2012-11-08 15:46:49

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e krishterë, pjesa e tretë


Sot, vazhdojmë të flasim për “Besojmën e krishterë”, së cilës i kemi kushtuar edhe dy emisionet e mëparshme. Pasi kemi thënë: “Besoj në një Hyj të vetëm, Atin e gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës, të të gjitha sendeve që shihen dhe nuk shihen. Edhe në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin, një të vetmin Birin e Hyjit, të lindur prej Atit para të gjithë shekujve. Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë. Të lindur, jo të krijuar, të njëgjëjtë me Atin: Nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha sendet. Ai për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti prej qiellit”.

Si u zu Jezusi, e thotë engjëlli i Lajmërimit të Zojës:“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë - Biri i Hyjit”(Lk 1,35).

Pra, brenda saj, ashtu si secili prej nesh, si një fëmijë i zakonshëm në barkun e nënës. Është diçka krejtësisht e veçantë! Asnjë fe tjetër, përveç asaj të krishterë nuk e thotë këtë, nuk e ka në mësimet e saj: asnjë fe nuk adhuron një Zot, kaq shumë Zot, por kaq afër me njeriun, sa ta përziejë gjakun e vet me gjakun e një gruaje. Maria është shtatzënë, ashtu si çdo nënë e kësaj bote, vetëm se biri i saj është njeri e njëkohësisht Zot. Në një këngë, që këndohet shpesh në kishë, përmblidhet kuptimi i mishërimit të Hyjit, i lindjes dhe i rritjes së tij si njeri. Ja fjalët e para: “Sa do të desha të flisja me Ty, për atë bir, që deshe; sa do të desha të dëgjoja nga Ty, atë që mendoje; kur more vesh se Ti nuk do t’i përkisje më vetvetes e se ky bir që nuk e prisje, nuk ishte për Ty”.

Besojma, me një hap 30-vjeçar, na çon tani në fund të jetës së Jezusit, në çastin përfundimtar. Në Ungjill, Jezusi vetë e quan këtë çast “Ora ime”. Besojma nuk e kujton historinë e plotë të Krishtit, nuk flet për mrekullitë e Tij, për shembëlltyrat që tregon, për mësimet e Tij, por përqendrohet në thelbin e fesë: “U kryqëzua për ne”. Dy fjalët e fundit të prekin shpirtin: “për ne”. Kjo është arsyeja pse u bë njeri. Besojma na thotë edhe se u kryqëzua në kohën e Poncit Pilat, apo nën pushtetin e Poncit Pilat. Romakët ishin pushtuesit e Palestinës, pushteti i jetës e i vdekjes ishte në duart e tyre, por Ungjilli sqaron se Jezusi iu dorëzua autoriteteve romake, të kryesuara nga Ponci Pilat, nga të vetët. Siç thotë Shën Gjoni Ungjilltar: “Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan”(1,11). Histori, që përsëritet edhe sot: sa të pagëzuar, nuk e kanë pranuar me të vërtetë Jezusin?

Në disa përkthime, fjala “pësoi” zëvendësohet me “vdiq”, sepse pikërisht këtë kuptim ka. Pas mundimeve të Udhës së Kryqit, pas vuajtjeve në Kryq, Jezusi vdes vërtet. Zoti u bë njeri dhe deshi të provojë deri në fund fatin e njeriut. Prandaj, di ta kuptojë njeriun… Fjala “u varros” e thekson edhe një herë faktin se Jezusi vdiq dhe u fut vërtet në varr si i vdekur, prandaj ringjallja e tij nuk është ndonjë truk, nuk është rizgjim nga të fikët, apo nga çdo lloj gjendje tjetër. Është rikthim në jetë.
Por, për këtë pjesë të “Besojmës” do të flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.