2012-11-02 16:43:42

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 31-të “B”


I tërë Ungjilli gjendet në një fjalë të vetme; duaj!
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të së dielës së 31 gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Këtë të diel, liturgjia e Fjalës Hyjnore na sjell në qendër e në thelb të besojmës (fesë) sonë të krishterë: na sjell te dashuria që gjendet dhe pasqyrohet në dy urdhërimet kryesore e themelore: ta duash Zotin me gjithë zemër e të afërmin tënd porsi vetveten. Në këtë përmblidhen e përfshihen të gjitha urdhërimet e rregulloret.

Jezusi në at kohë gjendej në Jerusalem dhe ishte afër mundimeve e vdekjes së vet. Turma e popullit e kishte rrethuar e nga mesi i turmës dëgjohet një pyetje e një skribi, që ishte njeri i drejtë e me zemër të pastër. “Cili është urdhri më i madh prej të gjitha urdhërimeve?”. Një pyetje kjo që nuk është retorike, as dashakeqe nëse mendojmë se 10 urdhërimeve, për të garantuar zbatimin e përpiktë të Ligjit, iu patën shtuar edhe 613 norma tjera.

Jezusi përgjigj jo duke shtuar ndonjë urdhër të tij, por duke u kthyer tek urdhri i parë dhe urdhri i dytë i të njëjtit Ligj: Duaje Zotin e duaje të afërmin. Me shembullin e jetës së vet dhe me mësimin e tij, Jezusi e shtrijnë, e zgjeron këtë dashuri edhe ndaj armiqve, sikur na njofton Ungjilli i Mateut (Mt 5,38).

Sot edhe Kisha dhe secili prej nesh, duhet të duan ashtu sikur na duan Jezusi, por ne jemi të vetëdijshëm se vetëm me forcat tona njerëzore, kjo gjë nuk është e mundshme; pra na nevojitet po i njëjti hir Hyjnor i Krishtit, kemi nevojë për dhuratë të Shpirtit Shenjtë.

Cili është më i pari urdhër prej të gjitha urdhërimeve? Duaje me gjithë… me gjithë…..me gjithë.. Tri herë Jezusi e përsërit thirrjen në tërësi, në plotësi, në të pamundurën. Përsërit fjalë të vjetra e të njohura, por shton se urdhri është një dhe i dyfishtë: duaje Zotin tënd dhe duaje të afërmin tënd sikur vetveten. Nuk e kundërvënë Zotin e të afërmin, mos e heq, mos e përjashto një dashuri në emër të një dashurie tjetër.

E tërë e ardhmja jonë është në një folje (fjalë): Ti duaj. Një folje në të ardhmen, jo një urdhërim, jo një detyrim, sepse është një nismë që nuk përfundon kurrë. Sepse do të zgjasë aq sa do të zgjasë koha. Sepse është projekt, dhe është projekt i vetëm. Jo një obligim, por një domosdoshmëri për të jetuar. E në qendër të krishterimit është vendosur ajo që është qendra e jetës. Të mos duash është sikur të vdesësh.

Çka duhet të bëj, o Zot, që të mund të jetojë? Ti duaj. Skribi pyet për një urdhër, e Jezusi përgjigjet me dy, por propozon tri objekte dashurie dhe zemrën e projekton në tri drejtime: duaje Zotin tënd, duaje të afërmin tënd, sikur e do vetveten. Urdhri i tretë harrohet gjithmonë. Sepse, nëse, nuk e do vetveten, nuk do të jesh i aftë ta duash askënd, do të dish vetëm të pretendosh e të kesh, të ikësh apo të shkelësh, pa gëzim as mirënjohje. Duaje veten, sikur gjurmë të Zotit, si një gjë të mrekullueshëm, si talent për t’u shumëzuar, si djalë i dëshirit.

Ta duash Zotin me gjithë zemër nuk do të thotë ta duash vetëm Atë, por ta duash pa masë, ta duash pa kufi, pa mediokritet. E në njëjtën mënyrë do të duash me gjithë zemër mikun tënd, familjarët tu, pa llogaritje, pa mashtrime, ashtu sikur na mëson vet Mësuesi e Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti.

Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Lp 6, 2-6

Kjo pjesë quhet “shemà” që do të thotë “dëgjo”: është një lutje që hebrenjtë e recitojnë edhe sot çdo ditë. Është dëshmia e besimit në një Zot të vetëm, është deklarata e dashurisë së popullit të Izraelit drejt Hyjit të tij të gjithëpushtetshëm dhe të paarritshëm, është premtimi i besimtarit për të zbatuar ligjin e Hyjit duke e dashur mbi gjithçka.

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu iu drejtua popullit të Izraelit: “Druaje Zotin, Hyjin tënd, e zbatoj të gjitha urdhërimet e ligjet e tij që po t’i paraqes ty, bijve e nipave të tu gjatë gjithë jetës sate, që të jesh jetëgjatë. Dëgjo, o Izrael, mbaji e zbatoji që të jesh mirë e që gjithnjë të shtohesh në vendin që rrjedh qumësht e mjaltë siç ta ka premtuar Zoti, Hyji i etërve të tu. Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde!
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin

Psalmi 18
Të dua, o Zot, fuqia ime
O Zot, Qeta ime, fuqia ime,
Shpëtimtari im!
Ti je Mbrojtësi im,
fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

Në ndihmë do ta thërras
Zotin tejet të lavdishëm,
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
Më sulmuan në ditën më të keqen,
por Zotin e pata krah.

Ai më qiti në vend të shpëtimit,
më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Është Zoti!

Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet,
e përkrah të shuguruarin e vet.

Leximi i dytë Heb 7,23-28
Në kultin judaik ishte një numër i madh meshtarësh që i ofronin çdo ditë fli të panumërta Hyjit. Mendohej se duke shtuar flitë i jepej një kult më i mirë Hyjit. Kulti dhe morali mund të bëhen një alibi e rrezikshme. Thuhet: “Unë i bëra Hyjit flinë time, unë kreva detyrën time, për këtë jam i shpëtuar”. Por harrohet që shpëtimi vjen nga vuajtja dhe dashuria e Hyjit. Prandaj është Krishti flija jonë e vërtetë, meshtari ynë i vetëm; vetëm Ai na shpëton.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, izraelitët u bënë priftërinj në një numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithmonë. Kurse Ai, mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë. Këndej edhe mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit – sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta. Vërtet, një kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt – i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten. Ligji në të vërtetë, vë për kryepriftërinj njerëz të nënshtruar dobësive, kurse fjala e betimit – që vjen mbas ligjit – vë Birin që u bë i përsosur për amshim.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin

Aleluja. Aleluja.

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti.
Ati im do ta duajë, dhe tek ai do të vijmë. Aleluja.
Ungjilli Mk 12, 28-34
Ungjilli Mk 12,28b-34
Mateu e Luka tregojnë që Jezusi duke folur për dy urdhërimet e dashurisë (drejt Hyjit dhe të afërmit) pohon se ato janë dy aspekte të një dashurie të vetme. Marku në Ungjillin e sotëm paraqet dashurinë si përmbajtje thelbësore të Besëlidhjes së re. E gjithë jeta, kur është e ndriçuar nga dashuria, kthehet në “kult”, pra vendi i besimit të vërtetë.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, një nga shkribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?” Jezusi iu përgjigj: “I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde, e me gjithë fuqinë tënde!’ Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.”
Skribi iu përgjigj: “Mirë fort, Mësues! Përgjigje ashtu siç është e vërteta. Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.” Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.” Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.