Atë Lombardi për prirjet legjislative, që lejojnë martesa ndërmjet personave me të
njëjtin seks: duhet “një babë, një nënë”!
Më 6 nëntor, zgjedhësit e Merilendit dhe të Majnit në SHBA-të, votuan me referendum
në favor të martesës ndërmjet personave me të njëjtin seks. Në Minesota, referendumi
nuk ka pasur sukses, ndërsa në Uashington, rezultatet nuk dihen akoma me siguri. Kisha
Katolike reagon ashpër e kërkon përtëritjen e impenjimit për të forcuar e mbrojtur
jetën martesore e familjare, pavarësisht se thirrjet e saj për të mos shkuar kundër
natyrës, konsiderohen demodè nga shoqëria aktuale. Këto votime nuk janë zhvilluar
vetëm në SHBA-të, siç sqaron në komentin e tij javor, kushtuar këtij argumenti, zëdhënësi
i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi: “Gjatë ditëve të fundit kanë ndodhur
tre ngjarje shqetësuese përsa i përket legjislacionit mbi martesën. Në Spanjë, Gjykata
Kushtetuese refuzoi një padi, që kundërshtonte ligjin aktual, i cili nuk i përmend
aspak ndryshimet ndërmjet burrit e gruas, por flet thjesht për bashkëshortin A dhe
B; gjendja pra, mbetet kështu siç është. Në Francë, qeveria paraqiti një projektligj
për transformimin e martesës, në mënyrë që në të, të përfshihet edhe martesa homoseksuale.
Në SHBA-të, disa referendume, mbajtur njëkohësisht me zgjedhjet presidenciale në shtete
të ndryshme, për herë të parë, u shprehën në favor të martesave homoseksuale. Është
pra e qartë, se në vendet perëndimore ka një prirje të përhapur për ta ndryshuar këndvështrimin
klasik të martesës ndërmjet burrit e gruas, apo më mirë të themi, për ta braktisur
këtë këndvështrim, duke hedhur poshtë njohjen ligjore të veçantë e të privilegjuar,
që gëzonte kjo martesë në krahasim me format e tjera të bashkimit. Nuk
është ndonjë gjë e re. E kishim kuptuar qëkur. E megjithatë, kjo nuk resht së na çudituri.
Sepse duhet të pyesim nëse përkon vërtet me ndjenjat e popujve e, nuk kuptohet cila
është logjika e gjithë kësaj në perspektivën afatgjatë të së mirës së përbashkët.
E nuk e thotë vetëm Kisha Katolike; e vuri në dukje me forcë – për shembull – Rabini
i Madh i Francës në një dokument shumë të argumentuar. Në fakt, nuk është fjala për
të shmangur diskriminime të padrejta ndaj homoseksualëve, pasi kjo duhet e mund të
garantohet fare mirë në mënyra të tjera. Është fjala për të pranuar që dhëndërri e
nusja duhet të njihen publikisht si të tillë dhe që fëmijët e ardhur në botë ta dinë
e të mund të thonë se kanë një babë dhe një nënë. Pra, kemi të bëjmë me ruajtjen e
botëkuptimit mbi njeriun dhe mbi marrëdhëniet njerëzore, për të cilat njohja publike
e martesës monogamike ndërmjet një burri e një gruaje është fitore qytetërimi. Nëse
s’është kështu, përse të mos lejojmë edhe poligaminë, nëse kjo zgjidhet lirisht e,
natyrisht, për të mos diskriminuar, pse jo edhe poliandrinë? Prandaj, askush nuk duhet
të presë që Kisha të mos i propozojë shoqërisë t’i njohë një vend të veçantë martesës
ndërmjet një burri e një gruaje”.