2012-11-05 15:07:57

Ndërmjet Obamës e Romnejt, sfidë për vendet e punës


Të dhënat e fundit mbi ekonominë amerikane, që u bënë të njohura javën e kaluar, në prag të zgjedhjeve presidenciale të 6 nëntorit, janë të favorshme për presidentin Barak Obama dhe e ndihmojnë në sfidën me republikanin Mit Romnej. Në tetor, papunësia mbeti rreth shifrës 8%, megjithëse pak më e rritur në krahasim me shtatorin. Por vendet e reja të punës arrijnë shifrën 171 mijë, 50 mijë më shumë nga sa pritej. Kështu, Obama mundi të brohorasë: “Ekonomia po bën përparime të vërteta”. Rreziku që të fundosej pikërisht para zgjedhjeve, ishte i madh, por tani, edhe pas rezultateve të mira në përballimin e uraganit “Sandy”, Barak Obama, presidenti i parë amerikan me origjinë afrikane, mund të shpresojë të rizgjidhet.
Por Mit Romnej nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ekonomia ndodhet në një pikë të vdekur, bubulloi përfaqësuesi i republikanëve, i cili vuri në shënjestër presidentin aktual: “Nuk e ka kuptuar kurrë si krijohen vendet e punës. Me katër vjet të tjera të Barak Obamës në Shtëpinë e Bardhë rrezikojmë të kthehemi sërish mbrapa”. Ish-guvernatori i Masaçusets, me përvojë afaristi, premton t’i ndihmojë amerikanët të rifitojnë punën e humbur. Objektivi i tij ambicioz është krijimi i 12 milion vendeve të reja të punës gjatë katër viteve të ardhshme, pra, 2.500 në muaj. U drejtohet zgjedhësve të Uiskonsinit e të Ohajos, ku, për shkak të fabrikave, punëtorët janë në numër të madh. E di mirë se askush nuk fiton pa votat e Ohajos. E sondazhet e fundit tregojnë se pikërisht në këtë shtet, Obama ka dy pikë më shumë se kundërshtari i tij, falë shpëtimit të industrisë automobilistike. Po kështu, edhe në Florida, ndërsa distanca nga Romnej në Virgjinia arrin në tri pikë. Në nivel kombëtar, ndryshimi ndërmjet dy kandidatëve për president është i papërfillshëm. Pasiguria është e madhe e gjithçka vendoset nesër.







All the contents on this site are copyrighted ©.