2012-11-01 14:54:57

Papa: në shenjtorët shohim fitoren e dashurisë mbi egoizmin dhe vdekjen


“Në shenjtorët shohim fitoren e dashurisë mbi egoizmin e mbi vdekjen: shohim faktin që të ndjekësh Krishtin të çon në jetë, në jetën e amshuar, e të shkosh pas Krishtit i jep kuptim të sotmes dhe çdo çasti që kalon, sepse e përmbush me dashuri e shpresë”. Kështu tha sot Papa Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan në festën e sotme të të Gjithë Shenjtorëve, të cilët Kisha i kremton sot më 1 nëntor.
“Vetëm feja në jetën e amshuar – shtoi Papa Ratcinger – na bënë ta duam më të vërtetë historinë dhe të sotmen, por pa u lidhur në mënyrë të përhershme, me lirinë e shtegtarit, që e do tokën pse e ka zemrën në Qiell”.
Sot, vijoi Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger, “kemi gëzimin të kremtojmë solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve, kjo festë “na bënë të reflektojmë mbi horizontin e dyfishtë të njerëzimit, që simbolikisht shprehet me fjalët ‘tokë’ dhe ‘qiell’: toka përfaqëson udhëtimin historic, qielli amshimin, plotësinë e jetës në Zotin. E kështu kjo festë na bënë të mendojmë për Kishën në përmasën e saj të dyfishtë: Kishën që udhëton në kohë dhe atë që kremton festën e pambarim, Jerusalemin qiellor. Këto përmasa të dyfishta janë të bashkuara nga realiteti i ‘ bashkësisë së shenjtorëve’: një realitet ky që fillon këtu mbi tokë e arrin plotësimin e vet në Qiell. Në botën tokësore, Kisha është fillimi i këtij misteri të bashkimit që njëson njerëzimin, në misterin e plotë të përqendruar e të mbështetut në Jezu Krishtin: është Ai që e ka shtie në gjininë njerëzore këtë dinamikë të re, këtë lëvizje që na shpie drejt Zotit e në të njëjtën kohë drejt vet bashkimit, drejt paqes në kuptimin më të thellë të fjalës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.