Kardinali André Vënt-Trua politikanëve francezë: punoni me liri e guxim.
Përballë temave të mëdha të jetës shoqërore, politikani është i thirrur të veprojë
në përkim me ndërgjegjen e vet personale dhe të ecë në rrugët, që i zgjedh me liri
e guxim. Është ftesë për lirinë e votës, kjo që u bëri dje kryeipeshkvi i Parisit,
kardinali André Vënt-Trua, parlamentarëve francezë gjatë një Meshe, kremtuar në bazilikën
pariziane të Shën Klotildës për senatorët dhe deputetët. Gjatë homelisë, sipas agjencisë
Sir, kardinali kujtoi debatin e sotëm politik mbi projekt-ligjin, propozuar nga qeveria,
për ligjërimin e çifteve homoseksuale, duke u krijuar edhe mundësinë e bijësimit të
fëmijëve. Në jetën e një vendi, theksoi Hirësia e Tij, ka tema që kanë të bëjnë
me jetën personale të të gjithë nënshtetasve e nuk varen thjesht nga një shumicë elektorale,
sado e rëndësishme të jetë. Familja, jeta, fëmijët, janë çështje, kujtoi akoma, që
ndikojnë fuqimisht mbi ardhmërinë e shoqërisë. Nuk mund të jenë, prandaj, pasojë automatike
e zgjedhjeve. Prej këndej, nënvizoi kardinali Vënt-Trua, do të ishte diçka tronditëse
për demokracinë, në se në diskutimet parlamentare mbi martesën, mbi fundin e jetës
ose mbi rishikimin e ligjeve të bioetikës, parlamentarët nuk do të kishin liri të
plotë vote. E shtoi: “Liria duhet t’i bëjë ballë konformizmit të mendimit “prêt à
porter”, mendimit të gatshëm, që duhet pranuar e votuar ashtu siç është, pa bërë shumë
pyetje”. Kardinali Vënt-Trua, kryetar i Konferencës ipeshkvnore franceze, u kërkoi
parlamentarëve të kenë guximin e duhur për t’u distancuar nga mjedisi ideologjik,
edhe nga vetë partia e tyre e për të vepruar në përkim me ndërgjegjen, në shërbim
të asaj që është rruga më e mirë për mbarë shoqërinë.