2012-11-01 12:24:05

Dom Gjergj Meta: Ne shqiptarët i kemi dhënë qiellit shenjtër e atdheut martirë


Shenjtër për Njëqind Vjetorin!
O Plang, ku zanat bajn kuvend,/ ku çerdhen Shqypja e ngrehë njimend/ O dheu i em e i t’Parve,/ O nderë e gjith Shqiptarve;/ O nanë fatlume,/ Shqypni e gzueme,/ Falë t’kjosha sot/ E për gjithë mot. Më erdhën ndërmend sot këto vargje të Imzot Vincenc Prennushit, në ditën kur fillon muaji i fundit i një Jubileu të artë për popullin tonë shqiptar, 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.
Por sot gjithashtu për besimtarët katolikë në gjithë botën është edhe e kremtja e të Gjithë Shenjtërve. Ne shqiptarët i kemi dhënë qiellit shenjtër e atdheut martirë. Po! Janë 40 martirët tanë të regjimit komunist e të kohërave tjera të vështira, që presin të lartësohen në altarët e Kishave për të qenë ndërmjetës pranë qiellit për ne, të tokës shqiptare e për gjithë botën.
Në të vërtetë martirët nuk janë vetëm dyzet, janë më shumë se aq, pasi shumë prej tyre dhanë jetën për të mos iu nënshtruar njërës prej diktaturave më të egra të shekullit të kaluar, asaj komuniste. Për lirinë ata dhanë jetën me fjalët: “Rrnoftë Krishti mbret, Rrnoftë Shqipëria”. Një binom që aq bukur ata e kënduan dhe e jetuan sikur ndër vargjet e Vincenc Prennushit: Për atme e fe na dona/ Vehten gjithmonë me e shkri;/ Ktu shkrepin d’shiret t’ona./ Pra populli tui pri,/ e për Atme edhe Fe/ për n’dekshim, kemi le:/, T’qindrojm pse Zoti e don. Fjalë që jehojnë fuqishëm në thellësitë e viteve e përplasen këndshëm në zemrat tona për të jehuar më vonë në brezat që do të vijnë. Nganjëherë harresa, më e keqja sëmundje e historisë, i len në pluhurat e arkivave, qëllimisht të fshehura apo prej neglizhencës të lëna pas dore. Por kjo ditë, e më shumë se kurrë këto ditë, duhet të na shtyjnë t’u ndërtojmë obeliskë mu në qendër të përditshmërisë sonë. Sigurisht sheshet e vendet publike duhet të kenë emrat dhe fytyrat e tyre, pasi ato pasqyruan shpirtin më autentik të njeriut të lirë i cili pranon vdekjen, por jo tradhtinë e nënshtrimin. Por mbi të gjitha një obelisk duhet ngritur në ndërgjegjet tona. Ata janë pjesa më e mirë e jona, e historisë sonë. Shembulli i tyre është pasaporta jonë drejt popujve liridashës dhe me qytetërim. Po, sepse ata kanë sjellë qytetërim, madje këtë qytetërim ata e kanë ngritur duke vënë trupat e tyre si gur ndërtimi për kështjellën e lirisë e cila kur duket së është shkatërruar atëherë është bërë më e fortë. Një obelisk që duhet të jetë fanari i atyre që udhëtojnë në detin e historisë e kur dallgët e saj ngrihen kërcënuese për të mbytur gjithçka ai far mbetet orientimi që sjell shpresë. E ne sot për orientim kemi nevojë më shumë se kurrë. Ata janë dëshmia e një shpirti të pamposhtur. Shqiptari edhe në të keq nuk kthen e është kryefortë, por sidomos në të mirë ai din të jetë i tillë deri në fund, madje deri në vdekje. Ashtu qenë ata! Me gjakun e tyre pastruan njollat që mund të kishte shkaktuar e keqja që sulmon çdo njeri në dobësinë e tij e me vendosmërinë e tyre i shkuan të mirës, të bukurës e të vërtetës deri në fund, deri në pikën e fundit të gjakut. Një shkrimtar i lashtë i krishterë thoshte se gjaku i martirëve është fara e të krishterëve. Jo vetëm kaq e jo vetëm e të krishterëve. Ata janë fara e lirisë së popujve që sot si atëherë edhe në kushtet më të tmerrshme do të dinë gjithmonë të jenë të lirë e ta fitojnë lirinë e tyre.
Sot këtyre martirëve dua t’u ngre një obelisk në ndërgjegjet e atyre që janë të shkurtër në kujtesë apo që këtë kujtesë qëllimisht e lënë të vdesë. Në ëndrrat somnabule, nga fajet e së kaluarës të atyre që sot qëllimisht harrojnë apo nuk duan të kujtojnë, ata do të jenë të pranishëm si engjëj drite për t’u dhënë faljen e për t’u treguar rrugën drejt dritës. Ata janë aty e nuk mund të harrohen. Gjaku i tyre ende nuk është tharë e megjithatë ato sot janë banorë të një atdheu që nuk mbaron kurrë. Por në këtë atdheun tonë që një ditë do të mbarojë për secilin prej nesh, d.m.th. kur ne më të mos jemi, ata qëndrojnë si kolona e gur këndi në të cilët o mbështetesh o thyen kryet.
Në këtë 100 vjetor ky dhé duhet të kujtojë martirët e tij që e dashuruan deri në vdekje. Martir do të thotë dëshmitar. Ata sot janë aty si dëshmitar të atdheut që na kanë lënë e në të njëjtën kohë na thonë: “Çfarë keni bërë me këtë atdhe e çfarë doni të bëni në të ardhmen?”. Nuk di çfarë t’u them sot unë shqiptari shekullit XXI në këtë ditë. Një fije trishtim më ngjallin maska të frikshme Halloween-i në rrugët e vendit tim që meriton më shumë. Kurse ata martirë janë fytyra e bukur e atdheut tim. Ata i dhanë më shumë, i dhanë gjithçka, i dhanë vetveten: fesë dhe atdheut. Atij atdheu që aq bukur Poeti i këndon: T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!/ I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,/Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue/ Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri/ Kje i Lumi vetë, qi mue m’dergoi ksi hiri /Për nën qiell tand t’kthielltë un me u perftue.







All the contents on this site are copyrighted ©.