2012-11-05 14:14:34

Selia e Shenjtë “Vëzhguese themeltare” e Qendrës për dialogun ndërfetar të Mbretit të Arabisë


Më 26 nëntor, në Vienë të Austrisë, do të përurohet zyrtarisht “Qendra Ndërkombëtare e Mbretit Abdullah Bin Abdulaziz për Dialogun Ndërfetar e Ndërkulturor”, institucion i njohur nga Kombet e Bashkuara, që ka për qëllim nxitjen e dialogut ndërmjet feve e kulturave në të gjithë botën. Qendra ka tri shtete themeluese: Mbretërinë e Arabisë Saudite, Republikën Austriake dhe Mbretërinë e Spanjës. Përfaqësuesit e këtyre shteteve përbëjnë Këshillin e Qendrës, i cili u mblodh më 31 tetor po në Vienë. Selia e Shenjtë është ftuar të marrë pjesë në këtë iniciativë dhe ka pranuar rolin e “Vëzhguesit themeltar”. Përfaqësuesi i Kishës Katolike në Drejtorinë e qendrës, ku marrin pjesë edhe hebrenjtë, myslimanët, hinduistët e budistët, do të jetë Sekretari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, atë Miguel Angel Ayuso Guixot. Nismëtari i këtij projekti, mbreti i Arabisë Saudite, e pati informuar Atin e Shenjtë për të gjatë audiencës në Vatikan, më 6 nëntor 2007.







All the contents on this site are copyrighted ©.