2012-10-26 15:43:55

Votohet Mesazhi përfundimtar i Sinodit të ipeshkvijve: ungjillëzimi i ri është urgjenca e botës.


Me një duartrokitje të ngrohtë, të stuhishme: kështu e priti sot Sinodi i ipeshkvijve kushtuar ungjillëzimit të ri “Mesazhin drejtuar popullit të Zotit”, që përmbledh punimet e takimit të madh kishtar. Dokumenti u lexua në pesë gjuhët kryesore të botës: italisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht e gjermanisht, në praninë e Papës Benedikti XVI. Teksti ripohon se bota ka nevojë urgjente për ungjillëzimin e ri dhe i fton të krishterët ta kumtojnë Ungjillin paqësisht, por me guxim, duke e mundur frikën me fe.

Flitet për popullin e Zotit, në përmbledhjen e mesazhit. E populli i Zotit, shpesh i çkujdesur e konfuz, i rrezikuar nga zhgënjime shkatrrimtare, përshkruhet si samaritania pranë pusit, sipas rrëfimit të Shën Gjonit në Ungjillin e tij: me kovë bosh! Me etje e mall për Zotin. Me të duhet të takohet Kisha, që ta ndihmojë për ta parë përsëri Jezusin. E ashtu si samaritania - nënvizon mesazhi i Sinodit - që takohet me Zotin, nuk mund të mos bëhet dëshmitar i kumtimit të shëlbimit dhe i shpresës së Ungjillit. Të merret, pra, për dore bota bashkëkohore e të çohet kah Jezusi, kjo është urgjenca më e madhe e kohëve të reja.

Gjithsesi Kisha ripohon se që të mund të ungjillëzojmë duhet, në radhë të parë, të ungjillëzohemi dhe bën thirrje - duke nisur nga vetvetja - për kthesë shpirtërore, duke pasur mirë parasysh se ligështitë e mëkatet personale të dishepujve të Krishtit peshojnë rëndë mbi besueshmërinë e misionit. Por, e pavarësisht nga ligështitë, të krishterët duhet ta mposhtin frikën me fe e ta shikojnë botën me guxim të qetë sepse, pavarësisht nga kundërshtitë, ajo mbetet gjithnjë bota, që Zoti e do.

Larg çdo pesimizmi, prandaj! Globalizimi, shekullarizimi, emigrimi, ateizmi, kriza e hegjemonisë së politikës e të Shtetit, pavarësisht nga vështirësitë e vuajtjet, që shkaktojnë, duhen parë si mundësi për të ungjillëzuar. E këtu nuk bëhet fjalë për të gjetur strategji të reja të përhapjes së Ungjillit, si të ishte mall tregu, por për të rizbuluar rrugë të reja, që i çojnë njerëzit tek Krishti.

Prej këndej, mesazhi thekson se familja është vatra kryesore e ungjillëzimit dhe ripohon se ajo duhet ndihmuar fuqimisht nga Kisha, nga politika, nga shoqëria. E, në gjirin e familjes, nënvizohet roli i posaçëm i nënave, përgjegjësia e etërve, gjendja e dhimbshme e njerëzve, që bashkëjetojnë pa kurorë, e të divocuarve dhe e të rimartuarve e, edhe pse ripohohet disiplina lidhur me marrjen e sakramenteve, kujtohet se ata nuk janë njerëz të braktisur nga Zoti e se Kisha është shtëpi me porta të hapura për të gjithë.

Në dokumentin sinodal vihet fort theksi edhe mbi famullitë, parë si qendra të domosdoshme të ungjillëzimit. Kujtohet rëndësia e jetës rregulltare dhe e formimit të përhershëm të priftërinjve dhe rregulltarëve; ftohen shekullarët ta kumtojnë Ungjillin në bashkim me Kishën. Vëmendje e dorës së parë u kushtohet të rinjve, e sotmja dhe e ardhmja e njerëzimit dhe e Kishës, duke i parë në perspektivën e dëgjimit e të dialogut, për ta ndezur e jo për ta shuar, entuziazmin e tyre.

Ungjillëzimi i ri ka horizonte të gjëra, sa vetë bota, thuhet në Sinod, prej këndej, është themelor dialogu, në mënyra e fusha të ndryshme: me kulturën, për lidhjen e një bese të re ndërmjet fesë e arsyes; me arsimin, për formimin e gjithanshëm të njeriut; me komunikimet shoqërore, mjedise ku shpesh formohen vetëdijet, e mjete, që krijojnë mundësi të reja për të fituar zemrën e njeriut; me shkencën që, kur nuk e mbyll njeriun në kullën e hekurt të materializmit, bëhet aleate e fuqishme në përpjekjen e madhe për ta bërë njeriun më njerëzor.

E akoma: qëndror, dialogu me artin, që hyn në shpirtin e njeriut, përmes krijimit të bukurisë; me botën e ekonomisë e të punës, që kjo e fundit të mos bëhet kurrë barrë e padurueshme e as perspektivë e paqartë, por t’i hapë rrugë zhvillimit njerëzor; me politikën, nga e cila kërkohet kujdes pa interes e transparent në shërbim të së mirës së përbashkët, duke respektuar dinjitetin e njeriut, të familjes së bazuar mbi martesën e një burri me një grua, të lirisë edukative e fetare, të përpjekjes për zhdukjen e shkaqeve të padrejtësive e të pabarazive. Themelor, pastaj, edhe dialogu ndërfetar, që jep një ndihmesë të çmuar për paqen, i kundërvihet fondamentalizmit dhe dënon dhunën kundër besimtarëve, duke e parë si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Dy shprehje të jetës së fesë janë posaçërisht domethënëse për ungjillëzimin e ri: kundrimi, gjatë të cilit heshtja krijon kushte për ta dëgjuar më mirë fjalën e Zotit, e shërbimi ndaj të varfërve, duke parë Krishtin në fytyrën e tyre.

Në pjesën e fundit, mesazhi shikon Kishat e zonave të ndryshme të botës dhe secilës prej tyre i drejton fjalë inkurajimi për kumtimin e Ungjillit: Kishave të Lindjes u uron ta praktikojnë fenë në kushte paqeje e lirie fetare.
Kishave të Afrikës, të ungjillëzojnë duke pasur parasysh takimin e kulturave të lashta me ato të reja e duke u drejtuar qeverive thirrjen t’i japin fund konflikteve e dhunës.
Të krishterët e Amerikës së Veriut, që jetojnë në gjirin e një kulture me shumë tipare larg Ungjillit, duhet ta vënë theksin mbi kthimin në rrugën e Zotit, të mikëpresin me gjithë zemër emigrantët e refugjatët.
Amerikës Latine i drejtohet ftesa ta jetojë misionin e përhershëm, për të përballuar sfidat e së sotmes, si varfëria e dhuna, edhe në kushtet e pluralizmit fetar.
Kisha në Azi, edhe pse pakicë, shpesh e shpërfillur nga shoqëria dhe e persekutuar, inkurajohet e nxitet të mos lëkundet në fe. Sidomos u shprehet afërsia të krishterëve të Kontinentit që jetojnë në Tokën e Shenjtë, atje ku lindi, vdiq e u ngjall Jezusi.

Evropa, ndonëse e përshkuar nga shekullarizmi, nganjëherë edhe agresiv, e plagosur nga pasojat e regjimeve dhe ideologjive armike të Zotit e të njeriut, ka krijuar një kulturë humanistike, të aftë për t’i dhënë fytyrë dinjitetit të njeriut dhe përpjekjeve për ndërtimin e së mirës së përbashkët. Prej këndej, vështirësitë e sotme nuk duhet t’i trembin të krishterët evropianë, që duhet t’i perceptojnë si sfidë.
Në Oqeani, së fundi, kërkohet të vihet përsëri theksi mbi impenjimin e predikimit të Ungjillit.Mesazhi mbyllet duke i lëshuar të gjitha impenjimet në dorë të Marisë, Yll i ungjillëzimit të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.