Papa në Shtëpinë-Familje të Shën Egjidit: mosha e shkuar është dhuratë e bukur, që
duhet vlerësuar.
Me rastin e Vitit Evropian të plakjes aktive dhe të solidaritetit ndërmjet breznive,
Benedikti XVI shkoi sot paradite për vizitë në Shtëpinë-Familje “Rrofshin pleqtë”,
të Bashkësisë së Shën Egjidit, rrethuar nga blerimi i kodrës romake Xhanikolo, prej
nga mund të soditet një panoramë e jashtëzakonshme. Shumë e ngrohtë, pritja e
edhe më i ngrohtë, fjalimi drejtuar banorëve të familjes. Që në fjalët e para u ndje
fort afërsia ndërmjet mikut e mikpritësve: “Vij ndërmjet jush si Ipeshkëv
i Romës, por edhe si i moshuar, në takim me bashkëmoshtarët. E tepërt, të them se
i njoh mirë vështirësitë, problemet dhe kufizimet e kësaj moshe; e edhe se e di që
këto vështirësi, për shumëkënd, u thelluan më tej nga kriza ekonomike”. Shqetësimet
e kohës i shtohen trishtimit, që shpesh shoqëron kujtimet e së kaluarës, në sa dihet
mirë se kjo fazë është perëndim i jetës. Por nuk duhet t’ia lejojmë kurrë vetes të
zhytemi në trishtim, të vdesim, pa na ardhur ende ora. Pleqëria nuk duhet parë si
gjë e shëmtuar. Përkundrazi, u dha zemër të moshurave Papa, dhe shtoi: “Dëshiroj
t’ju them me bindje të thellë: është gjë e bukur të jesh i moshuar! Në çdo moshë duhet
të dish të zbulosh praninë, bekimin e Zotit dhe pasuritë, që nuk i mungojnë asnjë
stine të jetës”. Të jetosh është gjë e bukur, edhe me ndonjë ligështim,
shtoi Papa, a ndonjë kufizim. Jeta e gjatë është bekim i Zotit, dhuratë që duhet çmuar
e vlerësuar, pavarësiht nga shoqëria, ku sundon logjika e aftësisë për punë dhe e
fitimit. Një shoqëri e tillë i shikon pleqtë si njerëz që nuk janë më në gjendje
të prodhojnë pra, si të kotë, të panevojshëm: “Shumë herë ndjehet vuajtja
e atij, që përjashtohet nga radhët e shoqërisë, që jeton larg shtëpisë së vet, në
vetmi. Mendoj se duhet punuar me impenjim më të madh, duke nisur nga familjet dhe
institucionet publike, për t’u siguruar të moshuarve mundësinë ta kalojnë pleqërinë
në vatrat e tyre”. Cilësia e një shoqërie, e një qytetërimi, vijoi Benedikti
XVI, gjykohet pikërisht duke u nisur nga mënyra si i trajton pleqtë, e nga vendi,
që u cakton në gjirin e jetës së përbashkët: “Kush u hap vend pleqve,
i hap vend jetës! Kush i mirëpret pleqtë, mirëpret vetë jetën!”. Prej këndej,
me vlerë roli i Bashkësisë së Shën Egjidit, që ka hapur shtëpi-familje në Romë e në
botë, duke ndihmuar njerëzit të kuptojnë se Kisha është familje, ku secili e ndjen
veten si në shtëpi të vet, ku mbretëron logjika e shërbimit pa interes e dashuria,
jo etja për fitime e për pasje. Kështu, kjo vizitë e Papës, në kuadrin e Vitit
evropian të plakjes aktive e të solidaritetit ndërmjet breznive, ishte edhe mënyrë
për të pohuar se pleqtë nuk janë barrë, por vlerë, për shoqërinë e për të rinjtë: “Nuk
mund të ketë rritje, as edukim të njeriut, pa lidhjen frytdhënëse me të moshuarit,
sepse vetë jeta e tyre është si një libër i hapur, në të cilin breznitë e reja mund
të gjejnë këshilla të çmuara për udhën e tyre”. Gjithsesi nuk duhet fshehur,
vijoi Benedikti XVI, se në këtë fazë të jetës njeriu ka shumë nevojë për ‘shkopin
e pleqërisë”, domethënë, për ndihmë e dashuri: “Askush nuk mund të jetojë
vetëm e pa ndihmë; njeriu është lindur për të krijuar lidhje me të tjerët. Në këtë
shtëpi shikoj, me kënaqësi, se ata që ndihmojnë e ata që ndihmohen, formojnë një familje
të vetme, që ka si limfë jetike, dashurinë”. E duke iu drejtuar pleqve,
Papa u besoi një detyrë të rëndësishme: “Bëhuni ndërmjetësues pranë
Zotit, duke u lutur me fe të gjallë. Lutuni për Kishën, edhe për mua, për nevojat
e botës, për të varfërit. Lutuni që në botë të mos ketë më dhunë. Lutja e pleqve mund
ta mbrojë botën, duke ndihmuar ndoshta më tepër se përpjekjet e shumëkujt. Dëshiroj
t’ia besoj sot lutjes suaj Kishën e paqen në botë”. Papa ju do, përfundoi
Benedikti XVI, e mbështetet tek ju: “Dijeni se Zoti ju do e përpiquni
të çoni në këtë shoqëri, shpesh tepër individualiste e efiçentiste, një rreze të dashurisë
së Tij. E Zoti do të jetë përherë me ju e me ata, që jua zgjasin jetën me dashurinë
e tyre e me ndihmën e tyre”.
Ndërsa vijonte vizita e Benediktit XVI,
duke folur në mikrofonin tonë, zëdhënësi i Bashkësisë së Shën Egjidit, Mario Maraziti,
theksoi se Shënegjidasit e të moshuarit e tyre e pritën Papën me shumë entuziazëm,
duke e ditur se:
Përgjigje:
- Ai e zgjodhi këtë vizitë, për t’i drejtuar një mesazh të çmuar njerëzimit,
mbi një temë tejet të rëndësishme, në një botë ku jeta deri në moshë të shtyrë është
fitore; ku njerëzit vijojnë të jenë plot gjallëri edhe me kalimin e viteve, por edhe
ku, për fat të keq, të moshuarit nuk gjejnë shumë përgjigje për pyetjet, që i shqetësojnë.
E që nuk janë të pakta. Me urtinë e tij, me humanizmin, me frymën ungjillore, Papa
e përdori këtë rast për ne, për të kaluar disa çaste në këtë familje të pazakontë,
çaste që nuk mund të mos jenë edhe mesazh i madh për botën.
Pyetje:
- Si i ndjek bota tematikat, vënë sot në dukje nga Papa, gjatë vizitës në një
shtëpi të moshuarish me emrin kaq domethënës: “Rrofshin pleqtë”?
Përgjigje:
- Bota perëndimore e shikon çdo vit jete më shumë, si fitore të madhe. Të gjithë duan
të jetojnë më gjatë, por pastaj vjen pyetja më e vështirë: si mund të ndërtojnë një
jetë vërtet cilësore? Me kuptim? Si mund ta shfrytëzojnë këtë rast, që duhet parë
si bekim i madh, pa u rrezikuar ta shikojnë si mallkim? Jetojmë në gjirin e një shoqërie
kontradiktore, që ushqen kultin e rinisë së përhershme, që dëshiron ta zgjasë pambarimisht
jo vetëm jetën, por edhe rininë, mundësisht deri në në moshën njînd vjeçe e përtej.
Por kur fillojnë problemet e vërteta të moshës së shkuar, nuk di ç’të bëjë. Mendoj
se në botën e sotme perëndimore mungojnë përgjigjet e duhura për këtë temë. Madje
të moshuarit kanë nisur të shikohen gati-gati si të ishin barrë e rëndë për shoqërinë.
Në një shoqëri të pushtuar nga kriza, në këndvështrimet më të ndryshme të fjalës,
krijojnë gati-gati një situatë konflikti ndërmjet breznive. Brezi i ri nganjëherë
mendon deri se të moshuarit i rrëmbejnë vendet e punës. Atëherë pleqtë nisin të shikohen
shtrembër, padrejtësisht, duke mohuar atë, që krijuan, duke mos kujtuar se janë ata,
burim i mirëqenies, që gëzojnë sot të rinjtë. E duke harruar edhe, e sidomos, se,
në rastin më të mirë, asnjë nuk shpëton nga pleqëria, stina e bardhë e jetës. Prandaj
ishte e rëndësishme vizita e Papës: ofroi alternativa, propozime, shembuj. E
shtëpia që vizitoi është një nga këto shembuj, tregon se për të moshuarit ekziston
mundësia të jetojnë mirë, edhe kur nuk e gëzojnë më shëndetin e moshës së blertë.
Këtu njeriu mund të shikojë mundësi konkrete për të kaluar një pleqëri të shëndetshme,
të gëzuar, aktive.