2012-11-12 16:23:53

Në Spoleto të Italisë, shpallet e Lume Maria Luiza Prosperi


Në Spoleto të Italisë, u shpall e Lume Maria Luiza Prosperi, abateshë bendektine. Përfaqësues i Atit të Shenjtë në kremtimin solemn, ishte kardinali Anxhelo Amato, Prefekt i Kongregatës së Çështjeve të Shenjtorëve.
Geltrude Prosperi, siç quhej abatesha në shekull, lindi në Filjano të Kashës më 15 gusht 1799. Që e re, më 4 maj 1820, hyn në kuvendin e Shën Luçisë në Trevi, ku merr emrin Maria Luiza. Bëhet murgeshë shembullore, por vetëm pas mbërritjes së atit të saj të parë shpirtëror, Maria Luiza tregon për përvojën e saj mistike, për dialogun e saj me Krishtin, të tipit të Këngës së Këngëve. Në simbologjinë e vizioneve të saj, hasim shpesh Zemrën e Krishtit, qendër e përshpirtërisë popullore të viteve ‘800. Shpesh, çastet mistike në praninë e Jezusit, e linin pa frymë, të lodhur fizikisht, siç dëshmojnë simotrat benedektine, të cilat gjithsesi, nuk e kuptonin e madje e dënuan. Kur askush nuk e priste, më 1 tetor 1837, në moshën 38 vjeçare, u zgjodh abateshë e mbeti e tillë deri në vdekje, më 12 shtator 1847, vetëm dhjetë vjet më pas. Kuvendi, i zhytur në një gjendje të vështirë, u rimëkëmb prej saj. Së pari, Maria Luiza rivendosi respektimin e plotë të Rregullës Benediktine, duke dhënë vetë shembullin. E administroi kuvendin pa përdorur mënyra autoritare, por duke dëshmuar karizmën personale, duke i drejtuar motrat kah lutja, duke mos lejuar që ajo të bëhej shkel e shko, sa për të thënë. Edhe pak javë para se të vdiste, nga shtrati, kritikonte murgeshat që në drekë nuk lexonin Kushtetutën e urdhërit, u thoshte atyre që ndaleshin për muhabet në korridor të shkonin për të fjetur, vigjëlonte mbi orarin e korit e të tjera si këto, deri në ditën kur ndërroi jetë, më 12 shtator 1847. Kuvendi i saj u bë pikë referimi për banorët e varfër të Trevit, që aty gjenin ndihmë e shpëtim. Mrekullia për të cilën Kisha e njohu si të Lume, ka të bëjë me shërimin e me kthimin nga koma në jetë të një gruaje nga Folinjo, Karla Arkanxheli, e cila, gjatë meshës së Lumnimit, i dorëzoi kardinalit Amato një relike të Motrës Maria Luiza Prosperi.








All the contents on this site are copyrighted ©.