2012-11-10 12:11:31

Shenjtorët e javës


E diel 11 nëntor, Kisha kremton të dielën 32-të gjatë vitit, e gjithnjë sot më 11 nëntor, përkujtohet edhe festa e shën Martinit, ipeshkëv i Turit dhe shën Bartolomeut, abat i Grotaferratës. Liturgjia e kësaj dite na kujton se kush jeton për Zotin, dhuron gjithnjë me duar plot e nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.

Të hënën më 12 nëntor kalendari përkujton shën Jozafatin Kuncewicz, ipeshkëv e martir, shën Diegon, laik françeskan. Liturgjia e ditës na kujton se nxënës i vërtetë i Krishtit nuk është ai që e pret në mënyrë pasive kthimin e Zotit, por ai që bëhet shërbëtor i palodhur i mbretërisë së qiellit.

Të martën më 13 nëntor, kalendari përkujton shën Nikollën I papë e shën Agostina Pietrantonin, virgjër. Këta na kujtojnë se Jezusi i jep tri porosi atij njeriu që dëshiron ta ndjekë pas: të mos largohet kurrë nga Zoti, të falë e të lypë dhuratën e fesë. Besnikëria ndaj këtyre tri porosive sjell fryte që nuk mund as të përfytyrohen.

Të mërkurën me 14 nëntor bie përkujtimi i shën Serapionit, ipeshkëv i Aleksandrisë. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi na mëson të kënaqemi sepse jemi me Të e jo sepse bëjmë ndonjë gjë. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë, nuk i mungojnë njeriut që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.

Të enjten me 15 nëntor kalendari përkujton shën Albertin e madh, ipeshkëv e doktor i kishës, rregulltar domenikan dhe shën Jozefin Pinjateli, meshtar jezuit. Figurat e tyre na kujtojnë se Jezusi shëroi shumë të gërbulur, po vetëm njëri u kthye ta i krishteri i vërtetë duhet ta pranojë çdo çast pushtetin e Zotit mbi jetën e tij e duhet të jetë i vetëdijshëm se është Hyji ai, që na prin drejt të mirave të jetës së amshuar.

Të premten më 16 nëntor kalendari kishtar kujton shën Margeritën e Skocisë dhe shën Gjeltruden, virgjër benediktine. Liturgjia e ditës duke folur për ngjarjet e tmerrshme që çuan në shkatërrim Sodomën, na kujton se duhet të jemi gjithmonë gati për ardhjen e dytë të Zotit.

Të shtunën më 17 nëntor kalendari kujton shën Elizabetën e Hungarisë, terciare françeskane. E pra vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.

Të dielën e ardhshme më 18 nëntor do të kremtojë të dielën e 33-të gjatë vitit liturgjik, e gjithnjë më 18 nëntor kalendari kujton edhe përvjetorin e Shugurimit të Bazikës vatikanase (1626) dhe të Bazilikës ostiense (1854). Kjo festë kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjajë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit.







All the contents on this site are copyrighted ©.