Kisha më 1 nëntor kujton Gjithë Shenjtorët, dëshmitarë të një jete të ndritur, më
2 nëntor të vdekurit
Shenjtorët dhe të vdekurit e nxisin njeriun modern të mendojë për domethënien
e jetës së pasosur, realitet që sot shpesh herë shikohet si mitologji e vjetruar.
Posaçërisht në sa kremtohen festat liturgjike të 1 e 2 nëntorit. Për të qenë shenjtorë,
nuk duhet të kesh karizma të jashtzakonshme. E enigma e vdekjes na bën të shpresojmë
se jeta jonë nuk merr fund këtu, mbi tokë. Të njohur ose të panjohur, të nderuar
prej shekujsh ose të fshehur në palët e së përditshmes, Shenjtorët janë modeli
njerëzor që e afron qiellin me tokën. Janë Burra e Gra, bij të Kishës, që zgjodhën
Krishtin, duke i pranuar, pa u fshehur, të gjitha pasojat, edhe më dramatiket. Dëshmuan
kështu se caku i lartë i jetës së krishterë, është cak për të gjithë njerëzit, e jo
vetëm për njerëzit e jashtzakonshëm; për të gjitha kohët, e jo vetëm për një epokë.
Jehon përsëri pyetja e lashtë e një njeriu të njohur të Zotit, Shën Bernardit
nga Kiaravale: ‘Ç’vlerë kanë për Shenjtorët lavdërimi e nderimi ynë?’. Përgjigja e
dhënë njëmijë vjet më parë, nuk e ka humbur aspak aktualitetin: ‘Shenjtorët nuk kanë
nevojë për nderimet tona, por duke menduar për ta - thoshte Shën Bernardi – më ndizen
në shpirt dëshira të mëdha. Ja, pra, domethënia e solemnitetit të sotëm: duke pasur
parasysh shembullin e ndritur të Shenjtorëve, të zgjojmë në zemrën tonë dëshirën e
madhe për të qenë si Shenjtorët, të lumtur, sepse jetojmë pranë Zotit. Të jesh shenjt
do të thotë të jetosh afër Zotit, të jetosh në familjen e tij. Kjo e vërtetë, e ripohuar
me forcë nga Koncili II i Vatikanit, na propozohet përsëri sot në mënyrë solemne. Por
ç’kuptojmë me fjalën shenjtëri? E ç’duhet të bëjmë për të qenë shenjtorë? Kësaj
pyetjeje mund t’i përgjigjemi së pari duke u nisur nga ç’nuk duhet të bëjmë: për të
qenë shenjtorë, nuk duhet të bëjmë gjëra të jashtzakonshme, as të kemi karizma që
pak e kush i ka. Vjen më pas përgjigjja për atë që duhet të bëjmë: duhet t’i shërbejmë
Krishtit, ta dëgjojmë e ta ndjekim pa u trembur nga asnjë vështirësi. Shenjtëria kërkon
përpjekje të vazhdueshme, por është e mundur për të gjithë sepse, më tepër se vepër
e njeriut, është dhuratë e Zotit. Sigurisht madhështia e dhuratës vë në dukje,
për kontrast, varfërinë e mjeteve tona. Por siguria që na jep feja e krishterë, larg
çdo mburrjeje, qëndron në faktin se Zoti na solli në botë për të qenë shenjtorë, si
shenjtorët që kremton nesër Kisha, si figurat e Besëlidhjes së Vjetër: që nga Abeli
i drejtë tek Abrahami “patriarku besnik”. Shenjtëria, që bashkon besimtarët
mbi tokë me realitetet hyjnore, kalon gjithnjë përmes kryqit. Këtë na sjell në mend
përkujtimi i të vdekurve, që Kisha i kujton më 2 nëntor. Në kohën tonë,
më shumë se në të kaluarën, njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë
harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e i vetë jetës sonë. Por jeta njerëzore,
për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, që qëndron mbi këtë natyrë:
e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë. Para
enigmës së vdekjes, shumkush dëshiron e shpreson t’i gjejë përsëri të dashurit
e vet në jetën e përtejme. Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjeshtë
një jetë që s’ka fund, por sidomos një cilësi e re e jetës, shkrirë plotësisht në
dashurinë e Zotit, që çliron nga e keqja e nga vdekja!