Me 9 nëntor kalendari kujton shugurimin e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran.
Me 9 nëntor kalendari Kishtar përkujton shugurimin e Bazilikës së Shën Gjonit në
Lateran, katedrale e Romës. Në aktet e martirizimit të Shën Justinit e shokëve
të tij, shkruhet: “Pyeti atëherë prefekti Rustiko: ‘Ku mblidheni?”. Justini u përgjigj:
“Ku mundemi e ku na pëlqen; ti kujton se ne mblidhemi të gjithë në të njëjtin vend,
por nuk është ashtu, sepse Zoti i të krishterëve, që është i padukshëm, nuk mund të
mbyllet në një vend të vetëm; ai mbush përplot qiellin e tokën, prandaj nderohet e
lumnohet kudo nga ata që besojnë në Të”. Duke dhënë këtë përgjigje të guximshme,
Shën Justini përsëriste para gjykatësit, atë që Jezusi ia kishte thënë Samaritanes:
“Më beso mua, grua, po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në
Jerusalem. Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi
vjen prej judenjve. Por po vjen koha – e tani është, kur adhuruesit e vërtetë do ta
adhurojnë Atin në shpirt e në vërtetësi” (Gjn. 4, 21-24). Festa e sotme, që na
kujton ditën kur Bazilika e Lateranit iu kushtua Shëlbuesit, sigurisht që nuk i kundërvihet
dëshmisë së Shën Justinit, e aq më pak Fjalës së Krishtit. Pa harruar se i krishteri
e ka për detyrë të lutet kudo e kurdoherë, që në kohët e para të krishterimit u ndje
nevoja për t’u mbledhur në vende ku besimtarët mund të luteshin, të shpallnin Fjalën
e Zotit dhe të rijetonin së bashku vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, duke vënë në
jetë fjalët e Tij: “Merrni e hani të gjithë; merrni e pini të gjithë; bëjeni këtë
në përkujtimin tim!” Fillimisht këto takime bëheshin ndër shtëpi private, edhe
sepse Kisha nuk njihej nga autoritet perandorake. Por kjo njohje do të arrihej shumë
shpejt e bashkë me të, do të fillonte edhe ndërtimi i vendeve të kultit të krishterë,
ndërmjet të cilëve, tempujt më madhështorë të krishterimit: Bazilika e Shën Gjonit
në Lateran, e Shën Pjetrit në Vatikan, e Shën Palit në Ostiense dhe e Shën Marisë
së Madhe në Eskuilin. Bazilika Lateranense u themelua nga Papa Melkiadhi (311-314)
në trojet e dhuruara nga perandori Kostandin pranë Pallatit Lateranens, asokohe seli
perandorake, më pas seli papnore. Lindte kështu ‘Kisha nënë e të gjitha kishave të
Romës e të Botës’. Më pas bazilika u shkatërrua disa herë e disa herë edhe u rindërtua.
Në këtë Kishë dhe në Pallatin Lateranens (sot seli e Vikariatit të Romës) u kremtuan
pesë koncile kishtare, përkatësisht në vitet 1123, 1139, 1179, 1215 e 1512. Bazilika
e Shën Gjonit në Lateran, simbol i fesë të të krishterëve të shekujve të parë, që
kishin nevojë të mblidheshin në një vend të përbashkët e të shuguruar për të kremtuar
Fjalën e Zotit dhe Misteret e Shenjta, mbetet simbol i të krishterëve të të gjitha
kohërave, pa harruar se tempulli i gjallë e i vërtetë i Hyjit duhet të jemi ne vetë”.