2012-11-12 16:21:57

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: askush nuk është aq i varfër, sa të mos ketë ndonjë gjë për të dhuruar.


Në Ditën e Falënderimit të Zotit për të mirat, që na dhuron ditë për ditë, kremtuar dje në Itali, Benedikti XVI kujtoi, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, se jeta duhet t’i ketë rrënjët thellë në fe. E shtoi: “S’ka njeri aq të varfër, sa të mos ketë asgjë për të dhuruar”.RealAudioMP3

Vëmendja e Papës dje u përqendrua mbi dy gra tejet të varfëra, por me besim të patundur në Zotin, mbi dy vejusha, protagoniste të liturgjisë së Fjalës së Zotit, përmes dy episodeve biblike, burim i një mësimi të çmuar mbi fenë. Këtë e nënvizoi posaçërisht Benedikti XVI e, në vijim, u ndalua tek e para. Është gruaja, që përjeton kohën e tmerrshme të zisë së bukës. Ndonëse i ka mbetur vetëm një dorë miell e një pikë vaj, nuk ngurron të gatuajë atë, që mendon se do të ishte dhurata e fundme e jetës: një pogaçe. Jo për vete. Për Elinë Profet. E shpërblehet menjëherë, me një shpërblim të mrekullueshëm: mielli nuk i mungon kurrë në magje e as vaji në rrëshiq.
Gruaja e dytë është ajo, që tërheq vëmendjen e Jezusit në Tempullin e Jeruzalemit, kur hedh në thesar dy monedha të shkreta; e megjithatë, para syve të Zotit, lëmosha e saj është shumë më e çmuar se lëmoshët e të pasurve, sepse ka dhuruar gjithçka kishte mbas shpirtit. Kështu dy vejushat bëhen modele të fesë, që shprehet, theksoi Papa:
“Si sjellje shpirtërore e njeriut, i cili e bazon jetën mbi Hyjin, mbi fjalën e Tij e lëshohet i tëri në dorë të Zotit”.
Por kushti objektiv i nevojës nuk mjafton:
“Zoti kërkon gjithnjë bashkimin e lirë me fenë, e cila shprehet në dashurinë për Të e për të afërmin. Askush nuk është aq i varfër, sa të mos ketë ndonjë gjë për të dhuruar. E vërtetojnë dy vejushat tona, që e dëshmojnë fenë e tyre, duke kryer vepra mëshire”.
Dy gratë e veja, vijoi Papa, vërtetojnë, kështu, lidhjen e pakëputshme ndërmjet fesë e mëshirës, besimit e përdëllimit të krishterë, dashurisë për Zotin e dashurisë për të afërmin.
Duke cituar Shën Leonin e Madh, përkujtuar të shtunën e kaluar, Benedikti XVI vërejti:
Mbi kandarin e drejtësisë hyjnore nuk peshon sasia e dhuratave; peshojnë zemrat”.
E shtoi:
“Asnjë gjest mirësie nuk është pa kuptim para syve të Zotit, asnjë sjellje e mëshirshme nuk mbetet pa fryt”.
Ati i Shenjtë iu lut Virgjërës Mari, shembull i përkryer, që dhuron gjithë vetveten, duke i besuar plotësisht Zotit:
Maria e ndihmoftë edhe secilin prej nesh, në kët, Vit të Fesë, për të forcuar besimin në Zotin e në Fjalën e Tij”.
Benedikti XVI kujtoi dje edhe Ditën e Falënderimit të Zotit, si dhe temën e zgjedhur për këtë vit, në përkim me Vitin e Fesë:
“Beso në Zotin e bëj mirë: do të banosh në tokën e premtuar e do të jetosh në paqe”, temë që kërkon një stil jete me rrënjë në fe, për të pranuar me shpirt plot mirënjohje, se është dora e Zotit ajo, që i ushqen të bijtë e Tij”.
E, në fund të këtij mendimi, një përshëndetje e përzemërt për të gjithë bujqit. Përshëndetje tjetër e veçantë, ajo drejtuar besimtarëve polakë, të cilët dje kremtonin Festën e Pavarësisë. Kjo festë, u kujtoi Papa, ju sjell në mendje fenë e etërve tuaj, historinë, forcën e shpirtit të breznive, edhe të kohëve të reja, themele të fuqishme, mbi të cilat mund e duhet ndërtuar ardhmëria e atdheut tuaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.