Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Dom Kaçorri në Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë,
sipas dëshmive.
Në sa shkruante Historinë e Shqipërisë në gjuhën gjermane, për të sensibilizuar botën
për çështjen shqiptare, Atë Paulini, prof Margjokaj, historian i mohuar edhe ky, që
po del në dritë kohët e fundit, përveç dokumenteve të mbledhura në arkivat më në zë
të Evropës e të botës, shkëmbeu biseda e letra edhe me pjesëmarrësit e drejtpërdrejt
në ngjarjet me rëndësi jetike për Shqipërinë. Ndërmjet tyre, letërkëmbimi me Mustafë
Merlikën, nga i cili po shkëpusim këtë dëshmi: Në letrën e 29-të që i dërgon atë
Paulinit nga Ramlehu (Aleksandrí), datuar 11. 10. 51, duke iu përgjigjur pyetjes së
tij mbi fillimet e veprimtarisë atdhetare të Dom Kaçorrit, Merlika shkruan: “Ishem
tashmâ i njohun në gjithë prefekturën e Durrsit, Kruja m’adhuronte, ndonëse djalë
23- vjeçar. I a hyna propagandës e nji organizimi të fshehtë. Formova, në bashkëpunim
me dom Nikoll Kaçorrin, nji komitet revolucjonar me qêndër në Durrës me elementa intelektualë
të rij. .. Ishem 25 vjeç. Si muer fund kuvêndi u emnuesh nënprefekt i...
kryeqytetit ase në dash thuej prefekt e në dash guvernor, se krejt Shteti aso kohe
ishte vetëm ajo nënprefekturë. Mbas nja tre muejsh, Ismail Kemali më muer si sekretar
të kshillit ministruer. Ishem edhe “senator” ndër 12 qi zgjodh kuvêndi me funkcjon
konsultativ pranë qeverís së përkohshme, të kryesueme prej Ismail Kemalit vetë e ku
Kaçorri ishte nënkryetar”. Vjen pastaj letra e 24-t e Margjokajt, nisur nga
Graci, datuar 29 fruer 1952, me një pyetje për personalitetin e Kaçorrit: “5) Mons.
Kaçorri, me të cilin - si më ké shkrue perpara - keni pasë punë sa heresh, a âsht
kenë mâ fort italofil apor austrofil a por âsht kênë shqyptar i saktë si Ti e Luigji,
qi mendojn kryekrejet të mirën e atdheut pa u fiksue në nji idé: jo Italí; jo Austrí,
jo Francë e jo Gjermaní!”. Më pas, përgjigjja e Merlikës, ngaRamleh
(Aleksandrí), shkruar më 21.02. 1952: “Kaçorri ka mendue thjesht e vetëm
si mâ i kullueti Shqiptar idealist, e ashtu edhe ka veprue”. Ndërsa në
letrën e 53-të, shkruar më 21.1. 55 në Ramleh, Merlika shkruan: “Për Janinën
un nuk dij kurrgjâ të sigurtë, madje nuk dij veçse çança qi vijshin rrotull aso kohe
e që ishin në gojë të gjithë kundrështarë të Ismail-Kemalit. Dij qi ky ka dekun pa
ovull në xhep e qi në Vlonë pranë tij kanë qênë Luigj Gurakuqi, D. Nikoll Kaçorri
e sa patrijotë tjerë të panjollë”. Në letrën e nisur nga Grazi, me 25 fruer
1955, frati-historian i drejton politikanit, të pranishëm personalisht në të gjitha
ngjarjet vendimtare për historinë e Shqipërisë, një pyetje tjetër, vërtetë të rëndësishme:
“A ka pasun përnjimênd patrijotë shqiptarë në perjodën risorgjimentale (1878-1912)”. Nga
Ramlehu arrin përgjigjja, letra 55, datuar 15. 03. 1955: I dashuni miku im, A
ka pasun përnjimênd patrijotë shqiptarë në perjodën risorgjimentale (1878-1912) -
kështu po e quejmë atë perjodë, nemose sa për t’u marrë vesht-, apor ato shfaqje konkrete
qi na përgjithsisht quejmë patrijotizëm shqiptare kanë qênë efekt ndiesije fetare
ase propagande të përjashtme e manovrash të Shtetevet qi kishin interesë me krijuem
nji nacjonalizëm shqiptare? Kështu po e formuloj un këtë pjesë të letrës s’ate. Tý
po të shoh tepër shqeptik e pesimist për sa i përket ksaj pike. E nuk jam në nji mendin
me tý. Pra nuk besoj se mund të më marrin për zêmërbutë e optimist për të mêtat t’ona
ata qi më njohin. Un dij qi ka pasun shqiptarë myslimanë n’atë perjodë qi kanë vepruem
për të drejtat e kombit të tyne të shkeluna prej zotnuesit tyrk, orthodoks qi kanë
punuem kundra pretendimeve greke mbi toka shqiptare e për autoqefalín’ e kishës orthodokse
shqiptare. Jam i bindun se edhe katholiqt shqiptarë - flas për klasën e stërvitun,
në të gjitha këto pohime - s’kanë punuem vetëm si katholiq kundra nji sundimi mysliman,
por mâ par’ e mâ dalë si Shqiptarë. Për këtë bindje më ka ramë me pasun nji provë
tejet të bukur personalisht: Imzot Nikoll Kaçorri, pak kohë para kuvêndit të Vlonës
qi shpalli pavarsinë e kombit, në nji diskutim të fortë ndërmjet nji tube patrijotësh
ku merrsha pjesë edhe un e qi kishte për subjekt me kërkuem protekcjonin e Austro-Hungarisë
mbi nji Shqipní të shkëputun nga Tyrqija, i kundrështoi me tânë fuqin’ e djalektikës
e afshin e patrijotizmës së tij ksaj these, të parashtrueme prej nji myslimani, tue
shtuem edhe se nji protekcjon i Tyrqisë së dobët e të dënueme me e lëshuem, heret
a vonë, tokën e saj n’Evropë, i dukej mâ pak i rrezikshëm se ai i nji Austrije të
fortë, nga thonjt e së cilës ishte vështirë me shpëtuem mâ. Ka shtete të
hueja qi i kanë ndihun propagandës nacjonaliste shqiptare: Austro-Hungarija, Italija,
Rumenija, Bullgarija, Amerika e deri Egjypti, aktivisht ose pasivisht. Por do t’ishte
nji padrejtsí kundra vetes s’onë me besuem e me thânë se kanë qênë ato shtete krijuesat
e asaj propagande, t’asaj veprimtarije. Po edhe sikur të kenë qênë ato - qi për mue
s’kanë qênë- , duhet me pohuem se kanë gjetun ndër Shqiptarët tokë të butë për t’a
mbjellë propagandën e tyne. Nji mysliman besimtar, sikur mos t’ ishte edhe nji nacjonalist
i mirë, jo vetëm s’do t’i a kishte vûmë veshin propagandës së nji Shteti të krishtênë,
por do të kishte bâmë të kundërtën e këshilleve të tija. Sa për me u thyem me pare
a interesa tjetër faret, jo, se njihen njerëz qi do t’ishin gjindun shumë mâ mirë
me interesat e tyne tue i shërbyem Sulltanit babë, se tue i ramë ndesh e mohit. Sa
për Lidhjen e Prizrenit, nuk dij me të thânë mâ tepër sa ka shkruem Ippen-i në Ill.-
alb. Forschungen. Po shtoj vetëm nji komentim të vogël: myslimanët mâ fanatikë
të Shqipnisë, qi kanë qênë ata të qytetit të Shkodrës, u vranë me vllaznit myslimanë
t’ushtrisë së Dervish pashës për vllaznit shqiptarë t’Ulqinit”. Besojmë se
këto rreshta do t’i shërbejnë Historisë së ardhme të Shqipërisë e edhe asaj dore,
që do të marrë pendën për të hartuar një monografi të re të Imzot Kaçorrit, i cili
na foli prekshëm edhe me kthimin e tij të pazakontë në Atdhe, mbas një shekulli. ____ Bibliografi: Për
më shumë, kërko në internet në adresën “Nikollë Kaçorri”; shih Don Pren Kola “Imzot
Nikollë Kaçorri për mëvetësinë e Shqipërisë”, botuar tek revista “Shpresa e Prishtinës”
dhe tek “Zëri i Shën Nikollës”, në Velezhë të Prizrendit; lexo Bardhosh Gaqe, “Ata
që shpallën Pavarësinë Kombëtare”; SH.B. Naim Frashëri, Tiranë, 1977, Në faqen 84-86
është jetëshkrimi i Imzot Nikollë Kaçorrit, ku si datë lindjeje shënohet viti 1862
e jo 1868, dhe bibliografia, mbi të cilën u mbështet autori për jetëshkrimin. Shiko,
sidomos, Revistën ‘LEKA’ nr. 8-12, viti 1937, fq 395.Mund të shfletosh librin “Letërkëmbim”-Merlika-Margjokaj-1947-1958.
Botuar nga Camaj-Pipa në Shkodër, në vitin 2006, përgatitur nga Bashkim Merlika e
Daniela Dukagjini. Libri përmbledh 123 letra shkëmbyer ndërmjet Mustafë Merlikës e
Atë Paulin Margjokajt. Shkas i lindjes së këtij letërkëmbimi është interesimi i Fratit
për dëshmi e hollësira të jetuara, në sa shkruante historinë e Shqipërisë, në gjuhën
gjermane, dorëshkrimi i së cilës ruhet në Arkivin françeskan në Shkodër.