Mesazh i Benediktit XVI për Patrikun e ri kopto-ortodoks: miqësia jonë u shtoftë gjithnjë
e më shumë
Me një mesazh, Papa Benedikti XVI shpreh sot urimet e tij për Patrikun e ri kopto-ortodoks,
Tauadros II, që u zgjodh dje në Kajro. Papa ka besim se, ashtu si paraardhësi i tij,
Shenuda III, edhe Tauadros do të dijë të jetë një “atë i vërtetë shpirtëror” për bashkësinë
e vet, të cilën do ta ndihmojë për të ndërtuar një Egjipt të ri në paqe e në harmoni,
në shërbim të së mirës së përbashkët për të gjithë Lindjen e Mesme. “Në këto kohë
të vështira – shkruan Ati i Shenjtë – është e rëndësishme që të gjithë të krishterët
të dëshmojnë dashurinë dhe miqësinë që i lidh, duke kujtuar lutjen e Jezusit në Darkën
e Mbrame: të gjithë të jenë një gjë e vetme, që bota të besojë”. Benedikti XVI falenderon
Zotin për hapat e bëra nën udhëheqjen e Shenudës III, përsa u përket marrëdhënieve
ndërmjet Kishës Katolike e asaj Kopto-Ortodokse dhe uron që kjo udhë të vazhdojë me
solidaritet e pajtim më të madh.