Atë Lombardi: “Jeta e amshuar” të kundrojmë qiellin përmbi kokat tona
“Jeta e amshuar” e titullon Atë Federiko Lombardi editorialin për Octava Dies, e
përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit, në atmosferën e kremtimit
të të Gjithë Shenjtorëve dhe të përkujtimit të besimtarëve të vdekur. “Ditët e
para të nëntorit Kisha na fton t’i ngrejmë sytë, ta çajmë qiellin e mbyllur përmbi
kokat tona e të shikojmë përtej tij. Të kundrojmë bashkësinë e të shëlbuarve, të shenjtorëve,
të gjallë me Zotin; t’a ndjejmë praninë e tyre e bashkimine tyre me ne, në shtegtim.
Ta shprehim lidhjen tonë shpirtërore me të vdekurit, me kujtim, lutje, shpresë. Kohët
e fundit, në Mesazhin përfundimtar të Sinodit, drejtuar popullit të Zotit, kujtohet
se gruas samaritane Jezusi nuk i paraqitet thjesht si ai, që jep jetë, por si ai,
që jep jetë të amshuar(Gjn 4, 14). Dhurata e Zotit nuk është thjesht premtimi për
jetë më të mirë në këtë botë, por kumti se kuptimi i fundit i jetës sonë është përtej
kufijve të kësaj bote, në bashkimin e plotë me Zotin, që e presim në fundin e kohëve. E
mesazhi vijon, duke na kujtuar se në Kishë njerëzit që i kushtohen plotësisht Zotit
në varfëri, pastri e dëgjesë, duhet të jenë pikërisht dëshmitarë të këtij horizonti
të jetës njerëzore, që shkon përtej vdekjes; dëshmitarë të pritjes së përkryerjes,
e cila gjindet vetëm përtej asaj, që provojmë mbi këtë tokë. Thirrje e shkëlqyer,
por sa kërkuese! Impenjimi në këtë botë është i detyrueshëm e i nevojshëm,
por duhet të ushqehet nga një shpresë, që është e aftë ta motivojë, që ia drejton
hapat kah “qielli i ri e toka e re”. Pa këtë shpresë nuk ishte i mundur ungjillëzimi
i parë e nuk do të jetë i mundur as i riu. Ta ngrejmë, prandaj, kokën lart, për të
parë Zotin që vjen, i shoqëruar nga shenjtorët e tij!”.