2012-10-30 08:45:44

Imzot Tozo: bota financiare është e dobishme për të mirën e përbashkët, por duhet reformuar


Kriza ekonomike i ka shtrirë tentakulat në të gjithë botën. Gjithnjë e më shumë, njerëzit po e kuptojnë se duhet reformuar sistemi nga brenda, pasi financa e politika, në vend që t’i shërbejnë së mirës së përbashkët, në garën e tyre drejt fitimit sa më të madh, kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë vetëm dëme. Mbi këto argumente folëm me sekretarin e Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, imzot Mario Tozo:
Nuk mund të imagjinohet një jetë e mirë dhe e lumtur për të gjithë, pa një ekonomi që krijon vende pune, pasuri, prodhime e shërbime të reja, duke i zgjeruar kufijtë e mundësive për njerëzit e si pasojë, edhe të lirisë së tyre. Prandaj, Kisha e sheh pozitivisht botën e ekonomisë, të punës, të biznesit, e sheh si përmasë themelore të jetës, si vend krijimtarie e pasioni qytetar. Për Doktrinën Shoqërore të Kishës nuk mund të flitet për të mirën e përbashkët pa një ekonomi në shërbim të kësaj së mire e pa afaristë, që prodhojnë produkte e shërbime, që rinovohen, që krijojnë vende pune e paguajnë taksat.
Ç’lloj finance do të na duhej për të dalë nga kriza aktuale?
Ka financë e financë! Ekziston financa e mirë, por edhe ajo që mendon vetëm për vete e nuk i shërben ekonomisë së vërtetë të ndërmarrjeve, të familjeve e të bashkësive lokale. E me të vërtetë, shohim se ekziston një lloj finance e interesuar të nxjerrë fitime sa më të shpejta nga gjithçka, edhe nga pasuritë kolektive si uji, apo ambienti. Doktrina Shoqërore e Kishës e fton financën të kthehet e të bëhet mjet për prodhimin e asaj pasurie, që sjell zhvillim të vërtetë në të gjitha degët e ekonomisë. Duhet të shmangim impenjimin e burimeve financiare vetëm me qëllim spekullimi e fitimi afatshkurtër. Duhet siguruar qëndrueshmëria afatgjatë e ndërmarrjeve.
Sipas jush, a duhet reformuar sistemi botëror monetar e financiar?
Sigurisht, është e domosdoshme. Për këtë ka folur edhe Benedikti XVI, për këtë është interesuar edhe Këshilli Papnor i Drejtësisë dhe i Paqes e disa nga propozimet e Kishës janë dëgjuar. Vetëm pak ditë më parë, 11 shtete evropiane vendosën të ndërmarrin udhën e taksave për transaksionet financiare. Këshilli Papnor propozon taksa për disa lloj transaksionesh, jo për të gjitha. Nuk merret vesh se pse pjesa më e madhe e botës ekonomike paguan taksa, ndërsa fusha të rëndësishme të tregut financiar, sidomos ato që kanë të bëjnë me spekullimet e parregullta, nuk preken nga taksat e nuk kontribuojnë në realizimin e së mirës së përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.