“Dom Nikolla shqipe mali/ Krahu i djathtë i Ismail Qemalit". (Popullore) Kaçorri
Nikollë ka lindur në Krej të Lurës në vitin 1862. Pas mësimeve të para në Seminarin
e Troshanit në Lezhë, përfundoi shkollën e Propagandës Fide-s për Teologji në Itali.
Me përfundimin e studimeve u shugurua prift. Në vitin 1894 u emërua famullitar në
kishën katolike të Durrësit. Me fillimin e detyrës si prift shërbeu edhe si mësues
i shkollës fillore që çelen Austro-Hungarezët në këtë qytet. Ish nxënësit e kësaj
shkolle kujtonin “Na, nxanësit Dom Nikollën e kemi dash fort dhe e ndigjojshim me
dëshirë. Ai i pari na ka shti në zemër atdhedashuninë. Gjithnji, tue na spiegue mësimin
e fesë, na fliste për historinë e vendit tonë, për begatinë e natyrës…” 1) Në
vitet 1905 – 1907 ishte ndër drejtuesit kryesorë të Kryengritjes antiosmane të Kurbinit
(Krujë), ku thirren edhe kuvendin e Delbinishtit. Ndihmoi kryengritjen duke grumbulluar
edhe armë, në hanin e Mustë Ali Brahimit. Sipas revistës “Leka”, ushtria turke zuri
në Shijak rrogëtarin e Imzot Kaçorrit me armë e municione, të cilat i dërgonte në
Delbinisht tek Arqipeshkvi Imzot Bianki. Dom N. Kaçorri doli në gjyqin ushtarak, ku
u dënua me burg “Pse jepte udhëzime për kryengritjen”. 2) Sipas gazetës “Dielli”,
edhe pse u dënua me burg, ai vazhdoi me punue për lëvizjen kombëtare” 3) Ndihmoi
në organizimin e shoqërisë “Bashkimi” të Durrësit bashkë me dr. Neki Libohovën dhe
atdhetarët durrsakë. Pranë këtij klubi çeli kursin për mësimin e gjuhës shqipe. Bëri
përpjekje për krijimin e shoqërisë “ Vllaznia”, e cila punoi për përhapjen e ndjenjave
kombëtare. Pranë kësaj shoqërie u krijua edhe teatri, i cili drejtohej prej mikut
të tij Stef Kaçulini. Në nëntor 1908 u zgjodh delegat i Durrësit në Kongresin e Manastirit.
Atje u takua me Hilë Mosin, Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin e Fehim Zavalanin, me të
cilët në vitet më vonë, kishte korespondencë. Në vitin 1909 ishte delegat në Kongresin
e Elbasanit. Pushtuesit osmanë, duke ndjekur veprimtarinë e tij kombëtare e arrestuan
përsëri. Në kujtimet e tij një bashkëkohës shkruan: “Një ditë të qershorit 1910, kur
dy katundarë ishin tue ngarkue mbi kuaj pushkë dhe municione midis plaçkave e rrethuan
hanin zaptimet. Unë ngava vrapë në kishë dhe lajmërova Dom Nikollën, për çka kishte
ndodhë. Dom Nikolla nxitoi në han dhe u briti zaptijeve mos t’i prekin katundarët.
Por zaptiet kthyen pushkët drejt katundarëve dhe Dom Nikollës që ishte bashkue me
ta. Zaptiet i muerr përpara dhe i mbyllen në nji dhomë të xhandërmarisë”. 4) Për
arrestimin e tij protestuan mëmëdhetarët në SHBA, Bukuresht dhe Egjipt. Gazeta “Liria”
e Selanikut shkruante: “Në një letër që muarrëm nga Durrës na lajmëron se, Dom Nikollë
Kaçorri, delegati i këtij qyteti në Kongres të Alfabetit në Manastir dhe në Kongres
të Elbasanit është burgosur, nga shkaku se shërbëtorit të tij i kanë gjetur një letër
të shkruar për një prift të Malcisë, në të cilën i kërkohet të jenë gati me armë se
erdhi dita…”. 5) Me 23 tetor 1910 shqiptarët e Bostonit në Amerikë protestuan
kundër politikës antishqiptare të xhonturqve, dhe dolën në mbrojtje të Dom Nikollës.
Kjo protestë është firmosur nga Fan S. Noli. 6) Në vitet 1911 – 1912 ishte në
krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në nëntor 1912 priti e strehoi në Durrës, Ismail
Qemalin dhe atdhetarët e tjerë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Shkoi në Vlorë,
ku firmosi aktin e Shpalljes së Pavarësisë, si delegat Arqipeshkvit Imzot Biankit.
Konsulli Vencel Lejhanec i Austrisë në relacionin e tij, datë 29 nëntor 1912 shënon:
“Sipas propozimit të Veli Efendiut nga Gjirokastra, famulltari i Durrësit, Emzot Kaçorri
që kryesonte Kuvendin Kombëtar në krahë të Ismail Qemalit, u zgjodh me brohoritje
zëvendësi i tij …” 3) Në vitin 1914 u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Vjenë.
Dom Nikollë Kaçorri vdiq me 29 maj 1917. Gazeta “Vllazëria” në artikujt e saj shënon:
“Emzot Nikollë Kaçorri vdiq”, “Prej jetës së Emzot Kaçorrit” shkruhet për kontributin
e tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Kjo gazetë nënvizon: “Emzoti ynë i përmblidhte
në vedi vetitë ma të mira qi ka populli shqiptar. Ai ishte trim e besnik. Dashtëninë
për kombësinë e vetë e tregoi jo vetëm me fjalë, por edhe me të bame tuj u përpjekë
me gjithë fuqitë e veta për pritmjen dhe fatbardhësinë e popullit të vet. Me një gjakftohtësi
të pashoqe, gjithmonë gadi me ju ba ballë trimnisht anmiqve, u mundue që sa mot për
të mirë të popullit shqiptar. As salvimi, as të këqiat që hoq, e as burgu që bani
nuk ia ndërruen mendjen qi mos me i mbrojt ma të drejtat e popullit të vet, por si
luftëtar trim deri ne ma të mbramin sahat të jetës, e mbajti nalt flamurin e kombit
e vdiq si bir besnik i popullit të vet…” 7) Varrimi i tij u bë nën kujdesin e kolonisë
shqiptare të Vjenës. Me 2 qershor 1917 u dha meshë për në kishën e njohur të “Shën
Maria e Treut”. ---------- 1. Zef Vlashi “ Lufta për çlirimin Kombëtar 1878
– 1912” fq. 419 Tiranë 1962 2. Revista “Leka”, fq 395, nr.8-12, viti 1937. 3.
Gazeta “Dielli”, nr.83, 89, Boston viti 1911. 4. Augustin Serreqi “Lufta për çlirimin
Kombëtar 1878 – 1912”, fq. 421, Tiranë 1962. 5. Gazeta “Liria”, Selanik, nr.
94, datë 10 korrik 1910; Gazeta “ Tomorri”, nr. 10 datë 23 qershor 1910. 6. Gazeta
“Dielli”, Boston, datë 23 tetor 1910. 7. Gazeta “Vllaznia”, Vjenë, nr. 60, datë
5 qershor 1917.
Jetëshkrimi u shkëput nga libri i Bardhosh Gaçes, “Ata që
shpallen Pavarësinë Kombëtare, Shtëpia Botuese Naim Frashëri”, Tiranë, 1997, fq 84-86