2012-11-02 17:20:27

Shenjtorët e javës 4-11 nëntor


E diel 4 nëntor, Kisha katolike kremton të dielën e 31-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 4 nëntor kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe shenjtorët Vitali e Agrikola, martirë bolonjezë. Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë ta gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.

Të hënën më 5 nëntor përkujtohen shenjtorët Domnini, Teotini me shokët martirë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin.

Të martën më 6 nëntor, kalendari përkujton shën Leonardin vetmitar. Jepi, o Zot shërbëtorit tënd një zemër të përvujtë’: ta përsërisim së bashku këtë lutje që na kujton se feja në Krishtin na bën të lirë, e megjithatë shpesh herë vazhdojmë të jemi skllevër të besëtytnisë e të egoizmit.

Të mërkurën më 7 nëntor, kalendari përkujton shën Ernestin, të cilin Kisha do ta kremtojë të mërkurën, na kujton se Zoti e bekon njeriun, që i do e i ndihmon me gjithë zemër vëllezërit, edhe pse i duhet të mbartë çdo ditë mbi supe kryqin e vet. Si mësuesi, ashtu edhe nxënësi. Kryqi është filli i kuq, që përshkon gjithë jetën tonë, bën pjesë në planin që ka Zoti për ne. Psenë e kësaj barre të rëndë që na vë mbi supe, duhet ta zbulojmë me lutje e reflektim.

Të enjten më 8 nëntor kalendari përkujton shën Adeodatin I papë si dhe shenjtorët e Martirët, reliket e të cilëve pushojnë në paqe në Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan. Përkujtimi i këtyre shenjtorëve na kujton se ta kesh zemrën të lirë, nuk do të thotë t’i shembësh urat që të lidhin me të gjithë e me gjithçka, të jetosh sikur të tjerët të mos ishin, por do të thotë t’u japësh të gjitha gjërave peshën e drejtimin e duhur. Kështu mund të bëhemi nxënës që ulen për të mësuar çdo ditë në bankat e shkollës së Zotit.

Të premten më 9 nëntor bie festa e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit në Romë, pra liturgjia na kujton se ky tempull është katedralja e ipeshkvit të Romës dhe Kisha nënë e të gjitha Kishave romake e, sidomos, se tempujt e ndërtuar nga duart e njeriut janë në shërbim të gurëve të gjallë, do të thotë të Kishës që secili nga ne është i thirrur ta ndërtojë në zemër të vet, së bashku me të gjithë vëllezërit.

Të shtunën me 10 nëntor, kalendarit përkujton shën Leonin e madh, papë e doktor të Kishës, që na kujton se po të ecim sipas shembullit të atyre që e morën seriozisht mesazhin ungjillor, duke flijuar jetën për të gjithë, mund të shpëtojmë nga çdo lloj skllavërie e të drejtohemi nga të mirat e amshuara, që na janë premtuar.

Të dielën e ardhshme me 11 nëntor, Kisha do të kremtojë të dielën 32-të gjatë vitit, e gjithnjë më 11 nëntor, përkujtohet edhe shën Martini, ipeshkëv i Turit dhe shën Bartolomeut, abat i Grotaferratës. Liturgjia e kësaj dite na kujton se kush jeton për Zotin, dhuron gjithnjë me duar plot e nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.







All the contents on this site are copyrighted ©.