2012-11-07 15:42:50

Shpata e përkrenarja e Skënderbeut më 28 nëntor në Shqipëri


Pritet të sjellët në Tiranë shpata e përkrenares së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me rastin e Jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Data e saktë nuk është përcaktuar ende, por, sipas të gjithave gjasave, ato do të jenë në Muzeun Kombëtar të Tiranës më 28 nëntor.
Drejtori i këtij institucioni, Luan Malltezi, ka zbuluar disa nga detajet e ekspozimit të tyre. Sipas tij, shqetësimi dhe interesimi më i madh i palës austriake, përkatësisht Kunsthistorisches Museum ka qenë siguria, dhe gjatë këtyre muajve janë bërë inspektime të njëpasnjëshme në mjediset e Muzeut.
"Krahas vendosjes ato kanë edhe kërkesa të tjera. Një nga këto është dhe sa të garantuara janë ato në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar realizon kushtet e ruajtjes. Ne kemi nën vëzhgim Muzeun Historik me një shërbim 24 orë nga organet e rendit. Vetë çdo ambient i Muzeut është i vëzhguar me kamera, kemi inspektorë të sallave", citon AS Malltezin.
Menaxhimi i fluksit të vizitorëve mbetet gjithashtu një nga problemet e muzeut, ndërsa nuk është përcaktuar nëse hyrja do të jetë falas apo me biletë.
"Për të parë objektet e Skënderbeut do vihet në lëvizje e tërë shoqëria shqiptare dhe ky është një shqetësim i madh për ne, në kuptimin që do të kemi një dyndje të madhe të njerëzve në Muze. Është menduar edhe për çështjen e biletës. Ne dëshirojmë që njerëzit të vijnë, por jemi të interesuar që vizita në muze të jetë e rregullt. Muzeu të mos jetë në situatë të vështirë nga pjesëmarrja e vizitorëve",- tha Malltezi
Për herë të parë pasi janë larguar nga Shqipëria në vitin 1468 kur vdiq Gjergj Kastrioti Skënderbeu, arma dhe përkrenarja do të ekspozohen në pavionin e Mesjetës. Ekspozimi do të shoqërohet gjatë gjithë kohës nga trupat e gardës së Republikës.







All the contents on this site are copyrighted ©.