2012-10-30 15:40:06

"Jo vetëm numra": u paraqit Dosja Statistikore e Emigracionit në Itali. Flet Shqiponja Dosti


“Nuk janë vetëm numra”: kjo është parrulla e Dosjes së sivjetme Statistikore të Emigracionit në Itali, paraqitur sot paradite nga Karitasi Italian dhe Fondacioni “Migrantes” i Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Nga 5 milion emigrantët, nga të gjitha vendet e botës, të pranishëm në gadishullin apenin, rreth 500 mijë shqiptarët janë bashkësia e dytë, pas marokenëve, për nga numri i jo komunitarëve, pra i personave, të cilët vijnë nga vende të paintegruara në Bashkimin Evropian. Por shqiptarët janë të parët përsa i përket numrit të studentëve, që ndjekin universitetin në Itali – 11 mijë sipas Dosjes së Karitasit.
Kaq për numrat, por siç thotë Dosja, duke pasur parasysh edhe mesazhet e Papës Benedikti XVI për Ditën Botërore të Emigrantit, i fundit prej të cilëve u paraqit dje, emigrantët janë njerëz, me dinjitetin dhe botën e tyre kuptimore; njerëz, që mund dhe japin një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendeve mikpritëse, në këtë rast, të Italisë. Vërtet, siç e përmendi edhe Ministri italian i Integrimit, Andrea Rikardi, në kundërshtim me të dhënat mbi krizën, veprimtaria e biznesit të emigrantëve rritet. Gjatë vitit të kaluar, 20 mijë emigrantë kanë kërkuar regjistrimin në zyrat e tregtisë për hapjen e ndërmarrjeve të reja.
Sipas ministrit, emigracioni është mundësi për të rinuar Italinë, për të plotësuar nevojat e botës së punës, për të hapur udhë të reja në botën e ekonomisë e për të ndërkombëtarizuar sistemin, pasi vetë emigrantët, përmes shoqatave dhe veprimtarive të ndryshme lidhin Italinë me vendet nga vijnë. Probleme për t’u zgjidhur mbeten dhënia e nënshtetësisë, sidomos brezave, që kanë lindur në Itali; rishikimi i ligjit për emigracionin, i cili i duhet përshtatur kohës; njohja e titujve të studimit të emigrantëve dhe marrëveshjet për asistencën e pensionin e emigrantëve të moshuar.
“Një rajon i madh prej 5 milion banorësh i është shtuar paqësisht vendit tonë”, nënvizoi ministri Rikardi. E ndër këta 5 milion, bashkësia shqiptare, një nga më të rëndësishmet, u përfaqësua përmes relatores së Dosjes së Karitasit e të Fondacionit “Migrantes”, Shqiponja Dosti, ndërmjetësuese kulturore, prej vjetësh në Itali, e cila vuri theksin pikërisht mbi faktin se emigrantët e pranishëm në këtë vend nuk janë vetëm numra.
Përmes përvojës personale, ajo përshkoi rrugën e shumë emigrantëve shqiptarë, të ardhur në Itali, pas rënies së komunizmit: rikualifikimi me anë të studimeve, ose përmes njohjes së dipllomës së universitetit; ndarja nga ai grup, që ka mbushur radhët e organizatave kriminale, për t’u dënuar me vendosmëri; pastaj, pjesëmarrja në shoqata, që shpreh dëshirën e tyre për të marrë pjesë në zhvillimin e Italisë; por edhe impenjimi si vullnetarë për të favorizuar proceset e integrimit e për të ndihmuar emigrantët e tjerë. Shqiponja Dosti foli për projektin “Albania Domani” (Shqipëria nesër), një rrjet organizatash jo qeveritare dhe entesh lokale italiane, të cilat, në bashkëpunim me diasporën shqiptare në Itali po vendosin në internet një sërë profesionistësh të interesuar për bashkëpunime ndërmjet dy vendeve. Duke pasur parasysh krizën aktuale, si shqiptare, ajo iu drejtua italianëve me fjalët “Na ndjeni afër. Ky është edhe vendi ynë, shtëpia jonë”. Po ta dëgjojmë vetë Shqiponja Dostin, në mikrofonin tonë….RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.