Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Delbnishti
Nuk mund të flasim për rolin e Kishës katolike në lëvizjet për pavarësi, pa kujtuar
Delbnishtin. Po e fillojmë, prandaj, emisionin e tetë, pikërisht me njohjen e këtij
vendi, seli i kryeipeshkvit të Durrësit. Me rëndësi të madhe, Delbnishti e më gjërë
edhe Kurbini, ku, më 1641 u hap shkolla e parë shqipe, edhe kjo fare e lënë në harresë
nga historia moderne shqiptare, si të donte, për inat të Kishës katolike, të mohonte
vetë vlerat më të mëdha të Kombit. E vërtetojnë polemikat e fundit. Delbnishti
njihet që në lashtësi për Kishën e Shën Teodorit, rrënuar nga turku më 1478 e rindërtuar
në vitin 1851. Pikërisht pas këtij viti, Delbnishti u bë edhe më i njohur, sepse këtu
u ndërtua selia kryeipeshkvnore katolike e Durrësit, kthyer më pas në seli verore.
Shumë autorë të huaj, si Georg Von Hahn, Zhan Klod Faverial, Ludvig Von Thalloczy,
Edith Durham (te Brenga e Ballkanit), për të mos kujtuar të tjerë, e përshkruajnë
në veprat e tyre këtë vend të bekuar, oazë e vërtetë, me ujëra të freskëta e toka
të begata. E përshkruajnë edhe historianë vendas, si Atë Marin Sirdani në “Princnija
Kishtare e Kurbinit”; imzot Frano Illia në “Famullia e Milotit”, dom Mark Dushi në
“Tirana me rrethinat e saj”, Kastriot Marku në “Kishat e Kurbinit” e të tjerë, më
të vonë, që theksojnë qëndresën e banorëve në mbrojtjen e fesë katolike dhe të monumenteve
kishtare. Ndërtesë me tre kate, me njëqind dhoma, qendër, nga e cila vareshin tetëmbëdhjetë
famulli, nga Lura deri në Prevezë të Epirit, vatër kryesore e Kryengritjeve të viteve
1907-1911, që i paraprinë 28 nëntorit të 1912-tës, me në krye Gjin Pjetrin, bajraktarin
e Kurbinit, u ndërtua nga arkitektë venecianë në vitin 1859 e u dogj nga “heroi enverian”,
Haxhi Qamili. Gjithsesi, mbeti diçka, derisa erdhën mbasardhësit e atij, që luftonte
nën flamurin anadollak, e me klithmën “Dum baben!", i dhanë grushtin përfundimtar
mbetjeve të lavdishme të kësaj selie, librave e dokumenteve gjysëm, por jo plotësisht,
të djegura, të bibliotekës e të arkivit, jashtëzakonisht të pasur të selisë, me të
cilat, sipas dëshmive gojore, për një kohë të gjatë kishin luajtur fëmijët e fshatit.
U dërmua kështu, një pasuri e pallogaritshme dokumentore, që do të shërbente për të
rishikuar e për të rishkruar, pa mllefe, anatema e mohime, disa nga faqet më të rëndësishme
të Historisë së Shqipërisë. Këtu, e jo në Durrës, ishte dom Nikollë Kaçorri, në çastin
kur argjipeshkvi Bianki, për një mori arsyesh, e caktoi delegat të vetin në Vlorë.
Së pari, sepse, gjithnjë me leje të të Parit, ishte vënë prej kohe në krye të lëvizjeve
për Pavarësi; së dyti, sepse kryebariu nuk dëshironte e as që mund të largohej lehtë
nga grigja në gojë të ujkut, në Durrësin e rrethuar e, së treti, sepse dom Nikolla
mund të dilte lirisht nga Delbnishti e të nisej drejt Vlorës, ku e priste misioni
i madh e i shenjtë; të përfaqësonte në aktin e pavarësisë Kishën Katolike, ata që
u ngulën në hunj e u mbytën mizorisht nga turku ‘për Fe e Atme”. Nënshkrimi “Dom
Nikollë Kaçorri” në aktin e pavarësisë, ishte nënshkrimi i Kishës Katolike, i
të gjithë ndjekësve të saj, diplomatë, politikanë e, sidomos njerëz të thjeshtë, që
luftuan me pushkë në dorë, deri në flijimin e jetës, për Ditën e 28-tës. Po kujtojmë
këtu vetëm Dedë Gjo’ Lulin.