2012-11-14 16:42:39

Ndihma e Papës për refugjatët sirianë, në tregimin e të dërguarit në Liban, kardinalit Robert Sarah. Pjesa II


Ju ftojmë sot të ndiqni pjesën e dytë të intervistës dhënë Radios sonë nga kardinali Robert Sarah, në përfundim të vizitës së tij në Liban. Në pjesën e parë, ndërmjet tjerash, Hirësia e Tij foli me shumë shqetësim për gjendjen e refugjatëve sirianë, të cilët, përveç mungesave materiale, druhen edhe nga rreziqe të tjera të mundshme, siç është rreziku i devijimit integralist islamik në vendin e tyre...

Përgjigje: - Të krishterët kanë shumë frikë nga kjo mundësi; e pikërisht për këtë, nuk dëshirojnë të regjistrohen në kampe: duan të shkojnë në familje ose në famulli. Disa më treguan se i kanë keqtrajtuar. E nuk janë vetëm refugjatët, ata që kanë frikë: edhe Kisha druhet se pas pak në këtë zonë nuk do të ketë më asnjë të krishterë.

Pyetje: - Para se të niseshit, Papa ju dorëzoi një milion dollarë. Si u shpërnda kjo shumë ndërmjet agjencive të ndryshme bamirëse katolike në rajon?

Përgjigje: - Është vetëm një pikë ujë, në oqeanin e nevojave. Gjithsesi, kjo dhuratë u vlerësua shumë nga popullsia. I dhamë përparësi Sirisë, sepse brenda vendit ka mbi dy milion njerëz të shpërngulur. Për Sirinë dhamë 700 mijë dollarë, e për karitaset e tjera: Turqi, Liban, Jordani e Irak, 300 mijët, që mbetën. Duke u kërkuar, ndërkaq, organizatave të shumta bamirëse të Kishës të tregohen gjithnjë më bujare, sepse e dimë që lufta mund ta shtojë numrin e refugjatëve e, prej këndej, edhe nevojën për ndihma. Ndërkaq po përpiqemi të mbledhim fonde të reja. Takimi i 9 nëntorit u bë pikërisht për të koordinuar ndihmat tona. Shpresojmë se do të arrijnë edhe dhurata të tjera për të përballuar mundësinë e rritjes së numrit të refugjatëve, në se lufta do të vijojë kështu.

Pyetje: - Besoni se konflikti nuk duket se do të përfundojë shpejt?

Përgjigje: - Nuk duket, nuk duket, sepse si qeveria, ashtu edhe kryengritësit, janë të vendosur për të arritur fitoren përfundimtare; secili dëshiron të fitojë, e kështu nuk mund t’i jepet fund luftës. Shpresojmë se bashkësia ndërkombëtare do të ndërhyjë, do të diskutojë e do t’ia rikthejë paqen këtij vendi të masakruar.

Pyetje: - Dje theksuam se Lidhja Arabe njohu ligjshmërinë e koalicionit të opozitës siriane, formuar në takimet e Dohës, në fundin e javës së kaluar. Mendoni se ky koalicion mund të ndihmojë për t’i dhënë fund konfliktit?

Përgjigje: - Them se, të paktën, kemi një strukturë me të cilën mund të diskutojmë, mbasi më parë nuk dihej me kë mund të uleshim e të shkëmbenim dy fjalë. Megjithatë, nuk jam i sigurtë në se kjo strukturë do të jetë pozitive në përpjekjen për paqe. Le të shpresojmë. E të lutemi, që Zoti t’u japë më shumë urti këtyre njerëzve, që besojnë në gjetjen e rrugës për të dalë nga tmerri i luftës. Të lutemi, që Zoti t’ua shndrisë mendjet e të kuptojnë se qetësia e paqja mund të gjinden vetëm me dialog e pajtim. E vetëm me këtë rrugë mund të lehtësohet edhe vuajtja e një populli të tërë, atij sirian.

Pyetje: - Duke dhënë njoftimin për misionin tuaj në Liban, Papa i drejtoi bashkësisë ndërkombëtare një thirrje të fuqishme që të bëjë ç’është e mundur për Sirinë, sepse një ditë, shtoi, mund të jetë tepër vonë! Besoni se jemi ende në kohë për t’i dhënë fund këtij konflikti gjakatar?
Përgjigje: - Mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet ta dëgjojë zërin e Atit të Shenjtë e të ulet në tryezën e bisedimeve, të nisë diskutimet për të gjetur rrugëzgjidhjen e konfliktit, që mund të gjindet, për të rivendosur, kështu, paqen në Siri. Kjo do të thotë se jo vetëm sirianët, por edhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare është e vendosur ta ndihmojë këtë popull për të rigjetur paqen përmes takimit, diskutimit, dialogut. Ne të krishterët duhet të lutemi, sepse Zoti ka thënë: “Pa mua s’mund të bëni asgjë!”. Nuk duhet ta përjashtojmë Zotin nga tryeza e bisedimeve! Prej këndej, zëri i Atit të Shenjtë, i cili na kujton se duhet të lutemi çdo ditë për Sirinë, më duket zë, që duhet dëgjuar, e jo vetëm për këtë situatë. E dimë se në botë ka shumë konflikte të tjera, të mëdha e të vogla. Ka shumë vuajtje. Shumë vdekje. E dimë se njerëz të veçantë e popullsi të tëra vuajnë në situata nga më të ndryshmet. Besoj, prandaj, se zëri i Papës duhet dëgjuar në të gjitha situatat e ngatërruara. E edhe në këtë të krijimit të strukturës së re të opozitës, që mund të hapë rrugën për një çast dialogu, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.