Kryetari i ri i Akademisë Latinità: kush ndjek rrugën e meshtarisë, duhet ta njohë
mirë latinishten.
Me njëMotu proprio, botuar këto ditë, Benedikti XVI themeloi Akademinë Papnore
Latinità (kushtuar gjuhës, kulturës, qytetërimit e traditës latine), që do të ketë
për detyrë, pohon ndërmjet tjerash Papa, t’i hapë udhën studimit të gjuhës zyrtare
të Kishës, e cila njihet gjithnjë më cektësisht edhe nga njerëzit e saj. Për
ta drejtuar Akademinë e re, Papa caktoi latinistin e shquar, profesor Ivano Dionigi,
Rektor i Alma Mater Studiorum – pranë Universitetit të Bolonjës. E pyetëm si e priti
detyrën e tij të re:
Përgjigje: - Me një ndjenjë mirënjohjeje të thellë,
duke e ditur nga kush vjen ky emërim. Besoj se sot, në këtë vend, që rrezikon të bjerë
në anoreksi kulturore, dhënia e ndihmesës në drejtime të ndryshme, ngritja e problemeve
dhe përpjekja për të dhënë ndonjë përgjigje, duke u nisur nga larg, e pse jo, edhe
nga latinishtja, duhet parë si shërbim që i bëhet bashkësisë së universitetit, e edhe
bashkësisë, në përgjithësi.
Pyetje: - Ju folët për anoreksi kulturore,
sëmundje nga e cila nuk shpëton as Kisha që, siç e theksoi kohët e fundit kardinali
Ravazi, rrezikon ta harrojë fare latinishten, kulturën, traditën e qytetërimin e saj.
A mund të na thoni ndonjë gjë konkrete për mënyrën si mendoni ta drejtoni Akademinë
e re, duke nisur, kështu, ecjen në kah të kundërt...
Përgjigje: - Mendoj
se hapi i parë është ripërfshirja e latinishtes në institutet rregulltare, posaçërisht
në seminare. Nuk mund as të mendohet që njeriu, për rrugë kah meshtaria, të mos e
njohë latinishten. E jo vetëm sepse në këtë gjuhë folën Etërit e Kishës, jo vetëm
pse ishte gjuhë universale, por sidomos sepse Etërit e Kishës edhe shkruan pikërisht
në gjuhën latine. Pastaj mendoj se duhet ndërtuar një urë me botën laike, e cila duhet
ta kuptojë se ka nevojë për kulturën klasike, jo vetëm atë latine, por edhe atë greke.
Duhet të përpiqemi, prandaj, ta rikthejmë trekëndshin Athinë-Jeruzalem-Romë, duke
përvetësuar trashëgiminë më të mirë, që na ka lënë. Është një pasuri e mirëfilltë,
shumë shpesh, krejtësisht e panjohur! Por pa të nuk mund të flitet për kulturë të
vërtetë, sepse përbën bazën e çdo fushe të zhvillimit të mendjes njerëzore! Mjafton
të kujtojmë mjekësinë!
Pyetje: - Në Motu proprio-n e vet Benedikti XVI
ringjall interesin për latinishten edhe në botën bashkëkohore hiperteknologjike: ç’përvojë
keni në këtë aspekt?
Përgjigje: - Më duket se jemi para rikthimit të
interesit për latinishten, për kulturën klasike, për letërsinë klasike. Një rikthim
që, të themi të drejtën, ka dy fytyra. Në njërën anë janë njerëzit, që e shikojnë
latinishten e kulturën klasike shtrembër, si simbol që ka të bëjë vetëm me dijetarët.
E kjo nuk është aspak gjë e mirë. Ana tjetër e problemit është përpjekja për ta shfrytëzuar
sa më shumë këtë gjuhë si dhe kulturën, që shprehet me këtë gjuhë. Duhet të rikthehemi
tek shkrimet klasike, me aktualitet tronditës. Pse duhet të rikthehemi? Sepse përballë
një letërsie me tekste shpesh tejet të varfëra, e varfëruese, një libër, si ai i
Agostinit, i Senekës, i Lukrecit, autorë që i bënë ballë kohës e modave, i flet njeriut
me një gjuhë, që sot nuk është më në gjendje ta përdorë, sepse me kulturë tejet të
varfëruar.
Pyetje: - Në një epokë, si kjo jona, kur flitet për marketing
të shkathtë, të shpejtë, larg kohëve të perënduara, kur s’njihej nxitimi, as vrapi
i ethshëm, si duhet vepruar, që latinishtja të vlerësohet jo vetëm në mjediset kishtare?
Përgjigje:
- Këtë mund ta them edhe me zë të lartë, duke theksuar se klasikët të mësojnë
të mendosh mirë, me mendimin e tyre të madhërishëm. Po unë po kufizohem vetëm me
një arsye, që mjafton plotësisht: në mos e bëfshim për kulturë, duhet ta bëjmë për
interes, për pasuritë kulturore. Mund ta përligjim domosdoshmërinë e mësimit të latinishtes
vetëm duke u nisur nga pasuria jonë kulturore. Pasuritë kulturore, i tërë Perëndimi
ynë, tërë arti, gjithë letërsia lidhen pazgjidhshmërisht me latinishten. Si mund të
vizitojmë një muzeum, të shikojmë një pikturë, një skulpturë, pa njohur latinishten...
Në se nuk e bëjmë për bindje, duhet ta bëjmë për interes. Kemi një pasuri të madhe
kulturore, që duhet njohur. E për ta njohur, duhet të formojmë njerëz, që e kuptojnë
këtë traditë e ua shpjegojnë edhe të tjerëve, me përfitim të madh njerëzor e kulturor.
Sepse kjo pasuri kulturore, mund të bëhet pasuri ekonomike e edhe mundësi për të hapur
vende të reja pune për të rinjtë.