2012-11-03 16:28:38

Mesha për ipeshkvijtë e vdekur. Papa: jeta e pasosur është bashkim i plotë me Zotin.


I krishteri duhet ta shikojë me shpresë vdekjen, sepse vetëm duke e kapërcyer pragun e saj, mund të kundrojmë Zotin. Janë fjalët e Benediktit XVI, shqiptuar sot paradite gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit për shpirtin e kardinajve dhe të ipeshkvijve të vdekur vitin e fundit. Papa ripohoi se shpresa jonë buron nga dashuria e Zotit, që ndrin mbi Kryqin e Krishtit.

“Si i përgjigjemi ne, të krishterët, pyetjes mbi vdekjen? Benedikti XVI u nis nga kjo pyetje themelore në homelinë e tij, kushtuar plotësisht mënyrës si i përgjigjet njeriu i të gjitha kohëve çastit të fundit të jetës së tij tokësore. I krishteri, nënvizoi Papa, është i thirrur t’i përgjigjet me besim të patundur në Zotin, ta shikojë me syrin e shpresës së pamort, që bazohet mbi Vdekjen e Ngjalljen e Krishtit:
“Atëherë mund të themi se vdekja i hap udhë jetës, asaj, që s’ mbaron kurrë, që nuk është kopje e dytë, e pambarim, e kohës së tashme, por diçka plotësisht e re. Feja na thotë se pavdekësia e vërtetë, të cilën e dëshirojnë të gjithë, nuk është thjesht ide, as koncept, por lidhje e bashkimit të plotë me Zotin e gjallë”.
Një bashkim, shtoi, që do të thotë të jesh në dorë të Tij, në dashurinë e Tij, të bëhesh në Të, një gjë e vetme me të gjithë vëllezërit e motrat, të cilët Ai i krijoi e i shpërbleu me gjithë krijesën. Shpresa jonë, atëherë, shtoi Ati i Shenjtë, mbështetet mbi dashurinë e Zotit, që ndrin në Kryqin e Krishtit e na bën t’i dëgjojmë përsëri në zemër fjalët, që Zoti ia tha hajdutit të mirë: “Sot do të jesh me mua në Parajsë”.
Më pas Papa kujtoi dëshminë që dhanë dhjetë kardinajtë, e dhe kryeipeshkvijtë e ipeshkvijtë e shumtë, që ndërruan jetë vitin e kaluar. Në ta, tha Papa, njohim miqtë e Zotit që, duke i besuar premtimit të Tij, edhe në mes të persekutimeve, e ruajtën gëzimin e fesë:
“Barinjtë, që po i kujtojmë sot, i shërbyen Kishës me besnikëri e dashuri, duke përballuar shpesh prova, vetëm e vetëm që grigjës, e cila u qe besuar, të mos i mungonte vëmendja e kujdesi”.
Më pas Papa kujtoi edhe se këta barinj dhanë një kontribut të çmuar në stinën pas-konciliare, kohë e përtëritjes së mbarë Kishës. Benedikti XVI pohoi, në vijim, se shpresa jonë garantohet nga Krishti, që deshi ta jetojë në korpin e vet vdekjen, për të fituar mbi të me Ngjalljen. Drejtësia jonë, ashtu si shpresa jonë, vërejti Papa, bazohet mbi fenë në Krishtin. E, për hir të misterit të Pashkëve të Tija, duke kapërcyer pragun e vdekjes, sytë tanë mund ta shohin Zotin, ta kundrojnë Fytyrën e Tij.
Në përfundim të homelisë, Papa kujtoi se ka shumë rëndësi t’i vizitojmë, këto ditë nëntori, kushtuar të vdekurve, të dashurit tanë, që pushojnë në paqe ndër varreza, përhapur në të katër anët e botës: “Varrezat janë si një lloj asambleje, ku të gjallët takohen me të vdekurit e dashur e me ta i shtrëngojnë edhe më fort lidhjet, që vdekja nuk mund t’i këpusë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.