2012-10-30 08:46:35

28 tetor 1944, filloi genocidi komunist në Shqipëri


Nga 28 tetori 1944 deri më 16 nëntor të po atij viti, forcat komuniste në Tiranë vranë 37 intelektualë e patriotë, që nuk ishin dakord me komunizmin, por donin që Shqipëria të rreshtohej me anglo-amerikanët. Në vitin 2009, këtyre intelektualëve u dha titulli “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Të martirizuar nga terrori komunist, për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë, pas Luftës II Botërore”. Ja emrat e tyre: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi, Fahri Dabulla, Mumtaz Kokalari, Vesim Kokalari, Ismail Petrela, Muharrem Lleshi, Muharrem Liku, Abdulla Saraçi, Jorgji Mema, Nebil Çika, Hamid Greblleshi, Subi Topulli, Kapllan Deliallisi, Jakup Deliallisi, Shefqet Deliallisi, Anton Fekeçi, Isuf Allamani, Boris Belevski, Minella Toçi, Selim Kelmendi, Selaudin Korça, Lluka Xhumari, Ali Panariti, Rakip Kalenja, Hasan Dine, Azis Blloshmi, Faik Shkupi, Mehmet Dada, Rifat Tërshana, Aleks Mavraqi, Selman Shtjefni, Petraq Pekmezi, Ndue Pali, Syrja Kokalari, Bajram Cuka, Lorenc Rasha.

Si u zhduk inteligjenca e Tiranës nga komunizmi

Orhan Sakiqi

Natën, të adresuar dhe të mësuar mirë nga shefat e tyre më të lartë komunistë, në vazhdim të masakrës së Libohovës së Lushnjës etj, kryen terrorin tashmë në kryeqytet, duke vrarë nëpunës e punëtorë, ushtarakë, civilë e intelektualë, të gjithë të pafajshëm dhe me prejardhje nga gjithë Shqipëria: nga Tirana, Durrësi, Shijaku, Shkodra, Gjirokastra, Saranda, Elbasani, Mallakastra, Dibra e Kosova. Ata ishin nga familje që përfaqësonin dinjitetin shqiptar si: Petrela, Kokalari, Liku, Mema, Stërmasi, Blloshmi, Grëblleshi, Lleshi, Cika, Deliallisi etj.

Listat e tyre, siç do ta them më vonë, ishin hartuar jashtë Tiranës, në Berat dhe gjetkë. Në periudhën kohore të mësipërme, të gjitha viktimat u morën nga shtëpitë ose puna e tyre për sqarime në komandë dhe sipas të gjitha të dhënave, janë vrarë pa gjyq, brenda natës. Disave ju gjetën trupat pas disa ditësh, si atyre në hotel “Bristol”, kurse shumica është pa varr edhe sot, bilé deri vonë, të paçregjistruar nga gjendja civile. Ata pa varr u kërkuan nga familjet e tyre, por u përcollën nga komanda në komandë, nga Tirana në Shkodër e më tej, por gjithmonë përgjigjja ishte: Partia nuk vret njerëz të pafajshëm,… derisa pas disa kohësh, e vërteta logjike doli. Por, edhe atëherë nuk kërkuan falje për familjet. Kjo falje nuk është kërkuar kurrë as nga ata, as nga vazhduesit e tyre. Në vend të faljes ata vazhduan me refrenin: Partizanët nuk vrasin njerëz të pafajshëm e pa gjyq. Kjo për të vazhduar teorinë enveriane të luftës së klasave.

Vrasjet e Tiranës janë bërë direkt me urdhër të E. Hoxhës, siç vërtetohet nga shumë dëshmi e shkrime të asaj kohe e më vonë:

Hamid Keçi, ish-komandant i brigadës së 3-të, shkruante në gazetën “Republika” nr.39 dt 30-06-1991: “Mihali (Prifti) bën një mbledhje me kuadrot e brigadës, ku mua nuk më thërret. Mora vesh se kishte thënë: “Urdhëri i E.Hoxhës është që të gjithë ata elementë që i konsideroni se do t’i keni kundërshtarë, vritini”. Në bazë të këtij urdhri, janë vrarë: Selim Kelmendi, Kup e Kapllan Deliallisi, Fahri Dabulla, Ismail Petrela etj. Në bazë të këtij urdhri famëkeq të “Komandantit” janë zhdukur me qindra qytetarë të pafajshëm.

Gogo Nushi në pleniumin e II, në Berat, më 23-27 Nëntor 1944, (libri, “Politika antikombëtare e E.Hoxhës”): “Këto gjëra duhet të diskutohen mirë këtu. Këtë shpirt kriminaliteti e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona në Tiranë janë vrarë 60 vetë, e kemi listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjëri prej tyre nuk e meritonte të vritej. Kjo është rrjedhojë e vijës tonë. Jemi të sigurt se do të ketë edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar 100. Unë nuk kam qenë dakord. Kjo tregon pazotësinë tonë”.

Kristo Themelko, në të njëjtin libër, f. 96: “Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar se, kur të hynim në qytet, do të spastronim elementët e rrezikshëm”.
Sesa të rrezikshëm ishin, shikoni diskutimin e Nushit më sipër.

Nga lista e të pushkatuarve jo pak, por 14 ishin oficerë të Ushtrisë Mbretërore. Vrasja e tyre kishte filluar që gjatë luftës. Mësimet për këtë Enveri i kishte marrë nga babai i tij shpirtëror, Stalini, i cili vrau 5 000 oficerë polakë në Katin. Por, këtu ka një ndryshim, ndërsa Stalini vrasjen e polakëve ia ngjeshi gjermanëve (e vërteta u mor vesh vetëm kohët e fundit). E.Hoxha e mori përsipër vrasjen e oficerëve shqiptarë, të gjithë akademistë, duke ia kaluar kështu edhe mësuesit të tij.

Tre prej akademistëve të vrarë pa gjyq në Tiranë, ishin bashkënxënës të Hoxhës në Liceun e Korçës: Nazmi Uruçi, Akil Sakiqi dhe Fari Dabulla, e për më tepër, në një klasë me të. Këto ai i vërteton vetë në librin “Vite të rinisë”, ku nuk kursen fjalët “e mira” për ta. Nuk ka si shpjegohet zhdukja e tyre në të njëjtën natë. Kështu veproi ai me të gjithë ata që e njihnin me rrënjë dhe mendimet e tyre për të i kishin shfaqur hapur.

Po çfarë përfaqësonin viktimat? Ata ishin profesionistë dhe intelektualë të shquar të të gjitha fushave: Avokatë, agrononomë, oficerë të karrierës, shkrimtarë dhe botues, profesorë të shkollave të mesme, sipërmarrës dhe tregtarë të suksesshëm. Shumica me shkollë të lartë, perëndimore. Ndershmëria dhe patriotizmi ishte veti e tyre, që buronte nga kultura dhe traditat familjare. Zhdukja e inteligjencës për ta zëvendësuar me mediokritetin sllavo-komunist ishte qëllimi i diktatorit.

Sa herë mblidhemi për të kujtuar prindërit dhe të afërmit tanë, më kujtohen vargjet e poetit Ded Miri:

Im bir
Pastromë dheun që më ka mbuluar
Më fshih pluhurin e harresës
Kujdes!Vrasësit i ke pas shpine
Mos i beso buzëqeshjeve të tyre


Dhe demokracia nuk i harroi. Ajo ngriti pranë shoqatës së të përndjekurve politikë monumentin përkujtimor me pllakën me emrat e tyre. Ata janë përfaqësues të mbi 5000 viktimave të komunizmit në Shqipëri. Ata të gjithë akuzojnë:

Vëllavrasja nuk ishte e jona.
Ajo ishte e juaja
Ne deshëm vetëm jetën.

Ne i shkruajmë këto radhë për prindërit tanë, në të tilla përvjetore dhe kjo jo për t’u mburrur me sakrificën e tyre sublime. Jeta jonë në atë kohë të vështirë, por edhe sot, është bazuar në punën tonë dhe vlerat e trashëguara. Këto radhë janë përgjigje dhe akuzë për qindra faqe që shtypen përditë në përkujtim të diktaturës dhe përfaqësuesve më tipikë të saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.