2012-11-09 15:53:30

Papa Interpolit: të forcohet bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit dhe kriminalitetit.


Shoqëria e drejtë kërkon edhe rendin, për sigurimin e bashkëjetesës paqësore. Këtë nënvizoi Papa në audiencën e sotme me asamblenë e përgjithshme të Interpolit, që ka mbledhur në Romë përfaqësuesit e organizmave të policisë, ardhur nga të 190 shtetet anëtare, ndërmjet të cilave, që nga vitit 2008, figuron edhe Vatikani. Papa dënoi ashpër fenomene si terrorizmi dhe kriminaliteti i organizuar që, theksoi, fyejnë rëndë mbarë njerëzimin. Në takim, përveç krerëve më të lartë të Interpolit, mori pjesë edhe ministrja e jashtme i Italisë, Anna Maria Kançelieri.

Është detyrë t’i kundërvihesh krimit në fushën e rregullave morale e juridike, pa harruar kurrë se veprimtaria kundër kriminalitetit duhet të ketë parasysh respektimin e të drejtave të njeriut. Ky është një nga fragmentet kyçe të fjalimit të Benediktit XVI drejtuar Asamblesë së Interpolit, të cilën e quajti “mbrojtëse e sigurisë ndërkombëtare”.
Në fjalimin e tij Papa kujtoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e krimit. Më pas u ndalua tek format e ndryshme të dhunës në epokën tonë, pas shpresave të mëdha, që pati ngjallur përfundimi i Luftës II Botëore.

Format më të rënda të veprimtarisë kriminale, tha Papa, janë ato të terrorizmit dhe të kriminalitetit të organizuar. Terrorizmi, denoncoi, është një nga format më të egra të dhunës, mbjell urrejtje, shkakton vdekje, ushqen etje për hakmarrje. E, në vijim nënvizoi: ky fenomen, me strategji armiqësore tipike për disa organizata ekstremiste, i shndërruar në një rrjet të errët, në të cilin nuk mungon gishti i politikës, përdor edhe mjete teknike të rafinuara, shfrytëzon burime të pasura financiare e harton plane në shkallë të gjerë botërore.

Kriminaliteti i organizuar përhapet në mjediset e jetës së përditshme e, gjithnjë më shpesh, vepron e godet në errësirë, jashtë çdo rregulle. Papa dënoi posaçërisht tregtimin e njerëzve, duke e parë si formë moderne të skllavërisë, e jo më pak, edhe trafikun e ilaçeve, të përdorura kryesisht nga të varfërit; ilaçe, që nuk shërojnë, por vrasin. E një tregti e tillë është edhe më e urryer, kur ka të bëjë me organet njerëzore të viktimave të pafajshme. Këto krime, vërejti Ati i Shenjtë, shkelin kufijtë moralë të qytetërimit dhe ripropozojnë një formë barbarie, që e mohon plotësisht dinjitetin e njeriut. Ripohoi, më pas, se dhuna është gjithnjë e papranueshme, sepse plagos thellë dinjitetin njerëzor dhe përbën një fyerje të rëndë për mbarë njerëzimin. Por, shtoi Papa, të mos harrojmë kurrë se kur i kundërvihesh krimit, duhen respektuar gjithnjë të drejtat njeriut.

Lufta kundër dhunës, nënvizoi Benedikti XVI, nuk duhet të synojë vetëm zhdukjen e krimit dhe mbrojtjen e shoqërisë, por edhe riedukimin e kriminelit, që nuk duhet përjashtuar, por duhet rikthyer në rrugë të drejtë. Njëkohësisht, vijoi Papa, bashkëpunimi ndërkombëtar kundër kriminalitetit nuk duhet shikuar vetëm në këndvështrimin e veprimtarisë së policisë. Është themelore që, njëkohësisht me veprimtarinë për zhdukjen e krimit, t’i kushtohet vëmendje e dorës së parë përjashtimit të njerëzve nga radhët e shoqërisë e edhe varfërisë, që mund të ushqejnë dhunën. Prej këndej, duhet punuar për krijimin e kushteve të përshtatshme, që i venë pritë lindjes dhe zhvillimit të krimit e të kriminalitetit.

Dhunës e krimit, ripohoi Papa, nuk mund t’i përgjigjen vetëm forcat e rendit. Për këtë duhet të bashkëpunojnë të gjitha subjektet, që mund t’i kundërvihen këtij fenomeni. Ta zhdukësh dhunën, vijoi Benedikti XVI, është një impenjim, që duhet të përfshijë jo vetëm institucionet dhe organizmat përkatëse, por mbarë shoqërinë, edhe realitetet fetare. Secili, përfundoi Ati i Shenjtë, ka rolin e tij të veçantë e përgjegjësinë e tij në përpjekjen për ndërtimin e ardhmërisë me drejtësi e paqe. Në çastin e përshëndetjeve, Papa i shprehu mirënjohjen e tij Interpolit për bashkëpunimin me Xhandarmërinë e Vatikanit, posaçërisht në rastet shtegtimeve apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.