Papa përshëndet presidentin e rizgjedhur amerikan e lutet për përgjegjësinë, që Obama
duhet të marrë para kombit e botës
I lutem Zotit t’ju ndihmojë në përgjegjësitë shumë të rënda, që keni përpara vendit
e bashkësisë ndërkombëtare: kështu i shkruan Papa Benedikti XVI, presidentit të SHBA-ve,
Barak Obama, pas rizgjedhjes së tij në Shtëpinë e Bardhë. Në tekstin e dërguar përmes
Nunciaturës Apostolike në Uashington, Papa uron edhe që “idealet e lirisë e të drejtësisë,
të cilat udhëhoqën themeluesit e SHBA-ve, të vazhdojnë të ndriçojnë udhën e kombit”.
Të dëgjojmë komentin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi: “Siç
e dimë të gjithë, detyra e presidentit të SHBA-ve kërkon përgjegjësi të jashtëzakonshme
jo vetëm për vendin e tij të madh, por për të gjithë botën, duke pasur parasysh rolin
e SHBA-ve në skenën ndërkombëtare. Prandaj, të gjithë i urojmë presidentit Obama t’u
përgjigjet aspiratave të bashkëqytetarëve të tij, t’i shërbejë së drejtës dhe drejtësisë
për të mirën e çdo njeriu, duke respektuar vlerat themelore njerëzore e shpirtërore
e duke promovuar kulturën e jetës e lirinë fetare – gjithnjë shumë të çmuara në traditën
e popullit amerikan e në kulturën e tij. Lutemi gjithashtu të gjejë rrugët më të mira
për të rritur mirëqënien materiale e shpirtërore të të gjithëve e për të nxitur zhvillimin
e plotë të njeriut, si edhe drejtësinë e paqen në botë”.