2012-10-27 11:59:27

Atë Lombardi: Mesazhi Sinodit drejtuar popullit, në një botë të dashur nga Zoti


Mesazhit të Sinodit të Ipeshkvijve për gjithë botën, i kushtohet komenti javor i sotëm i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“‘Ta kapërcejmë frikën me fe e ta shohim botën me guxim të qetë, sepse – pavarësisht se plot me kontradikta e sfida – ajo mbetet gjithmonë bota, që Zoti e do’. Reflektimi i Kishës mbi nevojën e ungjillëzimit të ri lindi sigurisht për shkak të largimit të njerëzve nga feja e për shkak të vështirësive, që has kumtimi i Ungjillit në vende të ndryshme të botës së sotme, por Mesazhi me të cilin Asambleja Sinodale, iu drejtua Kishës para se të përfundonte, nuk është aspak i mbushur me fjalë shkurajuese; përkundrazi, është plot me fjalë impenjimi e shprese, bazuar në fenë për Hyjin, në praninë e Krishtit të ringjallur e në fuqinë e Shpirtit të Tij. Asnjë pesimizëm: globalizimi, shekullarizimi, skenarët e rinj të shoqërisë, emigracioni, duhet të shihen si mundësi ungjillëzimi.
Shumëllojshmëria e argumenteve të prekura nga anëtarët e Sinodit përmblidhet në një unitet të brendshëm koherent, që përvijon një Kishë të rinovuar, në të gjitha rajonet e botës, në të gjitha pjesët e përbërësit e saj – familje, famulli, kler e laikat…- me vetëdije për misionin e vet. Një Kishë, gjithnjë në dialog me botën e problemet e saj, me kulturën, shkencën, edukimin, artin; në fusha si bamirësia aktive, por edhe ekonomia, puna, politika, për t’i shërbyer së mirës së përbashkët. Në veçanti, një Kishë në dialog konstruktiv me besimtarët e feve të tjera, një Kishë, që nuk do të ishte vetvetja, nëse nuk do të vazhdonte të kërkonte me besnikëri, në kundrim e në lutje, fytyrën e Zotit e, nëse nuk do të dinte ta njihte këtë fytyrë në të varfërit, që ndodhen gjithnjë mes nesh.
Ipeshkvijtë dhe anëtarët e tjerë të Sinodit kthehen tani në vendet, ku shërbejnë zakonisht. I lënë Papës – që i shoqëroi besnikërisht punimet – një kontribut të pasur në të cilin të thellohet. Por ia lënë edhe krejt Kishës, që në këtë Vit të Fesë, ndjehet edhe më e frymëzuar të gjejë udhë, vende, mënyra për ta ndarë me të gjithë dhuratën e fesë: më e bukura dhe më e çmuara, që ekziston”.







All the contents on this site are copyrighted ©.