2012-10-31 15:39:34

Benedikti XVI: feja lind e jeton në Kishë, nuk është çështje private.


Feja e vërtetë nuk ekziston, në se nuk jetohet në gjirin e Kishës! Benedikti XVI e ripohoi këtë sot paradite, gjatë katekizmit të Audiencës së Përgjithshme, kryesuar në në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 20 mijë besimtarëve, në një kohë të ngarkuar me re e me shi. Papa e quajti kontradiktë, prirjen e përhapur sot për ta syrgjynosur fenë në sferën private.

Feja është popull, është dritë. Feja nuk duhet fshehur në skutat e shoqërisë a të shpirtit. Në të mërkurën e tretë të audiencës së përgjithshme, kushtuar Vitit të Fesë, në Sheshin e Shën Pjetrit përplot me njerëz, pavarësisht nga retë e shiu, Benedikti XVI foli për një tjetër nga ato, që të mërkurën e kaluar i pati quajtur “të vërteta fillestare”. Edhe këtë herë reflektimi i Atit të Shenjtë nisi me një pyetje themelore: “Feja ime është individuale? Mund ta jetoj vetëm?”:
“Natyrisht çështja e fesë është çështje jashtëzakonisht personale, që ndjehet në thellësinë e shpirtit e shënon ndërrimin e drejtimit, kthesën vetjake; vetë jeta ime merr një kthesë. Por besojma ime nuk është prodhim i mendimit tim, është fryt i një marrëdhëniejeje, i një dialogu, në të cilin dikush dëgjon e merr e dikush përgjigjet; është të komunikuarit me Jezusin, që na bën të dalim nga ‘uni’ i mbyllur në vetvete e na e hap zemrën për dashurinë e Hyjit Atë”.
Atëherë feja, vijoi Papa, nuk është dialog privat me Jezusin: është dhuratë, që vjen nga Zoti, prandaj, nënvizoi, e marrim përmes Kishës. Që në zanafillë, ripohoi Ati i Shenjtë, Kisha është vendi i fesë, vendi i transmetimit të fesë. Prej këndej, Kisha nuk është entitet ‘sociologjik’, por bashkësi, me rrënjë në Hyjin, në Jezusin, në Shpirtin Shenjt:
“Feja jonë është vërtet personale, vetëm në se është komunitare: mund të jetë feja ime, vetëm në se ‘unë’ jetoj e lëvizi në atë, që e quajmë “ne”, në Kishë, vetëm në se është feja jonë, feja e përbashkët e një Kishe të vetme. Kisha është Nënë e të gjithë besimtarëve. Askush nuk mund të thotë se ka një Zot për Atë, në se nuk e ka Kishën për Nënë. Prej këndej, feja lind në Kishë, të çon në Kishë, jeton në Kishë. Kjo ka shumë rëndësi të kujtohet”.
Si i sqaroi këto parime themelore për fenë, Benedikti XVI përshkroi shkurtimisht mënyrën si e predikoi dhe e kumtoi Kisha këtë fe gjatë dymijë vjetëve. Posaçërisht theksoi vlerën e “Traditës”, që na garanton se ai që besojmë, është mesazhi i ardhur drejtpërdrejt nga Krishti e i predikuar nga Apostujt:
Në se Shkrimi Shenjt përmban Fjalën e Zotit, Tradita e Kishës e ruan dhe e transmeton besnikërisht, që njerëzit e çdo epoke të mund të shuajnë etjen në burimet e saj të pafundme e të pasurohen me thesaret e saj të hirit”.
Pastaj, porosia e fundit e themelore e Benediktit XVI: “Feja personale rritet e fiton pjekuri në bashkësinë kishtare. Prej këndej, ungjillëzimi i ri, në qendër të vëmendjes gjatë gjithë Sinodit të sapopërfunduar, nuk është tjetër, veçse shprehje publike e kësaj feje, e shoqëruar me hirin e Zotit”. Prandaj Papa përfundoi me fjalët:
Prirja, sot e përhapur, për ta mbyllur fenë në sferën private, i kundërvihet vetë natyrës së saj. Kemi nevojë për Kishën, për të vërtetuar fenë tonë e për të jetuar së bashku përvojën e dhuratave të Hyjit: Fjalën e tij, Sakramentet, mbështetjen e hirit e dëshmimin e dashurisë. Në një botë, ku duket se individualizmi rregullon marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, duke i bërë gjithnjë më të brishta, feja na thërret të jemi popull i Hyjit, të jemi Kishë, mbartës të dashurisë e të bashkimit të Zotit për mbarë gjininë njerëzore”.
Në përfundim të katekizmit, përmbledhja në tetë gjuhë, ndërmjet të cilave edhe ajo arabe. E përshëndetja kryesore, drejtuar rektorëve të Universiteteve katolike, mbledhur në Romë.
Në fund të audiencës, kujtimi i Solemnitetit, Festës së të Gjithë Shenjtorëve, që do të kremtohet nesër.







All the contents on this site are copyrighted ©.