2012-11-14 16:41:56

Papa në audiencën e përgjithshme: bota, njeriu e feja janë rrugë për t’ia hapur zemrat njohjes së Zotit.


Bota, njeriu e feja janë rrugët, të cilat mund ta hapin zemrën, për njohjen e Zotit, që na orienton, duke respektuar gjithnjë lirinë tonë. Këtë theksoi sot Papa gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Benedikti XVI u kujtoi të gjithëve se Zoti e kërkon njeriun, pa u lodhur kurrë!

Njeriu rrezikon të verbohet nga shkëlqimi i rremë i botës, të dredhojë rrugë, pa mundur ta rigjejë më shtegun e drejtë, që e çon tek Zoti. Disa mendësi, shumë të përhapura sot, nënvizoi Ati i Shenjtë, i krijojnë Kishës e të krishterëve shumë vështirësi në misionin për t’ia komunikuar gëzimin e Ungjillit të gjitha krijesave:
Zoti, por, na kërkon gjithnjë, pa u lodhur kurrë, besnik siç është ndaj njeriut, të cilin e krijoi dhe e shpërbleu. Hyji rri gjithnjë pranë jetës sonë, sepse na do”.
Përballë vështirësive të sotme dhe provave, para të cilave vihet feja, shpesh e pakuptuar, e kundërshtuar, e mospranuar, duhet të kujtojmë fjalët e Shën Pjetrit, që na porosit të jemi gjithnjë gati për t’u folur, me ëmbëlsi e respekt, atyre që kërkojnë të njohin arsyet e shpresës sonë. Në shekullin e kaluar bota iu nënshtrua një procesi të fuqishëm shekullarizimi. Duke u errësuar prania e Zotit në jetën njerëzore, kujtoi Papa, u errësua edhe horizonti etik, për t’i krijuar hapësirë relativizmit. Në kohët tona sundon një formë e ateizmit praktik, që nuk i mohon të vërtetat e fesë, por i nënvleftëson, duke i shikuar si gjëra fare pa vlerë për jetën e përditshme. Ç’ përgjigje, atëherë, pyeti Benedikti XVI, duhet t’u japë feja, gjithnjë me ëmbëlsi e respekt, ateizmit, skepticizmit, indiferencës, në mënyrë që njeriu të vijojë t’i bëjë vetes pyetjet jetike për vendin që zë Zoti në zemrat njerëzore? Ç’udhë duhet ndjekur?
E para, është bota... mendoj se duhet ta nxisim njeriun e sotëm të rifitojë aftësinë e kundrimit të krijimit, të bukurisë së tij, të strukturës. Bota nuk është magmë e patrajtë, përkundrazi: e sa më shumë e njohim, aq më shumë zbulojmë mekanizmat e mrekullueshme, shikojmë një plan, bindemi se jemi para një inteligjence krijuese”.
Prandaj mund të themi se udha e parë, që çon tek zbulimi i Zotit, është kundrimi me sy të vëmendshëm i krijesës, i gjithësisë, që na rrethon.
Udha e dytë, shpjegoi Ati i Shenjtë, është njeriu. Në njeriun shpirtëror, a në shpirtin e njeriut, na kujton akoma sot Shën Agostini, banon e vërteta:
“Ky është një aspekt tjetër, që ne jemi në rrezik ta humbasim në botën zhurmëmadhe e shkapërderdhëse, në të cilën jetojmë; mund të humbasim aftësinë për t’u ndaluar, për të shikuar në thellësi të vetvetes e për të lexuar etjen e pafundësisë, të cilën e kemi në shpirt e na shtyn të shkojmë përtej botës, duke na çuar tek Dikush, që mund të na e shuaj”.
Udha e tretë, që na çon në takimin me Zotin, është feja. Nuk bëhet fjalë, kujton Ati i Shenjtë, thjesht për një sistem besimesh e vlerash. Kush beson, është i bashkuar me Zotin, me zemër të hapur për të pranuar hirin dhe forcën e dashurisë së Tij. Kështu jeta bëhet dëshmi. Njeriu, që beson, nuk dëshmon vetveten, por Krishtin e Ngjallur:
Feja është takim me Zotin, që flet e vepron në histori; që e shndërron jetën tonë të përditshme, duke na ndërruar mendësinë, gjykimet, rrugëdaljet e veprimet konkrete. Nuk është ëndërr, arratisje nga realiteti, strehë e rehatshme, sentimentalizëm, është vetë jeta jonë, e vënë në shërbim të kumtimit të Ungjillit, Lajmit të Mirë, që është i aftë ta çlirojë njeriun plotësisht”.










All the contents on this site are copyrighted ©.