Benedikti XVI na fton ta shohim vdekjen në dritën e dashurisë së amshuar të Zotit,
pa besëtytni.
Sot më shumë se kurrë duhet ungjillëzuar vdekja, e cila është kaq tepër subjekt i
besëtytnive, në mënyrë që ajo të përjetohet në dritën e Krishtit të Ngjallur e të
dashurisë së amshuar të Zotit. Kështu pat pohuar Papa Benedikti XVI gjatë Lutjes së
Engjëllit të Tënzot, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan më 2 nëntor 2008, në ditën
e përkujtimit të të gjithë besimtarëve të kaluar në amshim. Jeta e njeriut bashkon
dy mistere: vdekjen në vetvete dhe ringjalljen në Ngjalljen e Krishtit. Ati i Shenjtë
Ratcinger na këshillon ta jetojmë dhimbjen për të dashurit, që ndahen me këtë botë,
përmes të vërtetave të fesë, duke e parë vdekjen dhe jetën e përtejme në dritën e
Zbulesës Hyjnore: “Edhe Shën Pali Apostull, duke u shkruar bashkësive të para,
i këshillonte besimtarët “të mos jenë të trishtuar si të tjerët që nuk kanë shpresë”.
“Nëse në fakt – shkruante ai – besojmë se Jezusi ka vdekur dhe është ngjallur, ashtu
edhe Zoti, përmes Jezusit, do të mbledhë rreth vetes të gjithë ata që kanë vdekur”.
Është e nevojshme edhe sot të ungjillëzohet vdekja dhe jeta e pasosur, realitete që
janë shpesh subjekt i besëtytnive dhe sinkretizmit, që e vërteta e krishterë të mos
rrezikojë të përzihet me mitologji te ndryshme”. Papa, në vazhdën e Enciklikës
mbi shpresën e krishterë, pyeti nëse burrat e gratë e kësaj epoke e dëshirojnë akoma
jetën e amshuar, apo nëse ekzistenca e tyre tokësore është bërë “i vetmi horizont”: “Në
të vërtetë, siç vërente shën Agostini, të gjithë e duam “jetën e lume”, lumturinë.
Nuk e dimë mirë se çfarë është e si është, por ajo na tërheq. Kjo është shpresa universale,
e përbashkët për njerëzit e të gjitha kohërave dhe të të gjitha vendeve. Shprehja
“jetë e amshuar” dëshiron t’i japë një emër kësaj pritjeje, që ndihet si domosdoshmëri:
nuk është një zëvendësim pa fund, por zhytja në oqeanin e dashurisë së pafundme, në
të cilën koha, para dhe mbrapa nuk ekzistojnë më. Plotësimin e jetës e të gëzimit:
këtë shpresojmë dhe presim nga qenia jonë me Krishtin”. Pikërisht sot, nënvizoi
më pas Papa, ripërtërijmë shpresën në jetën e amshuar, të bazuar me të vërtetë në
vdekjen e ngjalljen e Krishtit: “U ngjalla dhe tani jam gjithnjë me ty”, na
thotë Zoti, “e dora ime të mban. Kudo që të biesh, do të biesh ndër duart e mia e
do të jem i pranishëm edhe në portën e vdekjes. Aty ku askush nuk mund të të shoqërojë
e aty ku ti nuk mund të marrësh me vete asgjë, aty unë do të të pres për të shndërruar
errësirën në dritë”. Shpresa e krishterë, theksoi Benedikti XVI, nuk është
kurrë individuale, është gjithnjë edhe shpresë për të tjerët. Me të vërtetë, jeta
e secilit prej nesh është thellësisht e lidhur me atë të të tjerëve, në të mirë e
në të keq. Ajo që bën një person prek gjithnjë edhe të tjerët: “Kështu lutja
e një shpirti shtegtar në botë mund të ndihmojë një shpirt që po pastrohet pas vdekjes.
Ja përse sot Kisha na fton të lutemi për të dashurit tanë të vdekur e t’u bëjmë një
vizitë në varreza. Shën Maria, yll i shpresës, le ta bëjë më të fortë e më të vërtetë
besimin tonë në jetën e amshuar e ta mbështesë lutjen tonë për shëlbimin e vëllezërve
të vdekur”.