Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit Kishtar ‘B’
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të
dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore
të dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik
kishtar. Lum të varfrit në shpirt: e tyre është mbretëria e qiejve. Nëse dashuria
është urdhri i parë, thjeshtësia e zemrës e transparenca e jetës janë kushtet themelore
për të vërtetuar autenticitetin. Këtë të diele Jezusi na ndihmon duke tërhequr vëmendjen
tonë jo aq mbi atë që bëhet bërë, as mbi sa duhet bërë, por mbi atë se “SI” duhet
bërë apo vepruar, pra mbi cilësinë e dhuratës e të bujarisë sonë. Sa e duam
Zotin? Aq sa e duam të varfrin, atë që ka nevojë për ne, të huajin, emigrantin,
të mënjanuarin dhe e ndihmojmë falas, me respekt e dashuri. Sa e duam të afërmin?
Aq sa e duam Zotin dhe kemi besim në Të. Shembull i kësaj janë dy gratë vejusha
për të cilat na flet Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, duke na paraqitur
shembullin e tyre. Dy e vejushat e varfra, janë të afta të dhurojnë veten e gjithçka
kanë: mikpritja e vejushës së parë shpërblehet, kompensohet nga mrekullia e Elisë
profetë ( për çka flet leximi i parë nga Libri i parë i Mbretërve 17,10-16) dhe bujaria
e përvujtë e vejushës së dytë që meriton lëvdatën e jashtëzakonshme nga Jezusi ( për
çka flet pjesa ungjillore kësaj së diele marrë nga Marku 12,38-44).
Këto dy
gra të veja në aftësinë e tyre të dhurimit, të bujarisë, të zemërgjerësisë së tyre
janë figura shprehin shembullin e Krishtit, i cili ka ofruar e dhuruar vetveten një
herë e përgjithmonë për shëlbimin e njerëzimit, pra për çlirimin e njerëzimit nga
egoizmi, robëria e mëkatit dhe e vdekjes e përjetshme.
Sjelljet, pra shembulli
i dy vejushave që na propozon Liturgjia e Fjalës, bëhen mësim themelor për të jetuar
fenë e krishterë, e këndej janë objekt i lutjes së Meshës së kësaj të diele. Në të
vërtetë në lutjen e dytë të Meshës ne, si besimtarë, i kërkojnë Zotit ndihmë në mënyrë
që “…të gjithë të mësojmë të falim, të mësojmë të dhurojmë sipas shembullin të Atij
që ka dhuruar vetveten…”.
E veja e parë na përshkruhet në leximin e parë të
kësaj së diele, në Librin e parë të Mbretërve: Elia nuk heziton as nuk ka frikë ti
kërkojë gjithçka i mbetët kësaj vejushe për mbijetesë e ajo i beson profetit dhe i
dhuron gjithçka kishte. Në këtë gjest ajo bëhet simbol i atyre që janë të aftë ti
besojnë Zotit e të mbështeten në Fjalën e Tij Hyjnore, përkundra të gjitha vështirësive
të jetës.
Kështu, leximi i dytë nga Letra e Hebrenjve ( Heb 9.24-28): na paraqet
Krishtin si ndërmjetësuesin e vetëm ndërmjet njerëzve dhe Zotit sepse Ai i ka ofruar
e dhuruar vetveten Atit Qiellor, njëherë e përgjithmonë për shpëtimin e çdo njeriu.
Në këtë dhurim të vetëm e përfundimtar Jezusi bartë me vete mbarë njerëzimin, i cili
tani mund të shpresojë në përqafimin e Atit Qiellor.
Edhe e veja, për të cilën
flet pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku 12.38-44, lëvdohet nga Jezusi jo
për ofertën e saj të vogël e të pakët që fali në tempull, por sepse ka dhënë “gjithë
atë që kishte për të jetuar”: kjo fjali përmbledhë dhe pasqyron gatishmërinë e plotë
të kësaj gruaje të varfër, e cila në pikërisht atë dhuratë të vogël, ajo që fali e
dhuroi tërë vetveten për varfrit . Për këtë arsye ajo bëhet shenjë e dashurisë së
Zotit.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na flet për një realitet
që duket se është harruar nga shoqëria jonë bashkëkohore e pasur, e ngopur dhe çorientuar.
Përmes Fjalës së Tij, Zoti na orienton drejt vlerave të vërteta njerëzore e shpirtërore
siç është besimin në Provaninë Hyjnore e solidariteti, fryt i fesë së vërtetë e të
gjallë në Hyjin dhe dëshmi e bujarisë ndaj të varfërve.
Një grua e vejë e
Sareptës e dhuron bukën e mbramë që kishte. Një tjerë grua e vejë e Jerusalemit e
dhuron paranë e fundit. Dy gra, të varfra, pa identitet, pa emër, të lënduara në dashuri,
e dorëzojnë jetën e tyre. Në Sareptë përgjigja është një mrekulli, buka e pashtershme,
buka që nuk ka të mbaruar. Në Jerusalem nuk ka kurrfarë mrekullie. Mirëpo mrekullia
tashmë ka ndodhur, dhurimi i copës (pjesës) së mbramë të jetës: sepse të japësh do
të thotë jetosh, të mbash për vete do të thotë të vdesësh.
Gjesti që dy gratë
bëjnë është diçka e palogjikshme, nuk është punë e mençur. Nuk është mençuri të hedhësh
paratë e vogla që ke në thesarin e tempullit, por është shkandull e shkëndijë shprese. Kësaj
gruaje nuk ia dimë as emrin, nuk ia njohim as fytyrën, as sytë e saj, por ia njohim
zemrën e saj, me rrahjet e veta të çuditshme, ato të vetmisë, të varfërisë, por edhe
të shpresës. Shpresa e dëshpërimit të atij që e provokon Zotin e gati gati e detyron:
unë kam menduar në Ty, të kam konsideruar e trajtuar si thesarin e gjënë më të rëndësishme
të jetës sime. Tani të takon Ty të mendosh për mua.
Jezusi, ulur, vështron
se si njerëzit hidhnin monedha në thesarin e tempullit. Vështron jo sa jepnin, por
si i dhuronin ofertat. Jezusi nuk shikon sasinë por me sa zemër e bëjnë gjestin e
bujarisë e të dashurisë, me sa vërtetësi e zemër të pastër dhurojmë e ndihmojmë të
tjerët. Zotit nuk i jepet as shumë, as pak, as asgjë, por gjithçka.
Liturgjia e Fjalës së Zoti
Leximi i parë 1 Mbr 17, 10-16
Çfarë
duhet të admirojmë më shumë në këtë pjesë: besimin e profetit Elia apo bujarinë e
vejushës së shkretë që heq dorë nga ushqimi i pakët i mbetur për t’ia dhënë profetit?
Elia, njeri i Hyjit, pranon varfërinë e tij të thellë dhe i kërkon ndihmë një paganeje
për të vazhduar të jetojë. Ndërsa vejusha është e gatshme të japë të gjithë ushqimin
duke mos menduar për atë që do të ndodhë nesër. Kush ka dhënë gjithçka nuk habitet
kur merr gjithçka.
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve Në ato
ditë, Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua
të vejë duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrovë që të
pi.” Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem, më
sill edhe një kafshatë bukë në dorë!” Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin tënd,
unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po
i mbledh dy-tre dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin tim,
do ta hamë e do të vdesim.” Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak por shko e bëj siç
the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe
pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit:
‘Në tinar mielli s’do të mbarojë, në qyp vaji s’do të mbarojë – derisa të vijë dita
që Zoti të falë shi mbi tokë’.” Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo,
Elia dhe familja e saj për shumë ditë. Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit
nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë. Fjala e Zotit.
Psalmi
146 Lum skamnorët në shpirt: sepse e tyre është Mbretëria qiellore ---------- Zoti
e mban besnikërinë për amshim, u jep të drejtën të nëpërkëmburve, u jep ushqim
të uriturve. Zoti i çliron robërit. ---------- Zoti u jep dritën e syve të
verbërve, Zoti i ndreq të kërrusurit, Zoti i do të drejtët, Zoti i mbron
ardhacakët. ---------- U ndihmon bonjakëve e të vejave, ndërsa mëkatarëve
ua pështjellon udhët. Zoti do të mbretërojë për jetë, Hyji yt, o Sion, nga breznia
në brezni. ----------
Leximi i dytë Heb 9, 24-28 Kryepriftërinjtë
hynin në shenjtëroren e tempullit një herë në vit. Kur Jezusi, nëpërmjet kryqit hyn
në shenjtëroren e qiejve, veprimi i tij nuk mund të përsëritet: ndodh një herë e përgjithmonë.
Për historinë universale, vdekja e Krishtit është përmbysja më e madhe pas së
cilës njerëzimi nuk mund të kthehet prapa, dhe lufta e njerëzve bëhet një ringjallje
ashtu si ajo e Jezusit.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Krishti
nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shëmbëllesë
e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne
para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti
çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; - përndryshe i ishte
dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një
herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit
të vetvetes. Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen
gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve,
kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për
të qenë shëlbuar. Fjala e Zotit.
Ungjilli Mk 12, 38-44
Edhe
sot në mes nesh fshihen skribët që kërkojnë vendin e parë dhe të jenë të nderuar.
Sa herë edhe të krishterët kanë ngrënë lekët e të varfërve me pretekstin për të ndërtuar
një shtëpi lutjeje. Figura e vejushës që hedh ofertën e saj të mjerë në thesarin e
tempullit, do të tregojë urdhërimin e dashurisë së Hyjit. Hyji sheh zemrën.
Leximi
i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Ruajuni
prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin
tjerët në sheshe, të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. Ata
i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen
veçanërisht rreptë!” Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qittë para në
arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti
dy lepta, domethënë një të katërt të asit. Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet
dhe u tha: “Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë
të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej
skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.” Fjala
e Zotit.
Më shumë mbi programin tonë kushtuar liturgjisë së Fjalës së
Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu.........
Liturgjia
e sotme na fton të reflektojmë mbi domethënien e dhuratës: në qendër të leximeve është
figura e vejushës, që është simboli i atij që është i dobët dhe pa mbështetje. Një
grua vejushë ishte viktimë e kryelartësisë së më të fortit dhe keqbërësit. Është pikërisht
kjo figurë që bëhet simboli i atij që di të dhurojë me të vërtetë, sepse nuk dhuron
atë që ka, por atë që është në vetvete. Një grua shumë e varfër, në ungjill, hedh
në kutinë e ofertave dy qindarka, të gjitha ato që ka. Megjithëse ishin krejt të pavlera,
për gruan ishin gjithçka për atë ditë. I ofron Hyjit jo vetëm para, por vetë jetën
e saj. Nuk jep tepricat, por atë që ishte e domosdoshme për të. I varfër nuk është
ai që nuk ka asgjë, por ai që në dobësinë e tij bashkëndan me të tjerët atë që është
dhe atë që ka. I pasur nuk është ai që zotëron të mira materiale, por ai që beson
në këto të mira dhe ndihet i vetëmjaftueshëm; Vejusha ka guximin të dhurojë gjithçka,
sepse e di se në Kë beson. Besimi i saj ka një forcë absolute: duke iu dorëzuar Zotit
është e sigurt për mëshirën e tij. Ajo dhuron një zemër të pastër. Ajo ofertë
materialisht e pavlerë është shpirtërisht themelore. Dhe me dinjitet përballon shikimet
e njerëzve që e gjykojnë. Gjithashtu vejusha nuk u tregon të gjithëve të mirën që
bën, sepse për të nuk është e rëndësishme aprovimi i njerëzve, por dashuria që ndjen
brenda vetes.
Lutu me Ungjillin
O Zot, bëj që të kuptojmë
që bamirësia kërkon sakrificë dhe jo hipokrizi.
Çliroje zemrën tonë
nga çdo interes në kryerjen e së mirës dhe na mëso të dhurojmë vetveten me
dashuri bujare dhe të lirë dhe tu ofrojmë shërbimin tonë vëllezërve për lavdinë
tënde.
Bëj që dëshmia jonë të mos jetë vetëm një shfaqje e jashtme, por
një shenjë e vërtetë dhe konkrete e dashurisë sonë drejt të afërmit.