2012-11-07 18:25:33

Meshari 1555 i dom Gjon Buzukut të dielën mbërrin në Shqipëri


Në kuadrin e kremtimit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria osmane, me kërkesën e autoriteteve të Shqipërisë, Biblioteka Apostolike e Vatikanit e çon në Tiranë veprën monumentale të gjuhës shqipe, origjinalin e ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut të vitit 1555. Kjo vepër unike e gjuhës shqipe, që ruhet në bibliotekën e Selisë së Shenjtë, do qëndrojë e ekspozuar në Tiranë për publikun shqiptar deri në fund të nëntorit, muajit të kremtimeve jubilare të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Lajmin e shkuarjes së ‘Mesharit’ të Buzukut në Shqipëri këtë të diel më 11 nëntor, Biblioteka Apostolike e Vatikanit ia komunikoi Ambasadorit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, shkëlqesisë së tij zotit Rrok Logu. Me dërgimin e ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, vepër unike e gjuhës shqipe e vitit 1555, Papa dhe Selia e Shenjtë dëshirojnë t'i shprehin afërsinë shpirtërore e përgëzimet popullit shqiptar në kremtimet jubilare të 100-vjetorit të Pavarësisë së Vendit.
Që nga botimi e deri me 1740, gati dy shekuj, "Meshari" ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Librin liturgjik ‘Mesharin’ të don Gjon Buzukut (1555) e zbuloi me 1740 ipeshkvi i Shkupit Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova në Bibliotekën e Kongregatës së Vatikanit Propaganda Fides, në Romë. Gjithë gëzim për ketë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxeten në Palermo të cilit i dërgoi një faqe. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Ky zbulim mbeti në heshtje për me tepër së një shekull, deri me 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit ne Rome, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.
Po ta dëgjojmë pikërisht Ambasadorin e Shqipërisë zotit Rrok Logu në mikrofonin e dom David Gjugjës, kryeredaktorit të programit shqip të Radio Vatikanit....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.