2012-11-08 12:16:06

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Kisha Katolike në Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë


Pjesa n.4 Për vendin e dom Nikollë Kaçorrit rreth tryezës së rrumbullakët të Pavarësisë, Historia e Shqipërisë mjaftohet vetëm t’i kujtojë emrin, pa treguar kë përfaqësonte. Shkruhet:
“Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Mehmet Dëralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka, Spiro Ilo, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci etj. Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor, i pritur me gëzim të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit. Nga udhëheqësit e tjerë kosovarë, për shkak të rrethanave të luftës, nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., që ndodheshin në burgun e Beogradit, si edhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës.
Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.
Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.
Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “... Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.
Pastaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit e që e pritën këtë ngjarje historike me brohoritje entuziaste, ndërsa populli përshkonte duke kënduar rrugët e qytetit, oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj., me fjalimet e zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.
Nga Kuvendi i Vlorës doli gjithashtu qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemali.

A. SH. SH.; Historia e Shqipërisë, fq 376- 475 (internet)







All the contents on this site are copyrighted ©.