri në skjaet më të humbura të botës. Me fjalët e Dekretit mbi ekumenizmin ’Unitatis redintegratio’, Papa kujtoi se ndarja ndërmjet të krishterëve i kundërvihet haptas vullnetit të Krishtit, është shkandull për botën dhe dëmton kauzën e tejetshenjtë për t’ia çuar Ungjillin çdo krijese. Prej këndej, pohimi: “Nuk duhet të harrojmë se qëllimi i ekumenizmit është bashkimi i dukshëm i të krishterëve të ndarë”. Por, sidoqoftë, sqaroi në vijim Papa, të japësh dëshmi për Zotin e gjallë është dertyra më e ngutshme e gjithë të krishterëve, pavarësisht nga bashkimi i pjesshëm kishtar, që vijon edhe sot.
Nuk duhet të harrojmë atë, që na bashkon, besimin në Zotin, Atë e Krijues, shpjegoi Benedikti XVI, duke nënvizuar se në dritën e përparësive të fesë, kuptohet edhe rëndësia e dialogut teologjik si dhe e bisedimeve ndërmjet Kishave e Bashkësive kishtare, në të cilat impenjohet vazhdimisht Kisha katolike:
Edhe kur mundësia e rivendosjes së bashkimit të plotë nuk duket si ardhmëri e menjëhershme, ata krijojnë kushtet për të pranuar, njëherësh me rezistencën dhe pengesat, edhe pasuritë e përvojave, të jetës shpirtërore e të reflektimeve teologjike, që bëhen nxitje për një dëshmi gjithnjë më të thellë”.
Duke kujtuar se bashkimi nuk mund të jetë vetëm vepër e njerëzve, sepse mbi të gjitha, është dhuratë e Zotit, Papa fton për impenjim e lutje, njeh zhvillimet pozitive e kërkon të ecet përpara, pa u ndalur kurrë:
“Fakti i ecjes së bashku drejt cakut është realitet pozitiv, me kusht që Kishat dhe Bashkësitë kishtare të mos e ndalojnë hapin gjatë rrugës, t’i pranojnë problemet kontradiktore si diçka normale e të përpiqen për të gjetur rrugëzgjidhjen më të përshtatshme”.
Përmes bashkimit të dukshëm të dishepujve të Krishtit, bashkim i pashpjegueshëm nga mendja njerëzore, pohon Papa, do të bëhet më i dukshëm edhe veprimi e Zotit. E më pas shton: mënyra si vepron Zoti e kapërcen prirjen e botës për t’u përçarë. Prej këndej, ftesa për të kuptuar se ekumenizmi dhe ungjillëzimi i ri kërkojnë që të dy dinamizmin e kthesës së madhe shpirtërore, parë, shpjegoi Papa, si dëshirë e sinqertë për të ndjekur Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.