Në mbrëmjen 9 nëntorit 1989, ra Muri i Berlinit prej 155 kilomerash, që ndante Gjermaninë
Perëndimore nga ajo Lindore, që për ironi të fatit quhej “Demokratike”, pra ra, duke
shënuar fundin e komunizmit e të socializmit, i cili e kishte lënë Evropën me një
këmbë. Është domethënëse, që bastioni i fundit i komunizmit në Evropë, Shqipëria,
fitoi të drejtën të qarkullojë lirshëm e pa viza vetëm një ditë para 21- vjetorit
të rënies së Murit të Berlinit, më 8 nëntor 2010. Kështu ky mur ra edhe për Shqipërinë
e vazhdon të bjerë sa herë që Vende, apo Popuj fitojnë gjithnjë e më shumë të drejta
dhe Evropa bashkohet gjithnjë e më shumë. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania
u nda në katër zona ushtarake: franceze, britanike, amerikane dhe sovjetike. Këtë
fat pati edhe qyteti i Berlinit. Natyrisht, nën thundrën e sovjetikëve, nga viti 1945
deri në vitin 1961, rreth tre milion njerëz u larguan nga Gjermania Lindore për të
shkuar drejt perëndimit të lirë, të sigurtë se do të gjenin një jetë më të mirë. Mendja
e sëmurë e komunistëve shpiku ndërtimin e një muri, për të ndalur largimin e gjermano-lindorëve,
duke u bërë kështu simbol i mungesës së lirisë së tyre. Pak pas mesnatës së 13
gushtit 1961, qeveria u dha urdhër më shumë se 40 mijë ushtarëve dhe policëve gjermano-lindorë
të bllokonin me tela me gjemba gjithë kufirin, duke lënë vetën 13 pika kalimi për
në Berlinin Perëndimor. 10 mijë kilometra tela u shtrinë në perimetrin prej 155 kilometrash
të Berlinit Perëndimor. Muri u përfocua herë pas here dhe deri në vitin 1989 ai u
bë një kulçedër me 45 mijë blloqe betoni, 259 qen kufiri dhe 302 kulla vëzhgimi. Në
qershor të vitit 1963, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, John F. Kennedy vizitoi
Berlinin Perëndimor, ku mbajti një fjalim të fuqishëm kundër ngritjes së Murit, një
nga çastet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, e cila shoi jetën e qindra njerëzve,
që u përpoqën të kalonin këtë mur me njëmijë mënyra. Sipas të dhënave zyrtare, 270
vetë u vranë duke u arratisur e 3200 të tjerë u arrestuan. 5 mijë vetë arritën të
kalonin në Berlinin Perëndimor. Mëse 75 mijë të tjerë u burgosën vetëm sepse mendonin
të arratiseshin e, fatkeqësisht, u zbuluan. Në vitin 1987, një tjetër president
i Shteteve të Bashkuara, Ronal Reagan, vizitoi Berlinin, nga ku i bëri thirrje udhëheqësit
sovjetik, Mikail Gorbaçov, ta hapte atë portë e ta shembte atë mur. Në tetor të vitit
1989, Gorbaçovi vizitoi Berlinin Lindor me rastin e 40-vjetorit të ndarjes së Gjermanisë
dhe i bëri thirrje udhëheqësve gjermano-lindorë të ndiqnin reformat, që ai vetë kishte
filluar në Bashkimin Sovjetik. Më 9 nëntor 1989 në Berlinin Lindor u mbajt një
konferencë shtypi. Shefi i medias së Partisë Komuniste, Gynter Shabovski u tha gazetarëve
se byroja politike do t’u lejontë njerëzve të shkonin në perëndim. Brenda disa minutash,
pas deklaratës së tij, gjermano-lindorët u vërsulën drejt postave të kufirit dhe në
mesnatën e 9 nëntorit qindra mijëra prej tyre vërshuan drejt Perëndimit. Rojet u kapën
në befasi, askush nuk kishte marrë urdhër për ndonjë veprim. Pas disa orësh ankthi,
kur u pa se as trupat sovjetike nuk hapën zjarr, rojet lanë pozicionet ndërsa njerëzit
kalonin kufirin. Kujtojmë se 136 persona u vranë, në përpjekje për të kapërcyer murin
nga viti 1961 deri më 1989. Me 09.11.2009 me rastin e 20 vjetorit të rënies së
Murit të Berlinit, Atë Federiko Lombardi shkruan: “Për rreth 30 vjet, ata që
ishin përpjekur ta kapërcenin duke ikur drejt lirisë kishin rrezikuar jetën, dhjetra
e dhjetra vetë kishin vdekur para syve të tmerruar të dëshmitarëve të rastit. Besonim
se burgu i madh i mbrojtur nga ai mur – e më gjerë nga “muri i hekurt” simbolik, që
ndante Evropën më dysh – do të rezistonte akoma edhe për shumë vjet. Por,
aspiratat e lirisë dhe dobësitë e brendshme të regjimeve, të bazuara mbi një ideologji
armike me Zotin e me njeriun, kishin punuar thellë në popujt e Lindjes, duke përgatitur
një shembje epokale, e pashoqëruar – fakt ky fatlumë e i rrallë – nga derdhje të mëdha
gjaku. Pa dashur të thjeshtojmë një proces historik jashtëzakonisht të ndërlikuar,
na vjen spontanisht kujtimi i rolit të Papës Gjon Pali II, i udhëtimeve të tij në
Poloni, e cila kishte mbetur gjerësisht e besnikërisht katolike, dhe i pasojave të
tyre në aspiratat e kërkesat për liri të atij populli e të popujve fqinjë. Kur Papa
i moshuar kalonte më në fund nën Portën e Brandeburgut, jo vetëm Gjermania ishte bashkuar,
por Evropa merrte frymë me dy mushkëri, Lindje e Perëndim. Feja e krishterë kishte
treguar se kishte kontribuar edhe një herë në bashkimin e në qytetërimin e kontinentit,
duke kapërcyer provën e tmerrshme të ateizmit shtetëror. Është mirë të kujtohet kjo
gjë, sa herë dikush ngul këmbë në reduktimin e kësaj feje në fushën e ngushtë private.
Por fatkeqësisht, në botë u ndërtuan e po ndërtohen mure të tjera. Do të
vazhdojmë të impenjohemi, duke pritur që të festojmë më në fund, edhe padobinë e shembjen
e tyre”.