2012-11-14 16:43:11

Gjuha latine


Latinishtja është një gjuhë e lashtë indo-evropiane. Fillimisht u fol vetëm në zonën romake Latium (Lacio). U përhap si gjuhë zyrtare e Perandorisë Romake, pas pushtimit të një pjese të mirë të Evropës dhe të Afrikës Veriore. U bë, kështu, gjuhë universale e kulturës. Të gjitha gjuhët neolatine e kanë zanafillën tek latinishtja, që la gjurmë të ndjeshme edhe në gjuhët moderne, si aglishtja, italishtja, frëngjishtja, spanjishtja, rumanishtja, e jo më pak, edhe shqipja. E kjo, sepse edhe pas shembjes së Perandorisë romake të Perëndimit, për më se njëmijë vjet, latinishtja vijoi të përdorej si gjuhë kryesore e kulturës, e shkencës dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare në mbarë botën perëndimore. Si e tillë, ndikoi sidomos mbi letërsinë dhe diplomacinë, derisa një gjuhë tjetër u duk në horizontin e kulturës universale njerëzore, duke u bërë gjithnjë më tepër, gjuhë e shkëmbimit të mendimit në shkallë botërore: anglishtja. Gjuha esperanto, që përdoret edhe sot e kësaj dite, edhe me një program të veçantë në Radion tonë, nuk arriti të bëhet pronë e gjithë popujve, ndonëse lindi pikërisht për të lehtësuar shkëmbimin e vlerave të tyre kulturore.
Nuk duhet harruar se gjuha tjetër e madhe e kulturës së lashtë, është greqishtja e vjetër, me të cilën u shkruan disa nga kryeveprat e njerëzimit, që mbeten edhe sot e kësaj dite bazë për zhvillimin e dijes në të gjitha fushat.
Latinishtja ishte shumë e njohur në trevat ilire, edhe pse për një kohë të gjatë nën sundimin romak. Kemi, prandaj, një mori dokumentesh, që flasin latinisht për historinë e trojeve tona, shkruar në gur, në pergamenë, në letër. Por interesi për latinishten nuk humbi as në kohën e pushtimit turk: kjo gjuhë, njëherësh me greqishten e vjetër, njihej mirë sidomos nga kleri i krishterë ortodoks e katolik, që meshonte greqisht e latinisht. Prej këndej, pikërisht në shkollat e klerit katolik, u përgatiten përkthyesit më të mirë të latinishtes, duke krijuar një grup latinistësh të talentuar, të aftë për t’ua mësuar shqipen gjenive, që shkruan në gjuhën greke e latine. Po kujtojmë vetëm disa prej tyre: Frano Alkaj, atë Jakob Marlekaj, atë Viktor Volaj, atë Daniel Gjeçaj e të tjerë, të përgatitur ndër françeskanë; Pashko Geci, Henrik Laca, Pashko Gjeçi, Gjon Shllaku, Injac Zamputi, Mark Dema, Imzot Frano Illia, Martin Camaj, të përgatitur në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, pa harruar edhe greqistë të njohur, si Sotir Papahristo dhe poligloti gjenial, Eqrem Çabej. Traditë e ndritur, që meriton të përtërihet edhe në Shqipëri, për të njëjtat arsye, që na kujtoi profesori italian Ivano Dionigi.
Po sjellim këtu, për kuriozitet, vetëm dy shembuj të përdorimit të latinishtes, në Kishë e në Bashkësinë e Kombeve: lutjen e parë të të krishterëve, Atynën dhe Nenin e parë të Deklaratës universale të të drejtave të njeriut:Il Padre Nostro- Atyna
Pater Noster qui es in coelis:
sanctificetur Nomen Tuum;
adveniat Regnum Tuum;
fiat voluntas Tua,
sicut in coelo, et in terra.
Panem nostrum
quotidianum da nobis hodie;
et dimitte nobis debita nostra,
sicut et nos dimittimus debitoribus nostris;
et ne nos inducas in tentationem;
sed libera nos a malo.

Deklarata universale e të drejtave të njeriut
Universalis de iure hominum declaratio - Art.1
Omnes homines liberi aequique dignitate atque iuribus nascuntur. Ratione conscientiaque praediti sunt et ab aliis erga alios cum fraternitate se gerendum est.(Të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë në dinjitet e të drejta. Kanë arsye e ndërgjegje e duhet të sillen me frymë vëllazërore njeri me tjetrin)









All the contents on this site are copyrighted ©.