2012-11-02 15:34:26

Përkujtimi i besimtarëve të vdekur. Benedikti XVI: vdekja nuk e këput lidhjen me Zotin


“Të kujtosh të vdekurit e dashur, është njëlloj si të bësh një shtegtim në amshim”. Këtë na kujton Benedikti XVI, në ditën kur përkujtohen besimtarët e vdekur.
Pasi kremtuam dje Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve Kisha na fton sot të kujtojmë gjithë besimtarët e vdekur, gjithë fytyrat e atyre, që na paraprinë e që e përfunduan shtegtimin mbi këtë tokë.RealAudioMP3
Në këtë ditë, Benedikti XVI kryesoi, në orën 18.00, në Kriptën e Vatikanit, një çast lutjeje për Papët, që pushojnë në paqe në Tënzonë.
Nesër, pastaj, në orën 11.30, Ati i Shenjtë do të kremtojë, në bazilikën e Vatikanit, Meshën për shpirtin e kardinajve dhe ipeshkvijve që ndërruan jetë gjatë vitit. Në këtë atmosferë, po ndalemi tek disa reflektime të Papës lidhur me kujtimin e të vdekurve dhe me qëndrimin e besimtarit përballë vdekjes, e cila, për ne, të krishterët, ndriçohet nga Ngjallja e Krishtit, prej nga buron besimi i patundur në jetën e pasosur.

“Ndarja nga jeta tokësore është, pa asnjë dyshsim, e dhimbshme, por kjo nuk duhet të na trembë, sepse në sa i këput të gjitha lidhjet me tokën, nuk mund ta këpusë lidhjen e thellë, që na bashkon me Zotin”. Benedikti XVI e nënvizon këtë siguri të të krishterit, që hedh dritë mbi paradoksin e njeriut bashkëkohor, i cili nga njëra anë ka hequr dorë nga përshpirtëria e krishterë, nga ana tjetër, përballë vdekjes, kërkon shtigje paralele, që i hapin udhën e jetës së amshuar. Sepse njeriu ka gjithnjë etje për jetë:
“Njeriu modern e pret akoma këtë jetë të amshuar, apo mendon se tashmë ajo i përket mitologjisë, së cilës i ka kaluar koha. Në ditët tona, më tepër se në të kaluarën, njeriu lidhet aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë e ka të vështirë të mendojë për Zotin si protagonist i historisë dhe i vetë jetës sonë” (Audienca e përgjithshme e 2 nëntorit 2005)
Prej këndej, thirrja e Papës për t’ia hapur përsëri zemrën përmasës së vdekjes, për të mos harruar se jeta njerëzore ka një cak. Fjalë, këto, të shqiptuara katër vjet më parë, por që të kujtojnë temën e Sinodit të sapopërfunduar në Vatikan:
“Sot më shumë se kurrë duhen ungjillëzuar vdekja dhe jeta e amshuar, realitete të cilat lidhen shpesh me besime të kota, me sinkretizma, që e vërteta e krishterë të mos rrezikohet, duke u përzjerë me gjithfarë lloj mitologjish”(Engjëlli i Tënzot 2 nëntor 2008).
Vdekja duhet përjetuar në dritën e Krishtit të Ngjallur e të dashurisë së amshuar të Zotit. Për t’i dhënë përgjigje pyetjeve më shqetësuese për shpirtin e njeriut, që vijojnë në shekuj: “Ç’është vdekja? Ç’ndodh me njeriun kur kapërcen pragun e jetës? Ku shkon? Vetëm në varr? I krishteri i jep përgjigje të veçantë, bazuar mbi fenë e vet, këtyre pyetjeve themelore për njerëzit e të gjitha kohëve. Ndërsa mendësia sunduese, vëren Ati i Shenjtë, na nxit të mendojmë se përtej vdekjes nuk ka më jetë. Jeta mbaron në varr, në baltë, në asgjë! Por kush beson në Krishtin e në Ngjalljen e Tij, e di se udha e vdekjes është shteg shprese. Nuk është fundi, por fillimi i jetës së plotë, të përsosur, të amshuar, që njeriu e ka ëndërruar në shekuj. Prej këndej, e pret plot shpresë vdekjen e mund ta jetojë gjithë jetën, duke u nisur nga kjo shpresë:
Njeriu ka nevojë për amshimin e çdo shpresë tjetër për të është tepër e shkurtër, tepër e kufizuar. Njeriu e gjen kuptimin e tij më të thellë vetëm në se ka një Zot” (Audienca e përgjithshme e 2 nëntorit 2011).
Papa na kujton se këto ditë të gjallët shkojnë në varreza, për të vizituar njerëzit e dashur, që na lanë, për t’u shprehur edhe një herë dashurinë, afërsinë, mallin e pashuar. Kujtojnë, kështu, një nga shprehjet e Besojmës, atë të shoqërisë së shenjtorëve, duke e ndjerë fort lidhjen e ngushtë ndërmjet të gjallëve, që vijojnë shtegtimin mbi tokë, e atyre, që tashmë gëzojnë amshimin.
Njeriu shqetësohet gjithnjë për fatin e të dashurve të vdekur e përpiqet t’u japë një jetë të dytë përmes kujtimit, kujdesit, dashurisë. E, paradoksalisht, mënyrën si jetuan të vdekurit, si deshën, si dreshtën, si shpresuan e si përbuzën, ne, të gjallët, e zbulojmë pikërisht nga varret, para të cilave kalojmë nga kjo botë, në botën e kujtimeve. Varret janë gati-gati pasqyrë e botës së të vdekurve.
E në sa meditojmë para varreve, nuk mund të mos i bëjmë vetes pyetjen: “Pse na tremb kaq shumë vdekja?”. “Pse njerëzimi nuk ka pushuar kurrë së besuari se duhet të ketë diçka përtej vdekjes?”. Na tremb, nga që nuk duam ta pranojmë se njeriu mund të përfundojë në asgjë, në hiç. Prandaj kemi frikë nga vdekja: është frika nga asgjëja, nga nisja në një drejtim të panjohur, ku nuk e dimë ç’na pret.
Prandaj kemi ndjesinë e mospranimit të vdekjes, prandaj nuk e duam e nuk mund të pranojmë se gjithçka e bukur dhe e madhe, e realizuar gjatë tërë jetës, mund të zhbëhet përnjëherësh, të bjerë në greminën e hiçit. Në mënyrë të posaçme kur dashurojmë, zemra e kërkon me etje amshimin, mbasi nuk është e mundur që vdekja ta shkatërrojë dashurinë në një çast të vetëm.
Kemi frikë nga vdekja edhe pse, kur na afrohet fundi i jetës, nuk mund të mos mendojmë se do të gjykohemi për veprat e bëra gjatë gjithë jetës, posaçërisht, për ato që na rëndojnë mbi ndërgjegje. Besojmë, prandaj, se kujdesi i njeriut të të gjitha kohëve për të vdekurit, vëmendja për ata, që ishin tejet të rëndësishëm sa qenë gjallë, por që nuk i kemi më pranë në shtegtimin tonë mbi tokë, buron pikërisht nga mendimi i gjyqit të mbramë.
Në një farë mënyre gjestet e dashurisë, me të cilat rrethohen të vdekurit, janë përpjekje për t’i mbrojtur, me bindjen se këto gjeste nuk do të mbeten pa ndikuar mbi gjykimin e mbramë. E këtë sjellje e vërejmë pothuajse në të gjitha kulturat e historisë njerëzore.
Vizita në një varrezë, vijon të na ftojë të reflektojmë Papa, çasti kur sodisim fotografinë e njeriut të dashur, që nuk është më, na bën të zhytemi në një përmasë tjetër, në atë të kujtimeve. E, papritmas jetojmë një realitet, të cilin s’ka shkencë në botë që mund ta shpjegojë. Varret, na kujton Benedikti XVI, hapin në shpirt një shteg, ku arsyeja nuk mund të shkelë. Sepse, ndonëse vdekja është shpesh temë gati e ndaluar në shoqërinë tonë, e edhe më shpesh njeriu i sotëm mundohet ta shlyejë nga kujtesa mendimin e vdekjes, ajo vjen për secilin nga ne. Vjen për njeriun e të gjitha kohëve, të të gjitha hapësirave. E përballë këtij misteri, të gjithë, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, kërkojmë një dritë, një shpresë, një shenjë që të na ngushëllojë e të na hapë horizonte të reja, të na sigurojë se nuk jemi fare pa të ardhme. Udha e vdekjes është udhë shprese. Duke vizituar varrezat tona, në sa lexojmë epitafet mbi rrasa, ne ecim pikërisht në udhën e amshimit.









All the contents on this site are copyrighted ©.