2012-11-04 15:08:31

Papa në Engjëllin e Tënzot: dashuria për Zotin dhe dashuria për të afërmin janë të pandashme.


Para se të jetë urdhër, dashuria është dhuratë. Këtë nëvizoi sot Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kushtuar plotësisht Ungjillit të së dielës, që propozon pikërisht urdhërimin e dashurisë. Jezusi, tha Papa, na mëson se dashuria e Zotit dhe dashuria e të afërmit janë të pandashme dhe në vijim i ftoi të krishterët të sillen si prindërit, që i duan gjithnjë fëmijët e tyre, edhe kur gabojnë.

Lidhja e fëmijës me prindin na mëson mrekullisht se si duhet ta vëmë në jetë urdhërimin e dashurisë. Është pohimi i Benediktit XVI. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa u ndalua tek urdhërimi më i madh, që na ka mësuar Jezusi: “Ta duam Zotin e ta duam të afërmin”:
“Para se të jetë urdhër, dashuria është dhuratë, është realitet, që Zoti na bën ta njohim e ta provojmë, në mënyrë që, si fara, të mbijë e të zhvillohet në jetën tonë”.
Në se dashuria për Zotin i ka rrënjët thellë në zemrën e njeriut, theksoi Ati i Shenjtë, ai është në gjendje ta dojë edhe atë, që nuk e meriton, ashtu si na do Zoti ne. E në vijim vërejti: “Babai e nëna nuk i duan fëmijët vetëm kur e meritojnë, i duan gjithnjë, ndonëse, natyrisht ia vënë në dukje gabimet. Nga Zoti, shtoi Ati i Shenjtë, ne mësojmë të duam gjithnjë vetëm të mirën e kurrë të keqen:
“Mësojmë ta shikojmë tjetrin jo vetëm me syrin tonë, por edhe me syrin e Zotit, që është syri i Jezu Krishtit. Shikim ky, që niset nga zemra e nuk ndalet në sipërfaqe, që shkon përtej dukjeve e arrin t’u përgjigjet dëshirave më të thella të tjetrit: dëshirës për ta dëgjuar, për t’i kushtuar vëmendje pa kurrfarë interesi, për t’i thënë një fjalë dashurie”.
Por, shtoi Papa, vërehet edhe një udhë e kundërt: kur ia hap zemrën tjetrit, ashtu si është, duke e ndihmuar, duke u treguar i gatshëm, unë hap edhe zemrën time për ta njohur Zotin, për të ndjerë se Ai është i mirë:
“Dashuria për Zotin e dashuria për të afërmin janë të pandashme, në lidhje të përhershme njëra me tjetrën. Jezusi nuk i shpiku as njërën e as tjetrën, por dëftoi se ato janë, në fund të fundit, një urdhër i vetëm, e këtë nuk e bëri vetëm me fjalë, por sidomos, me dëshminë e tij”.
Vetë Vetja e Jezusit dhe i gjithë misteri i tij, pohoi Papa, mishërojnë unitetin e dashurisë së Zotit me atë të të afërmit, si dy krahët e Kryqit, vertikal e horizontal. Në Eukaristi, shtoi akoma Benedikti XVI, Jezusi na e dhuron këtë dashuri të dyfishtë, duke na dhuruar Vetveten.
Më pas Papa iu lut Virgjërës Mari që çdo i krishterë ta shprehë besimin e tij në Zotin e vetëm e të vërtetë, përmes dëshmisë së qartë të dashurisë për të afërmin.

Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, duke folur në gjuhën franceze, Benedikti XVI i ftoi besimtarët të gjejnë çdo ditë kohën e duhur për ta medituar Fjalën e Zotit.
Në sllovenisht, pastaj, përshëndeti rregulltarët e Urdhërit të Tretë të Shën Françeskut, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit. “Uroj që shtegtimi juaj, u tha Papa, t’ju inkurajojë që të jeni kudo e kurdoherë dëshmitarë gazmorë të dashurisë së Zotit”.









All the contents on this site are copyrighted ©.