2012-11-13 14:50:59

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Dom Kaçorri, delegat i kryeipeshkvit Bianchi në Vlorë.


Po e fillojmë emisionin e shtatë kushtuar kontributit të Kishës katolike për Pavarësinë e Shqipërisë me një pyetje: pse u caktua Dom Nikollë Kaçorri si përfaqësues i kryeipeshkvit Bianchi?
Rikthehemi, për këtë, në vjeshtën e tretë të vitit 1912 sipas Kalendarit Gregorian, 1328 sipas kalendarit turk. Në këto ditë të turbullta Durrësi ishte krejtësisht i pasigurt, përplot me ushtarë turq, agjentë serbë e pasues të Esat Pashë Toptanit.
Po ndalohemi te përshkrimi që i bën Ismail Qemali arritjes në Durrës dhe nisjes për në Vlorë:
“... Meqenëse Vlora ishte nën bllokadën e flotës greke qeshë i lumtur që munda të zbres në Durrës. Aty gjetëm se po na prisnin dy anije luftarake greke qysh nga nata e mëparshme. Kapitani i anijes sonë, jo pa arsye, ishte shumë i shqetësuar. Po oficeri që erdhi në anijen t’onë, pasi bëri një shqyrtim të imtë e nuk gjeti tjetër, veç pak armë që kishnë me vete shokët e mij, na la të lirë të zbresim në Durrës.
Mësuam se populli në Durrës nuk dinte asgjë rreth ngjarjeve të fundit. I gënjyer nga lajmet e pakta që shpërndaheshin nga njerëz të interesuar, ata besonin se ushtria Turke ishte ngadhënjyese... Ata as që e dinin se Sërbët ishin prapa portës së tyre. Ardhja jonë shkaktoi një lëvizje të madhe në qytetin e Durrësit që u nxitëte nga ana e popullatës turke, të përkrahur nga një pjesë e popullit të vendit dhe emigrantët boshnjakë, që përhapnin lajmin se ne jeshëm agjentë provokatorë të armikut. Këto ndjenja të veçanta të një pjese të popullatës nuk e kishnë ndaluar Durrësin e krahinat mvartëse të caktonin përfaqësonjësit e tyre në Kongresin Kombëtar, të cilët u nisnë bashkë me mua dhe grupin e vogël të shqiptarëve të Bukureshtit për në Vlorë”.
Kjo është e gjithë veprimtaria e Ismail Qemalit dhe e shoqëruesve të tij në Durrës, siç na e ka lënë të shkuar ai vetë në kujtimet e tij, botuar së pari në revistën “Quarterly” në korrik 1917, si bazë e dy kapitujve të fundit të “Memorieve”, që u botuan në Londër në vitin 1920. Teksti është i përkthyer nga Reshat Agaj (Cfr. Bardhosh Gaçe, “Ata që shpallën pavarësinë, Kombëtare”, Shtëpia Botuese Naim Frashëri”, Tiranë, 1997, fq 169).
Dokumenti, që bëri aq bujë kohët e fundit lidhur me shpalljen e pavarësisë në Durrës, e jo në Vlorë, s’është tjetër, veçse akt rajonal. Vërteton një fakt logjik, të ditur: atë të shpalljes së Pavarësisë së Durrësit, e jo të gjithë Shqipërisë, më 26 nëntor. Paraprirë nga Elbasani, më 25, pasuar nga Tirana, më 27 e nga qytete të tjera shqiptare, njëri pas tjetrit (Cfr.Ledia Dushku, Pavarësia nuk u shpall në Durrës, dokumenti është akt lokal, Gazeta Shqip, 7 nëntor 2012)
Ndërkohë Ipeshkvi ndodhej në Durrës, në krye të grigjës së tij, ndërsa famullitari i Durrësit, në Delbnisht, a Delbinisht, seli e kryeipeshkvit të Qytetit Bregdetar, të cilin e kujtuam edhe më lart. Duhet të jetë bashkuar me delegatët, duke ndjekur një rrugë tjetër, me që në Durrës ishte në rrezik të arrestohej. Ndoshta prandaj Plaku i Vlorës nuk e përmend me emër, ndërmjet delegatëve të Durrësit, atë që do të ishte krahu i tij i djathtë në Vlorë. Në emisionin e tetë, Delbnishti dhe vendi i tij në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për pavarësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.