2012-11-05 15:45:56

Në muzeun historik të Shkodrës ekspozohen hartat origjinale të kufirit shqiptar


Në kuadër të kremtimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë së vendit, Muzeu Historik "Oso Kuka" në Shkodër, ka ekspozuar për herë të parë hartat origjinale të "delimitacionit të kufirit shqiptar", për përcaktimin e kufirit.
Prezantimi i tyre u bë përmes një ekspozite që ky institucion paraqiti përpara publikut shkodran, në vijim të aktiviteteve kushtuar 100 vjetori të Pavarësisë, ku vizitorët e shumtë, të ardhur nga rrethet e ndryshme të vendit, mes tyre edhe turistë të huaj, panë nga afër një mori hartash dhe historinë qindra vjeçare që disponon arkivi i këtij muzeu.
Përgjegjës i Arkivit të Muzeut Historik të Shkodrës, Besi Bekteshi, u shpreh në një prononcim për ATSH-në se, në ekspozitën e radhës, ky institucion prezantoi hartat origjinale të "delimitacionit të kufirit shqiptar", të kryera nga Komisioni Internacional për përcaktimin e kufirit të Shqipërisë, në vitin 1925.
Ai sqaron se krahas 17 hartave të kufirit, të ekspozuara sot, ku mungon kufiri detar, Arkivi i Muzeut paraqiti dhe 25 harta të autorëve dhe hartologëve të mëdhenj të kohrave të ndryshme, që tregojnë edhe trevat e banuara nga shqiptarët, të ardhura në kohë që nga viti 1578.
"E reja e këtij prezantimi dinjitoz ishte se për herë të parë, publiku shkodran dhe jo vetëm, kishte mundësinë të shihte edhe prodhimin origjinal të hartave nga Instituti Ushtarak Gjeografik i Firences, të përfunduara edhe nga Komisioni, me tre ushtarakë të lartë, të cilët filluan punën nga viti 1923, pikërisht aty ku e kishte lënë Gjenerali Tellini, i vrarë nga grekët në Kakavije.", nënvizoi Bekteshi.
Më pas ai sqaron se, "në komisionin ndërkombëtar të delimitacionit, janë koloneli britanik Ordioni, koloneli francez Giles dhe gjenerali italian Gazerra, të cilët si një grup prej 26 ushtarakësh, kanë përcaktuar atë kufi pothuaj që kemi edhe sot..
Bekteshi pohon se "është një moment që vërteton edhe 28 mijë kilometra katror që Shqipëria ka sot, ku shihen mirë trevat e banuara me shqiptarë, jashtë këtij kufiri, si edhe prodhimi në hartë, për herë të parë në origjinal, i kufirit të sotëm shqiptar".
Aktivitetet në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, do të pasohen me të tjera, deri në ditën e ngjarjes së madhe historike, 28 Nëntorit, ku me interes do të jetë edhe inaugurimi i pavionit "Rilindja Kulturore Qytetare Shkodrane./ATSH-G. Marku/







All the contents on this site are copyrighted ©.