2012-10-26 19:22:35

Hilari Klinton në Tiranë më 1 nëntor, fjalim në Kuvend të Shqipërisë


Sekretarja amerikane e Shtetit konfirmon vizitën në Shqipëri. “Nevojë kritike për bashkëpunim politik dhe sundim i ligjit”. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, më 1 nëntor do të zhvillojë një vizitë disaorëshe në Tiranë. Lajmi konfirmohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka bërë publike agjendën e sekretares së Shtetit për ditët e fundit të muajit tetor. Mësohet se Klinton do të jetë në Tiranë më 1 nëntor, pasi të ketë zhvilluar më parë takime në Beograd dhe Prishtinë. Departamenti bën të ditur gjithashtu edhe detaje të vizitës së zyrtares së lartë amerikane në vendin tonë. Sipas DASH, Klinton do të ndalet te bashkëpunimi me Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s dhe do t’i drejtohet Parlamentit me një fjalim ku do të fokusohet te zbatimi i ligjit dhe bashkëpunimi mes forcave politike.
“Në Tiranë, sekretarja do të theksojë solidaritetin me aleaten e NATO-s, Shqipërinë, dhe do të ndihmojë shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me një fjalim në Parlament, ndërkohë që kujton edhe nevojën kritike për bashkëpunim më të madh politik dhe sundimin e ligjit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në fund të muajit prill, Kryeministri Sali Berisha u takua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me sekretaren e Shtetit, ku pas një takimi rreth 60 minuta, e ftoi atë të vizitojë Shqipërinë. “Është një nder të mirëpres Kryeministrin e Shqipërisë këtu, në Departamentin e Shtetit. Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO, si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi një marrëdhënie të gjerë e të thellë që e vlerësojmë maksimalisht. Mezi pres të diskutoj me Kryeministrin Berisha për shumë çështje, për të cilat ne po punojmë, si në aspektin bilateral, rajonal, ashtu dhe atë global. Zoti Kryeministër, mirëserdhët!”, tha Kliton pas takimit me Kryeministrin Berisha.
Rajoni
Sekretarja amerikane e Shtetit do të jetë edhe në Sarajevë, ku së bashku me Përfaqësuesen e Lartë, Ashton, do të theksojnë nevojën urgjente për udhëheqësit partiakë për t’u shërbyer interesave të popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe për të realizuar reforma të nevojshme, si dhe do të theksojnë pandryshueshmërinë e angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare për të Marrëveshjet e Dejtonit për Paqen.
Në Beograd dhe Prishtinë, përveç diskutimit të çështjeve të interesit dypalësh, sekretarja e Shtetit, Klinton dhe Përfaqësuesja e Lartë, Ashton, do të përsërisin zgjidhjen e SHBA-BE për Serbinë dhe Kosovën, për të ndërtuar më tej mbi marrëveshjet e mëparshme, për të avancuar dialogun e tyre, si dhe për të inkurajuar hapat konkretë që do t’i lejojnë këto vende të përparojnë në udhët e tyre përkatëse për anëtarësim në BE.
Në Zagreb, sekretarja e Shtetit Klinton do të diskutojë rolin e Kroacisë si një aleate e NATO-s, hyrjen e saj të ardhshme në Bashkimin Europian në vitin 2013 dhe situatën e saj ekonomike”, thuhet në njoftimin për shtyp të Departamentit të Shtetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.