2012-11-07 15:37:21

Konferencë për Sallën e Shtypit të Vatikanit: intervistë me atë Lombardin e me Navarro Valls


“Lindja dhe zhvillimi i Sallës së Shtypit të Vatikanit nga Koncili e deri më sot”: ky ishte titulli i konferencës, që u mbajt dje në Romë, në Universitetin e Lirë të Zojës së Ngjitur në Qiell (LUMSA). Një takim, ku u fol për historinë dhe për sfidat e reja të zyrës për përhapjen e lajmeve, që kanë të bëjnë me Papën dhe me Selinë e Shenjtë. Me një letër të 28 majit 1986, Papa Gjon Pali II e miratoi këtë institucion, i cili më parë varej nga Komisioni Papnor për Komunikimet Shoqërore. Salla e Shtypit u ngrit në vitin 1966 si organizëm informativ i Koncilit II të Vatikanit për t’u zhvilluar e zgjeruar në dialog me gjithë botën, siç theksoi drejtori i saj aktual, atë Federiko Lombardi:
“Aktualisht, Salla e Shtypit vazhdon të jetë një institucion jetësor për marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me gjithë botën e komunikimeve. Është si një portë e hapur komunikimi dykahesh: pyetjet që vijnë nga bota, nga njëra anë dhe, përgjigjet e institucionit, nga ana tjetër. Është një shërbim jashtëzakonisht i rëndësishëm, të cilit i drejtohen korrespondentë e gazetarë të shumë mediave. Aktualisht, kemi 400 të akredituar, megjithëse jo të gjithë na frekuentojnë shpesh. Të tjerë ndjekin me vëmendje të madhe, me seriozitet e kompetencë, argumentet, që paraqiten për diskutim. Shpesh, konfrontimi me ta është shumë i dobishëm edhe për mua, për ne gazetarët kishtarë, për të kuptuar pikat kryesore të problematikave, që jetojnë njerëzit”.
Fjala tjetër kyç, e përsëritur disa herë nga atë Federiko Lombardi, ishte transparenca e komunikimit, sidomos pas situatave të fundit dramatike, nëpër të cilat ka kaluar Kisha:
“Kam përjetuar gjatë këtyre viteve dëshirën për rritjen e transparencës kishtare, për shembull, gjatë debateve mbi abuzimet seksuale të të miturve nga ana e anëtarëve të klerit, ose mbi temën e administrimit ekonomik të Kishës, apo të rregullave financiare të saj në nivel ndërkombëtar. Këto janë tema afatgjata e, duke jetuar në një pikë kyç si Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, kuptohet nevoja që Kisha t’i shpjegojë më mirë e më saktë disa tema që, nëse nuk përballohen, e vendosin atë nën një dritë negative, lënë shkas për thashetheme”.
Gjatë konferencës së djeshme u treguan shumë anekdota e episode për personat që kanë frekuentuar Sallën e Shtypit, apo kanë pasur të bëjnë me të. Ja ç’tha ish-drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Hoakim Navarro Valls, për Papën e lum Gjon Pali II:
“Papa më ndihmonte shumë kur kisha dyshime për ndonjë temë: flisja me të e zgjidhja arrihej në pak minuta, duke u kthyer në komunikim. Ky sistem vazhdoi edhe në dy vitet e para të papnisë së Benediktit XVI, kur e vazhdoja detyrën”.
Si drejtor i Sallës së Shtypit, vazhdoi Hoakim Navarro Valls, duhet të jesh i kujdesshëm në interpretimin e mesazhit, që dëshiron të japë Papa. Një sfidë kjo, e rëndësishme dhe apasionuese, që mbështetet mbi dy shtylla: çfarë komunikon dhe pse e komunikon:
“Kam menduar gjithnjë se gazetaria është transmetimi i asaj të vërtete, që gazetari mendon se është e vërtetë. Nëse gazetari mendon se nuk është kjo e vërteta, por e transmeton, bën propagandë e jo gazetari. Pastaj vjen sfida e përshtatjes së mesazhit me mjetin e transmetimit të tij. Nuk mund të flitet njësoj si për televizionin, ashtu edhe për radion, apo për internetin. Çdo mjet komunikimi ka veçoritë e veta e gazetari duhet t’i njohë ato, për ta përshtatur gjuhën e mesazhit, pa e tradhtuar atë. Për mua, transparenca në komunikim është kjo: kam vendosur ta bëj këtë dhe arsyet janë këto… Atëherë, mesazhi është i qartë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.