2012-11-06 14:57:38

5-vjetori i motu proprio-s “Summorum Pontificum”


Përkujtohet në Romë, 5-vjetori i motu proprio-s të Benediktit XVI “Summorum Pontificum”. “Përmes kësaj motu proprio, Ati i Shenjtë deshi t’u përgjigjej aspiratave të besimtarëve, të lidhur me format liturgjike të mëparshme”: kështu thekson Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në mesazhin e shkruar në emër të Papës, për këtë rast të shënuar. Kujtojmë se “Summorum Pontificum” u firmos më 7 korrik 2007 dhe hyri në fuqi më 14 shtator të po atij viti. Qëllimi i saj përmendet nga kardinali Bertone në mesazh: “Është gjë e mirë – shkruan ai – të ruhet trashëgimia e pasuruar me fenë dhe lutjen e Kishës e t’i jepet asaj hapësira që meriton, duke pasur gjithnjë parasysh vlerën dhe shenjtërinë e formës së zakonshme të ritit romak”. Në Vitin e Fesë, “shpallur, ndërsa Kisha kremton 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit – shton kardinali – Ati i Shenjtë i fton besimtarët të dëshmojnë veçanërisht unitetin e tyre në fe; kështu, ata do të jenë protagonistë të ungjillëzimit të ri”.
Mesazhi, në gjuhën franceze, u lexua me rastin e shtegtimit ndërkombëtar në Romë “Una com Papa nostro” (Një me Papën tonë), organizuar nga Coetus internationalis Summorum Pontificum, që arriti kulmin në meshën e kremtuar të shtunën e kaluar në Bazilikën e Shën Pjetrit nga kardinali Antonio Kanjizares Llovera, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve. Në kremtimin sipas formës së jashtëzakonshme të ritit romak, së cilës i referohet motu proprio e Benediktit XVI, morën pjesë besimtarë të shumtë nga grupet, që përdorin akoma mesharin e miratuar në vitin 1962 nga Papa Gjoni XXIII, në fuqi deri në reformën konciliare.







All the contents on this site are copyrighted ©.